Projekti për kaskadën e Devollit është konsideruar si më i madhi në Evropë në fushën e energjisë elektrike ujore

Kuvendi miratoi dje në punimet e seancës plenare projektligjin “Për miratimin e kontratës së konçensionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, sh. a., si bashkë konçensionarë, për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë”. Projekti për kontratën e konçesionit për kaskadën e Devollit është konsideruar si më i madhi në Evropë në fushën e energjisë elektrike ujore. Ai parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve, përfshirë hidrocentralin e Banjës në kaskadën e lumit Devoll, sipas një sistemi që bazohet në ndërtimin e 60 kilometrave tunel, i cili do të shmangë pasojat e sedimenteve të shumta që sjell ky lum. Kompanitë partnere do të planifikojnë dhe ndërtojnë tre hidrocentrale me rezervuar, prodhim, dhe në kohë piku me kapacitet prej rreth 340 MË dhe një prodhim mesatar prej rreth 1.000 GWh. Tre hidrocentralet që do të ndërtohen, janë, Lozhan-Grabovë me fuqi 173 MË, Skënderbegas-Driza, me fuqi 138 MË dhe Banjë me fuqi 28 MW.
Projekti me një investim prej rreth 1 miliard euro, siguron shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll, çka përbën epërsinë më të madhe të tij. Kompanitë austriake EVN dhe ajo norvegjeze “Stratkraft”, që së bashku zotërojnë 250 HEC-e dhe impiante energjie në Evropë, që arrijnë një xhiro vjetore prej dhjetëra milionë euro, kanë krijuar kompaninë që do të jetë subjekt i ligjit shqiptar, sipas kërkesave të ligjit. Gjatë fazës së ndërtimit dhe operimit do të punësohen rreth 8,000 veta dhe do të paguhen rreth 250 milion Euro paga. Projekti do të sjellë një investim prej rreth 1 miliardë euro në energjetikë, nga të cilat, 800 milionë euro do të shpenzohen në Shqipëri. Kontrata konçensionare për kaskadën e lumit Devoll u nënshkrua nga qeveria shqiptare dhe kompanitë EVN AG dhe Statkraft AS, më 20 Dhjetor të vitit 2008. Nëpërmjet kontratës, investitorëve të huaj ju dha e drejta që të zhvillojnë projektin e hidroçentralit në lumin Devoll në Shqipëri.
...