E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e Jashtme dhe Shkenca e Diplomacisë



Aleksandër Kokomani*

Adaptimi i shtetit ndaj sfidave në arenën ndërkombëtare është një nga temat më të debatueshme sot nga studiuesit e politikës së jashtme dhe të diplomacisë. Qeveria merr përsipër rolin e aktorit kryesor, e përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare dhe gjendet në korrent të të gjitha ngjarjeve transformuese.
Përzgjedhja e rrugëve të zhvillimit pas rënies së sistemit polar të luftës së ftohtë, rritja dhe prania e shtimit të proceseve integruese transnacionale janë probleme me të cilat është ndeshur komuniteti ndërkombëtar në fillimet e viteve 1990 dhe të mijëvjeçarit të ri. Këto fillime treguan se ato kishin një ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në politikën e jashtme dhe në diplomaci, por edhe në politikën e brendshme. Nga ana tjetër, kjo solli një debat aktiv lidhur me rikonceptimin e politikës së jashtme dhe të diplomacisë në vend.
Si rezultat, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, popullariteti i koncepteve dhe metodave teorike – praktike të diplomacisë së vjetër të Vestfalit dhe Postdam – Jaltës pësuan një erozion të fuqishëm. Në vazhdim të kësaj u propozua koncepti i “moshës kalimtare” së shoqërisë së sotme, në kornizat e së cilës janë ripunuar vlerësimet dhe analizat që vërehen sot në “tranzicionin global”. Këto parime më pas hodhën bazën e së ardhmes.
Transformimet më të thella të vërejtura në dekadat e fundit kanë ndodhur në Europë. Kjo sepse, së pari, niveli i kryerjes së integrimeve ndërnacionale me Bashkimin Europian (BE) është më cilësori dhe më i thelli për nga përmbajtja në krahasim me rajonet e tjera të botës. Së dyti, Europa ka përjetuar “vijën e demarkacionit” të Luftës së Ftohtë, të shoqëruar me lëvizje të brendshme serioze dhe me ndryshime gjeopolitike, që u pasuan me transformime në përfundim të saj. Këto procese sollën, si pasojë, shpërbërjen e federatave multi-nacionale e deri dhe konflikte të përgjakshme ndërkombëtare, shpallje të pavarësive, siç është rasti i Kosovës.

Këto ndryshime të politikës botërore në përgjithësi ishin indikatorë për Europën (pa përjashtuar Shqipërinë). E gjitha kjo përbën një rast të veçantë e interesant studimi, që lidhet me përfundimin dhe me qëndrimet kundërshtuese bipolare, në të cilat shumë vende europiane iu dha mundësia të zhvillonin një diplomaci të pavarur në politikën e tyre rajonale apo edhe globale. Për rrjedhojë, si rezultat i këtij evolucioni, ndryshoi dhe ideologjia e politikës së jashtme e diplomacia e vendeve, të cilat, jo vetëm reflektonin realitete te reja, por, në njëfarë mase, u bënë protagonistë të ngjarjeve. Në vijim të kësaj, futja e frymës së re të liberalizimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, që është karakteristike për vitet 1990, lanë gjurmët e tyre në ideologjinë e politikës së jashtme dhe diplomaci, ku zhvillimet e reja nën prizmin e detyrimit moralist dhe real të liberalizmit spostuan gjithnjë e më tepër konceptin e “balancimit” me atë të “botës europiane” apo “përgjegjësisë së re globale”,

* **
Qeveria e re nuk ka dalë nga vakuumi dhe, si e tillë, nuk do të funksionojë në vakuum. Por gjithkush mund të pyesë se çfarë mund të presë realisht Komuniteti Europian nga ne. Sa e parashikueshme do të jetë politika e saj e jashtme dhe sa efektive është diplomacia e saj e parë nga një këndvështrim i BE-së? Çfarë do të bëjë diplomacia për realizimin e interesave, lëvizjen e lirë nëpërmjet liberalizimit të vizave dhe miratimin e statusit për vendin kandidat në BE? Të gjitha këto dhe të tjera që rrjedhin prej saj, realiteti sot e ka të vështirë të gjejë përgjigje të shpejtë, pavarësisht se tashmë kemi një formë të ekonomisë multifunksionale të tregut dhe një “demokraci të stabilizuar”.
Megjithatë, në shoqërinë tonë ka ende një përplasje të ideve europiane, demokratike me frymën konservatore puniste, e cila ka mundur të mbijetojë në grupime dhe mentalitete të veçanta.
Atëherë shtrohet pyetja: çfarë mund ta ruajmë nga trashëgimia e së kaluarës? Natyrisht, këtu problemi duhet parë dhe riparë se çfarë duhet të ruhet nga trashëgimia e largët dhe e afërt. Nëse në to ka vlera të dobishme, ato të dyfishohen, në të kundërtën, çdo gjë pa vlerë të hiqet prej saj e të refuzohet. S’ka ç’na duhet një diplomaci nihiliste që historikisht nuk u ka shërbyer interesave kombëtare.
Diplomacia shqiptare pa dyshim është “koncentrat” i përvojës së diplomacisë nacionale dhe asaj botërore, vetëm se ky alternim duhet të jetë racional dhe i drejtë. Përvoja t’u përshtatet kritereve demokratike të vlerave dhe kapaciteteve. Përvetësimi i artit dhe shkencës së diplomacisë, siç mund të venë në dukje shumë specialistë, ende sot përbën një mangësi reale.

