E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, ndërtimi i godinave të reja arsimore, pronarët që do të



Jonida Tashi

Hapet një tjetër proces për kompensimin e pronarëve nga shteti. Veçse këtë herë, nuk bëhet fjalë për pronarë që shteti ua ka marrë më parë tokën, por do t’ua blejë për ndërtimin e godinave të reja arsimore. Rregullator i këtij procesi do të jetë Ministria e Arsimit, e cila në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore ka përgatitur dhe finalizuar dokumentin e Kornizës së Politikës për Ri-sistemimin, ku parashikohet zbatimi i politikave sociale të Bankës Botërore në rastet e investimeve për ndërtimin e shkollave të reja në kuadër të këtij projekti. Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht dokumentin e Kornizës së Politikës për Ri-sistemimin në kuadër të projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”. Falë ndërtimit të objekteve të reja arsimore nga ky projekt, do të përfitojnë kompensim një sërë pronarësh në vend, të cilëve toka do t’u merret kundrejt pagesave të ndryshme që do të jenë në varësi të sipërfaqes së tokës që do të jepet.
Kompensimi
Në prag të nisjes së procesit kompensimit për ndërtimin e shkollave të reja, që do të shtrihet pothuajse në të gjithë territorin e vendit, ekspertët e Ministrisë së Arsimit kanë detajuar kategoritë e personave që do të preken nga ky projekt dhe kriteret e përfitimit të kompensimit. Risistemimi përkufizohet në politikën e Bankës Botërore si zhvendosje e banorëve, qira-marrësve, pronarëve, bizneseve dhe e aktiviteteve të tjera ekonomike të shkaktuara nga marrja e tokës me synim arritjen e objektivave të projektit. Çdo formë zhvendosjeje e pronarëve do të konsiderohet e pavullnetshme kur palët e prekura nuk mund të qëndrojnë në një vend, apo të ruajnë pronësinë a kontrollin mbi tokat e tyre. Zhvendosja e pavullnetshme mund të çojë në humbjen e strehës, pasurive ose aksesit ndaj pronave, në humbje të burimeve të të ardhurave ose të mjeteve të jetesës, në shpërbërjen e lidhjeve shoqërore, si dhe në vështirësi e varfëri.
Kategoritë
Mundësitë ekzistojnë që shpronësimi të kërkojë marrjen e tokës, duke sjellë edhe humbjen e saj apo të pasurive të ndryshme si edhe humbjen e strehimit dhe/ose burimeve të të ardhurave që marrin si bazë vetë tokën. Por Korniza e Politikës mbi Ri-sistemimin (KPR), do të marrë parasysh edhe ndikimin e mundshëm negativ që rezulton nga zhvendosja, nga humbja e strehimit dhe e pasurive. Personat e duhur, që gëzojnë të drejtën e përfitimit, përfshijnë pronarët, qiramarrësit dhe banorë të tjerë, të cilët kanë: titullin zyrtar të tokës; ata persona të drejtat e të cilëve ndaj pronës njihen me ligj; ata persona që nuk kanë të drejta ligjore formale të njohura ndaj tokës që kanë zaptuar. Në bazë të ligjit shqiptar, kompensimi për pasuritë e humbura (tokë ose pasuri të tjera) nuk mund t’ju paguhet njerëzve të cilët okupojnë tokën joligjërisht ose personave që kanë zënë ndërtesa pa lejet e duhura. Megjithatë, sipas politikës së Bankës Botërore dhe në bazë të KPR-së, njerëz të tillë gëzojnë të drejtën e kompensimit për pasuritë e humbura, me përjashtim të tokës. Për këtë arsye, MASH-i së bashku me autoritetet komunale apo bashki dhe agjenci të tjera do t’ju sigurojë asistencë, sipas rastit, banorëve të paligjshëm me synim që ata që të rinisin ose përmirësojnë standardin e tyre të jetesës.
Zhvendosja
Përvoja e ndjekur në Shqipëri deri më sot ka qenë zbatimi i legjislacionit ekzistues dhe kompensimi ndaj pronarëve privat me para në dorë. Kompensimi me të holla është në ato nivele që janë të mjaftueshme për zëvendësimin e tokës së humbur apo pasurive të tjera si dhe mbulimi i kostos së transferimit diku tjetër etj. Në pjesën më të madhe, njerëzit e prekur nga zbatimi i projektit, në qoftë se zhvendosen si të tillë, do të kalojnë në pjesë të tjera të tokës që tashmë zotërojnë apo do të blejnë tokë alternative diku afër. Në rastin e banorëve të paligjshëm, asistenca do të jepet nëse banorët mund të vërtetojnë se ata ishin të pranishëm në vendin e tyre para datës së ndërprerjes së aktivitetit të caktuar nga autoritetet, që zakonisht përkon me datën e përfundimit të regjistrimit të përgjithshëm. Gjithsesi para marrjes së vendimit përfundimtar për tokat që do t’u kërkohen pronarëve të ligjshëm ose jo, drejtuesit e Bankës Botërore do të kërkojnë që personave të prekur t’ju jepet mundësia të marrin pjesë në planifikimin e projektit që prekë ata. Termi “Palët e prekura” u referohet jo vetëm atyre që do të zhvendosen nga punimet e projektit, por edhe komuniteteve fqinje me to. Përveç dokumentimit të procedurave të shpronësimit, në momentin që niveli i punimeve publike bëhet i ditur, bashkia dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera të duhura duhet të zhvillojnë konsultime të hapura publike për të diskutuar mbi shpronësimin dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Personat e prekur do të këshillohen për opsionet dhe të drejtat e tyre. Përmbajtja dhe rezultatet e konsultimeve do të regjistrohen në protokoll i cili do t’i vihet në dispozicion ekipit të Bankës.

Përgatitja e planeve të ri-sistemimit

Ministria e Arsimit do të përgatisë një plan të shkurtuar risistemimi për çdo truall dhe do t’ia paraqesë atë Bankës Botërore për shqyrtim të paktën 3 muaj (90 ditë) para fillimit të punimeve fizike. Plani do të përfshijë seksionet e mëposhtme:
Historikun dhe përshkrimin e shesheve alternativë të shqyrtuar
Statusin ligjor të parcelës së përzgjedhur
Vendndodhjen dhe përshkrimin e truallit të propozuar me një skicë të punimeve te propozuara si dhe hartën e zonës së prekur
Anketën e regjistrimit të familjeve të prekura dhe vlerësimin e pronave
Konsultimet e dokumentuara me njerëzit e prekur
Afatet kohore (të lidhura me afatet kohore të ndërtimit)
Buxhetin dhe burimin e financimit
Përshkrimin e kompensimit dhe asistencës për risistemim që do të ofrohet
Procedurat e monitorimit dhe vlerësimit

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›