E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, percaktohen datat se kur do të nisin të gjitha programet e studimit



Jonida Tashi

Përcaktohen datat e nisjes së të gjitha programeve të studimit në universitetet publike të vendit. Ministria e Arsimit ka miratuar në ditët e fundit të muajit shtator strukturën e vitit akademik 2009-2010 në universitetet publike si dhe masat që duhet të merren për zbatimin e saj. Udhëzimi për strukturën e re të vitit akademik iu është përcjellë tashmë edhe universiteteve publike të vendit, drejtuesit e të cilëve në bazë të datave të vendosura nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, duhet të marrin të gjitha masat që studimet e cikleve të ndryshe të fillojnë brenda afatit të caktuar.
Datat
Studimet e ciklit të parë me kohë të plotë do të jenë si gjithmonë programet që do të hapin vitin e ri akademik në universitete. Ministri i Arsimit ka vendosur që këtë vit, dyert e universiteteve të hapen për të pritur studentët e rinj dhe të vjetër në fillim të javës që vjen, që përkon me datën 12 tetor, për të përfunduar më 30 shtator të vitit 2010. Sakaq, në të njëjtën datë me studimet e ditës do të nisin edhe programet e integruara të ciklit të dytë (Diploma e Integruar e Nivelit të Dytë), me kohë të plotë. Vetëm një javë pas hapjes së studimeve të ditës, do të fillojë mësimi për programet e studimit të ciklit të dytë. Konkretisht për këto lloj studimesh, Tafaj ka vendosur që viti akademik në universitetet publike për programet e studimit të ciklit të dytë, ku përfshihen Diploma të Nivelit të Dytë (DND), Master i Nivelit të Parë (MNP) dhe Master i Nivelit të Dytë (MND) me kohë të plotë, të fillojë në datën 19 tetor 2009 dhe të përfundojë në datën 30 shtator 2010. Periudha 24 dhjetor 2009, deri më 3 janar 2010, do të jetë periudhë pushimesh për të gjithë studentët.
Informimi
Kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj ka urdhëruar drejtuesit e universiteteve që brenda periudhës tetor-nëntor 2009, të informojnë studentët e të tre cikleve të studimit për organizimin e studimeve, rreth objektivave dhe kërkesave të “Deklaratës së Bolonjës”, për Ligjin Nr.9471, datë 21.05.2007 “Për Ligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe për aktet e tjera nënligjore në fuqi. Pas kësaj, universitetet, brenda datës 9 nëntor 2009, duhet të njohin studentët në të tre ciklet e studimit me pjesët e statutit që përcaktojnë treguesit e programeve të studimit, rregulloren mësimore të institucionit dhe rregulloren e programit të studimit, në të cilin ata janë regjistruar. Po ashtu, brenda datës 26 nëntor 2009, universitetet duhet të kenë mbaruar procesin e pajisjes së studentëve të vitit të parë me numrat e matrikullimit.

Organizimi i studimeve

Rregullorja mësimore e institucionit përcakton gjithashtu aspekte të organizimit dhe administrimit të veprimtarive mësimore të përbashkëta për programet e studimit, si: kriteret specifike të pranimit të studentëve në programet e studimit; objektivat, afatet dhe mënyrat me të cilat strukturat përgjegjëse akademike parashikojnë kolegjialisht programimin e veprimtarive të ndryshme formuese, koordinimin dhe verifikimin e rezultateve të tyre; procedurat për ndarjen e detyrimeve mësimore vjetore kategorive të personelit akademik; procedurat për zhvillimin e provimeve apo formave të tjera të kontrollit përfundimtar të dijeve të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese, e kontrolleve të pjesshme të dijeve, si dhe të paraqitjes e diskutimit të tezës së diplomës; modalitetet për dhënien e diplomave; kriteret dhe procedurat për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga studentët që kërkojnë të transferohen apo t’ju njihen dije të fituara më parë të pas shkollës së mesme; organizimin e plotësimit të debiteve formuese para hyrjes në një program studimi të ciklit të dytë; organizimin e shërbimit për koordinimin e aktiviteteve orientuese për nxënësit në bashkëpunim me shkollat e mesme, si dhe shërbimin për çdo program studimi të kujdestarisë (tutoratit) për studentët; vlerësimin e cilësisë së të gjitha veprimtarive të kryera; format e publikimit të procedurave të ndryshme dhe vendimeve të marra; modalitetet e caktimit, për çdo veprimtari, të strukturës apo personit që mban përgjegjësi, etj.

Kreditet sipas studimeve

Universitetet caktojnë për çdo disiplinë/lëndë një numër të përshtatshëm kreditesh, duke evituar ndarjen në pjesë të vogla/copëzimin, e veprimtarive formuese. Për çdo program studimi të ciklit të parë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 22 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese, duke realizuar provime të integruara për më shumë se një disiplinë apo module të koordinuara. Në këto raste, lektorët (titullarët) e këtyre disiplinave bëjnë vlerësim kolegjial të studentit, sipas modaliteteve të parashikuara në rregulloren mësimore të institucionit. Për çdo program studimi të ciklit të dytë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 14 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese.
Për programet e integruara të ciklit të dytë, nuk mund të parashikohen në total më shumë se 35 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese. Rregullorja mësimore e institucionit përcakton edhe modalitetet dhe formën e dhënies së Suplementit të diplomës, në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë apo programeve të integruara të ciklit të dytë, si dhe të programeve Master i Nivelit të Dytë.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›