***

Stabiliteti. Këtu mendimi i opinionistëve ndahet kur debatohet rreth prioriteteve të politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit. Çfarë progresi në mentalitetet njerëzore duhet të bëjë komuniteti, që çdo kalim apo konceptim për një qeverisje të re të deshifrohet pa deformime dhe krisje? Sa kohë akoma do t’i duhet një shoqërie që të pranojë në qetësi dhe pa tronditje, reaksione të padëshirueshme dhe fenomene të këtij lloji?
Këtë gjendje të brendshme duhet ta përballojë dhe ta kuptojë politika për të gjetur më pas një zgjidhje, e cila të mos pengojë realizimin e detyrave të saj të politikes së jashtme dhe të vetë diplomacisë. Sa më tepër të rritet tensioni i një shoqërie brenda një vendi, aq më tepër shtohen edhe hamendjet e vendeve fqinje e më gjerë në aftësitë funksionuese të aparatit shtetëror dhe të krejt vendit, që do të thotë që ne të kthehemi ca vite pas.
Në qoftë se orientimi kryesor i politikës së brendshme, i ndikuar doemos edhe nga ndonjë faktor i jashtëm, sjell mos-stabilitetin, atëherë do të ishte e vështirë të përcaktohet se nga çfarë idesh do të udhëhiqej në kësi rastesh vetë diplomacia, kur deviza e saj është ende e papërcaktuar qartë, kur akoma udhëhiqemi nga aksioma “trashëgimi që nënkupton korrupsion” kur realisht duhet të jetë “rinovim dhe trashëgimi e vlerave më të mira kombëtare”.
Autoriteti i shtetit do të thotë besim në aftësitë e përmbushjes së detyrave dhe angazhimeve të marra para ndërkombëtarëve. Pa një respektim të normave ndërkombëtare diplomacia e politika do të jetë një politikë apo diplomaci jorespektabël. Obligimet në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare kryhet në kornizat e kësaj te drejtë të partneritetit, dypalësh dhe të interesit shumëpalësh në dobi të vlerave të veta kombëtare. Në të kundërtën, në marrëdhëniet midis shteteve do të mbizotërojë një kaos i vërtetë, i udhëhequr nga një grup aventurierësh apo piratësh të politikës së jashtme.
Në literaturën e politikës ndërkombëtare botërore dhe metodologjinë e diplomacisë kanë ndodhur ndryshime të dukshme, të cilat e ndajnë epokën e diplomacisë së sotme nga ajo e diplomacisë së Bismarkut etj.
Po t’u referohemi studimeve të H. Nikolsonit si metodën e vetë të re ai shpall metodën amerikane të dallueshme nga metoda e diplomacisë së vjetër - klasikja, ajo greke, italiane dhe franceze, “babanë e diplomacisë së re shpall Woodrow Wilson-in.
Themeluesi i shkollës së “realizmit politik”, XH. Morgentau (G. Morgenthau) mendon se në ditët tona diplomacia nuk po e përmbush si duhet me atë rol “shpesh të ndritur dhe gjithnjë të rëndësishëm…, aq sa ai shqetësohet për “rënien” dhe “zhvlerësimin” e diplomacisë bashkëkohore dhe në veçanti pasojat që rrjedhin kur nuk u kushtohet një aspekti të tillë siç është teknika e diplomacisë. Siç ka thënë Morgentau, shkenca e diplomacisë në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale bazohet në katër parime: Së pari, diplomacia duhet të përcaktojë qartë objektivat e saj duke u bazuar në potencialin që zotëron për arritjen e këtyre objektivave. Së dyti, diplomacia duhet të vlerësojë mirë objektivat e vendeve të tjera, fuqinë apo potencialin e që ajo disponon për arritjen e këtyre objektivave. Së treti, diplomacia duhet të përcaktojë se deri në çfarë mase janë të pranueshëm objektivat e partnerit me pikëpamje diametralisht të kundërta me ty. Së katërti, diplomacia duhet të shfrytëzojë të gjitha mjetet që ka në dispozicion, të afta për realizimin e këtyre objektivave.
Diplomacia ka në dispozicion tri mjete, të cilat janë: bindja, kompromisi dhe kërcënimi për përdorim force. Arti botëror i të bërit diplomaci në rrëfen se për të bërë një hap të drejtë në çdo moment mund të shfrytëzohet njëra prej mjeteve të sipërpërmendura që ka në dispozicion. Gabimet e diplomacisë dhe politikës së jashtme mund të mbulohen pas një perdeje të hekurt, të butë, bile edhe të një oratorie të përdorur enkas për këtë qëllim, sa që ndikimet e tyre negative do të mund të “qëndrojnë të mbyllura” për një kohë të gjatë. Me anën e një propagande të aftë ajo mund të pasqyrojë apo të kthejë këtë mossukses në një sukses të dukshëm. Lidhur me këtë L. Pirsonit shprehet: “Një diplomat i mirë mbetet edhe një propagandist i mirë apo e thënë ndryshe ai (diplomati) është përçuesi i mendimeve dhe pikëpamjeve të qeverisë së vet”. Në favor të rinovimit të metodave të diplomacisë, sipas Xhon Harrit (Harri John E.) vë theksin në metodat e diplomacisë tradicionale, të cilat kanë humbur efektin në kushtet edhe të situatave të reja të krijuara ndërkombëtare.
Politologu Xhon Stosinger shpreh dyshimin që “shumë prej aspekteve më pozitive të diplomacisë së vjetër janë pak të përdorshme, duke pasur parasysh edhe rritjen e shpejtë të teknikës dhe shkencës elektronike” sjell domosdo ndryshime radikale në mjetet e komunikimit dhe karakterin e diplomacisë”. Ky proces është i pakthyeshëm duke e bërë diplomacinë edhe më të hapur. Këtë vlerësim objektiv për të metat e vlerave që vërehen te diplomacia e hapur apo ajo sekrete interpretimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me situatën konkrete në të cilën ti ndodhesh.
D. Restonit shkruan se kategoria e pozicionimit në diplomaci si edhe në jetën e përditshme, me kalimin e kohës ndryshon. Diplomacia klasike zhvillohej prapa dyerve të mbyllura të kancelarive dhe kërkonte profesionalizëm, mjeshtëri dhe përpikëri. Sot diplomacia tregohet në TV dhe komentohet prej gazetarëve.

