Ministria e Shëndetësisë i dërgon 28 kërkesa për kurim palës
Emanuela Sako
Rreth 28 pacientë janë në pritje të pohimit të Ministrisë së Shëndetësisë greke për t’u kuruar në shtetin fqinj. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se deri tani në shtetin grek kanë shkuar për kurim 20 pacientë. Kufiri maksimal i pranimeve në bazë të marrëveshjes është 25-30 pacientë në vit. Këta pacientë u janë nënshtruar procedurave përkatëse dhe kanë paraqitur kërkesën për sëmundjet që janë në listën e marrëveshjes së bërë mes dy palëve. Përsa i përket pranimeve të bëra nga Turqia, ato janë ezauruar që në muajin qershor me 100 pacientë, që është kufiri maksimal i parimeve. Ende nuk është bërë një marrëveshje zyrtare për pranime shtesë nga Ministria e Shëndetësisë Turke me atë Shqiptare. Ndërkohë që, në muajin qershor MSH-ja bëri të ditur se kishin shkuar 105 pacientë, ku 100 ishin për në Turqi.
Arsyet
Vitin e kaluar ndodhi e njëjta situatë, ku pas muajit shtator numri i pacientëve u ezaurua dhe asnjë pacient nuk mundi të shkojë jashtë vendit pas kësaj date. Kërkesat e paraqitura pas muajit shtator, u shqyrtuan gjatë këtij viti dhe u dërguan për kurim në një nga dy vendet që kishin kryer aplikimin. Kjo është një nga arsyet që numri i pacientëve u plotësua në një kohë të shkurtër. Përveç kërkesave të shumta që ka këtë vit, janë ato të mbarturat që krijuan këtë distancë të gjatë. MSH-ja ka marrëveshje për dërgimin e pacientëve me Greqinë dhe Turqinë. Ndërsa, ekzistojnë marrëveshje të tjera bashkëpunimi me disa vende të tjera. Por kjo ndodh më tepër në rastet e emergjencave. Ndërsa ekzistojnë marrëveshje për fëmijët, siç është ajo me Vatikanin, apo me Gjermaninë. Bashkëpunimi me MSH-në e Turqisë parashikon kurimin e 100 pacientëve shqiptarë në vit. Në kuadër të marrëveshjes për vitin 2009, shteti grek e ka kufirin e pranimit deri në 30 pacientë. MSH-ja ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë edhe me Spitalin Pediatrik “Bambino Gesu” në Romë, ku në vit parashikon kurimin e 5 pacientëve Shqiptarë në moshë të mitur. Rastet e trajtuara në këtë spital kanë qenë raste me leucemi akute.
Sëmundjet
Në dy marrëveshjet e para, rastet që nuk janë marrë në konsideratë janë rastet e leucemisë, transplantimit të veshkave, transplantimit të mëlçisë, transplantimi i kornesë dhe ndonjë diagnozë tjetër që kërkon trajtim të zgjatur. Ndërsa mjaft raste të tjera të sëmundjeve të rënda janë trajtuar vazhdimisht në bazë të marrëveshjeve. Ministria e Shëndetësisë ka detyrë që t’u krijojë pacientëve të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase. Një pjesë e pacientëve vendosin të shkojnë me shpenzimet e veta për kurim jashtë vendit. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t’u mundësuar lehtësimin e vizave. Të gjithë pacientët që rezultojnë me ndonjë nga sëmundjet e përcaktuara në listën e hartuar nga MSH-ja, shteti shqiptar i ndihmon për t’i nisur në njërin nga shtetet pritëse.
Dokumentacioni për pacientët që duan të shkojnë për kurim jashtë vendit
Për pacientët që kërkojnë kurim falas në bazë të marrëveshjeve janë të nevojshme këto dokumente:
Epikrizë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Vendim Komisioni Ndërspitalor në QSUT
Këto dy dokumente, në rastin kur shkojnë në Turqi duhen të përkthyera dhe të noterizuara në anglisht, ndërsa për rastet që shkojnë në Greqi, të përkthyera dhe të noterizuara në greqisht
Për pacientët që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada janë të nevojshme këto dokumente:
Epikrizë nga Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza”
Dokumentacion që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do të shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit
Garanci bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë)
Këto janë dokumente që kërkohen nga ana jonë për të lëshuar Notën Verbale. Më pas bashkë me dokumentet e tjera që çdo ambasadë kërkon paraqiten për marrjen e vizës
7 Tetor 2009