Ministria e Arsimit jep 1600 bursa për nxënësit e arsimit të mesëm dhe atij profesional
Ministria e Arsimit jep 1600 bursa për nxënësit e arsimit të mesëm dhe atij profesional për vitin shkollor 2009-2010. Ministria e Arsimit bën të ditur se këtë vit do të akordohen bursa të plota për të gjithë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale në degë prioritare si Bujqësi, Veterinari, Ndërtim e Pyje. Gjithashtu, sipas MASH-it, qeveria do të mbulojë me bursë të gjithë nxënësit e vitit të parë që do të vazhdojnë mësimin e shkollave profesionale dhe vijnë nga 16 rrethet verilindore dhe juglindore, si më poshtë. Sipas politikave të MASH-it, dhënia e bursave dhe zbatimi i paketës nxitëse përbën një garanci për rritjen së numrit të nxënësve me qëllim që arsimi profesional të përshtatet më mirë me tregun e punës. Ministria e Arsimit pohon se gjatë mandatit të dytë qeverisës, drejtimet kryesore për realizimin e objektivave programore të qeverisë do të jenë ndër të tjera: Thellimi i reformës kurrikulare; Sigurimi i infrastrukturës moderne, për të mundësuar lidhjen e mësimdhënies teorike me formimin praktik të nxënësve; Shtrirjen e këtij sistemi në të gjithë vendin; Kualifikimin e mësuesve; Si dhe ofrimin e një pakete nxitëse, që do të ndihmojë nxënësit për masivitetin në këtë sistem.
Arsimi profesional, 16 rrethet që do të përfitojnë bursa
Tropojë
Has
Pukë
Kukës
Dibër
Bulqizë
Mat
Mirditë
Librazhd
Gramsh
Kolonjë
Përmet
Skrapar
Tepelenë
Tirana Rreth
Malësia e Madhe
7 Tetor 2009