Përzgjedhja e personelit në diplomaci. Diplomacia e salloneve me përfaqësuesit e saj nga aristokracia mondane dallohet shumë nga figura më pak tërheqëse e diplomatit që përfaqëson korporatën e “thesit me para” që në vend të shkëlqimit rrezaton varfëri mendimi dhe gjykimi. Diplomati i madhe turk, Jakup Kadri Karaosmanogli (ambasador në disa shtete si Shqipëri, Zvicër, Holandë dhe Iran) do të shkruante: “Diplomacia, sipas prejardhjes, nga kuptimi i pasurisë, lidhjeve dhe mbrojtja nga politika qeveritare, parlamentare apo e sferave bankare, ka sjellë dhe do të sjellë mbyllje e portave për shtresat më demokratike të popullit”.
Talleyrand, njëri prej korifenjve të “diplomacisë klasike”, në traktatin mbi karrierën diplomatike veprimtarinë e diplomacisë e ndan në dy kategori: në të parën futen të gjithë ata që i përkasin shkollës klasike. Te kategoria e dytë karakterizohen rrymat bashkëkohore. Më tej në “Librin e bardhë” që qeveria angleze ka botuar dekada më parë pranohet në mënyrë kritike që
shërbimi diplomatik është mbushur me personel, të cilët i përkasin një rrethi të ngushtë personash dhe që kanë si qëllim përfaqësimin e interesave vetëm të një shtrese të ngushtë të popullsisë dhe jo të të gjithë vendit, në interesin që përfaqësuesit e këtij shërbimi bëjnë një jetë të mbyllur për një shërbim të kësaj natyre. Njohuritë e tyre janë të pamjaftueshme në fushën e ekonomisë e shkencave, që atyre u mungon arsimimi dhe eksperienca përkatëse, për një konceptim të drejtë të atyre problemeve, të cilat për vendet me demokraci të kërcënuar si Shqipëria, që për fat të keq, miratimin e ndryshimit të ligjit për statusin e nëpunësve e ka ndryshuar duke u bazuar në spektrin politik. Spastrimet masive që vijuan pas kanë dëmtuar jo pak institucionin e politikës së jashtme, por edhe strukturat e saj. Për kuadrot e diplomacisë shqiptare, po marr vetëm rastin e një grupi për vitet 1994-1998, Ministria e Punëve të Jashtme u ka akorduar për një periudhë prej 30 vjetësh bursa, për të cilat janë harxhuar miliona dollarë në vendet më të zhvilluara të Europës. Kjo tablo bëhet edhe më tronditëse kur e sheh këtë personel që janë zëvendësuar me individë që nuk plotësojnë kërkesën normative e pastaj morale të punonjësve të MPJ-së, si: kualifikimi dhe grada.
Pas këtyre viteve u liruan nga detyra përveç diplomatëve të gjitha rangjeve , por edhe atasheu tregtarë-ekonomik po ashtu edhe ata ushtarak. Në vend te tyre u morën kioskaxhinjë apo tregtarë ambulantë pa asnjë lloj kualifikimi përkatës.

Ndryshe nga ç’flitet, që nga viti 1998, çdo lëvizje udhëhiqej nga vektori i interesit dhe e shitblerjes së vendeve të punës.

-------------

*) Autori i publikimit është specialist në politikën e jashtme dhe diplomaci në gradën shkencore “Master” dhe “Doktorant”

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›