Vasili: ”Do të pezullohen mjekët pa kualifikim”
Mjekët e pakualifikuar do të pezullohen nga puna, nëse nuk kanë certifikuar njohuritë profesionale. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili deklaroi se mjekët që nuk kanë kualifikimin dhe njohuritë e duhura do të pezullohen nga vendi i punës. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, shumë ngjarje të pakëndshme ndodhin për shkak të paaftësisë së mjekëve, ndaj theksi i duhet vënë kualifikimit të tyre. “Sado që të përmirësojmë infrastrukturën, problem do të mbeten mjekët e paaftë. Pas kontratave me ISKSH-në do të jetë i detyrueshëm kualifikimi i tyre”,- u shpreh Vasili.
Prandaj shumë shpejt të gjithë mjekët do t’i nënshtrohen një testimi mbi kualifikimin e tyre. Mjekët që nuk arrijnë të certifikohen do të largohen nga puna. Vasili u shpreh se mjekët që kanë lënë librat nuk mund të ofrojnë shërbim për pacientët. Të gjithë mjekët do të duhet të kryejnë trajnime dhe kualifikime të vazhdueshme në mënyrë që të mund të kalojnë testimin e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë. Çka presupozohet se do të rrisë nivelin e kualifikimeve dhe praktikave në punë. Njëkohësisht do të shërbejë për njohjen me zhvillimet e reja të shëndetësisë botërore. “Njerëz të pakualifikuar dhe pa nivelin e duhur të dijeve për të ofruar nivelin shëndetësor, sigurisht nuk do të kenë më vend në sistemin tonë shëndetësor. Ky kualifikim i detyrueshëm i vazhduar do të jetë pjesë e kontratave të punës në mënyrë ligjore dhe të gjithë ata që nuk do të plotësojnë këtë pjesë, të certifikimit të dijeve të tyre në një periudhë kohe të caktuar sigurisht do të shkohet më tej me ndërprerjen kontratave të tyre dhe hapjen vend të të gjithë mjekëve të kualifikuar, të cilët ofrojnë shërbim cilësor ndaj pacientëve”,- deklaroi Vasili.
Do të jetë Qendra e Edukimit të Vazhdueshëm, e cila me anë të dokumentit bazë të miratuar do të bëjë certifikimin e bluzave të bardha në vend. Kërkesat mbi kualifikimin dhe dijet e mjekëve parashikohet të jenë të veçanta për çdo sistem atë primar, në spitalet rajonale dhe qendrore. Pjesë e kontratës është dhe mënyra sesi verifikohen dijet e tyre, e cila konsiderohet vetëm si një provim, por do të vlerësohen dijet e tyre, pjesëmarrja në aktivitetet e mëdha shkencore etj. Sipas Vasilit, ky është një sistem vlerësimi kompleks jo vetëm me një element, por që në fund të tregojë që një mjek e ka kualitetin e duhur për t’u shërbyer pacientëve. Këtij vlerësimi i cili pritet të nis brenda vitit, do t’i nënshtrohen të gjithë ata që operojnë në sistemin shëndetësor shqiptar, si mjekët ashtu edhe infermierët stomatologët apo farmacistët.
Kushtet
Spitali i Fierit në gjendje të mjerueshme
Spitali Rajonal i Fierit është në gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së shërbimeve dhe ambienteve ku punohet. Ambientet e brendshme nuk i ngjajnë aspak një institucioni që duhet të dallojë nga higjiena dhe përkujdesja. Godina është thuajse tërësisht e amortizuar me ambiente ku mungon ndriçimi, mure me lagështirë dhe tavane gjysmë të rrëzuara. “Jemi të ndërgjegjshëm për kushtet e spitalit, por edhe ato fonde që na ishin premtuar nuk na u dhanë”,- shprehet Najada Nahiqi, Drejtoresha e Spitalit
Në këtë spital mungojnë disa prej shërbimeve bazë. Qytetarët sorollaten prej 9 -muajsh për shkak të daljes jashtë funksionit të aparaturës së radioskopisë. Spitali nuk ka kuzhinë të vetën, por për momentin shfrytëzon atë të maternitetit. Përveç mangësive ajo që nuk mund të shihet është vetëm menuja e ditës. Për ta servirur tek të sëmurët, punonjëseve u duhet të përshkojnë një distancë prej 300 metrash duke kaluar mes turmës së njerëzve. Premtimi për ndërtimin e një spitali të ri, ka bërë që në godinën aktuale të mos vihet dorë prej vitesh.
7 Tetor 2009