Kryeministri Berisha mori pjesë në meshën e mbajtur në Katedralen e Shkodrës, në nder të Imzot Zef Simonit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në meshën e mbajtur në Katedralen e Shkodrës, në nder të Imzot Zef Simonit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. E pranishme në nderimet e lamtumirës së fundit për Imzot Zef Simonin ishte dhe Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli.
Kryeministri i shprehu ngushëllimet e tij dhe të qeverisë shqiptare familjes së Imzot Zef Simonit dhe gjithë Ipeshkvisë, duke vlerësuar se humbja e Imzot Zef Simonit është një humbje e madhe për gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. Kryeministri tha se Imzot Zef Simoni ishte një martir i vërtetë i lirisë dhe kishës, një intelektual i shquar i kombit tonë, i cili i përket asaj plejade të meshtarëve shqiptarë, të cilët, njësoj si krishti u kryqëzuan për vlerat hyjnore dhe u ringjallën sepse meritonin ringjalljen.
Fjala e kreut të qeverisë
“Sot është një ditë zie për të gjithë ne, është një ditë zie për botën shpirtërore, ditë zie për kombin, është një ditë e dhimbshme dhe zie për vëllain dhe për motrën e Imzot Zef Simonit. Ne ndahemi sot nga një meshtar epik, nga një bari epik i kishës, nga një martir i vërtetë i lirisë dhe kishës, nga një intelektual i shquar i kombit tonë.
Imzot Zef Simoni ndahet i lumtur nga ne, nga Shkodra që e deshi kaq shumë, nga kombi i tij, sepse ai ia doli që, me jetën dhe përkushtimin e tij, të ndjejë, të përjetojë rrugën e Krishtit. Ai i përket asaj plejade të meshtarëve shqiptarë, të cilët, njësoj si krishti u kryqëzuan për vlerat hyjnore, u ringjallën sepse meritonin ringjalljen.
Shumë nga ne kemi qenë këtu 16 vjet më parë, në prill të viti 1993, kur Papa Gjon Pali II, ky mik i madh i kombit tonë, shuguroi Imzot Zef Simonin dhe 3 meshtarë të tjerë të kishës sonë. Disa orë më vonë do të gjendesha me Atin e Shenjtë në një dhomë, së bashku me familjen time, në rezidencën presidenciale. Iu drejtova me fjalët se kjo ishte një vizitë e shkurtër e tij, por shumë intensive. Ndërsa ai m’u përgjigj se për të kjo ishte një ditë ringjalljeje, sepse kjo Katedrale e bukur që gjatë regjimit diktatorial u ndalua, atë ditë u konsakrua sërish si Katredale dhe se meshtarët e kishës që unë shugurova sot ishin të ringjallur. Prandaj vërtetë ajo qe një dite ringjalljeje. Ndaj Imzot Zef Simoni ndahet nga ne i lumtur.
Ne të gjithë duhet t’i drejtojmë një falënderim të madh për nderin e madh që i bëri në radhë të parë vetes së tij, familjes, Shkodrës dhe mbarë kombit. Ai na ka lënë nder të gjithëve. Le të lutemi për shpirtin e tij, që të gjejë paqen e amëshuar.
Edhe njëherë, ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të qeverisë shqiptare për familjen e Imzot Zef Simonit, por dhe për Ipeshkvinë, meshtarët, ipeshkvit, për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe “mbarë qytetarët shqiptarë”.
Imzot Zef Simoni ishte një ndër klerikët më të njohur shqiptarë, i cili u shqua për rezistencën e tij të madhe kundër regjimit komunizmit, kohë në të cilën ai u persekutua dhe vuajti dënimet në burgjet dhe kampet e internimit.. Ai u shugurua nga Papa Gjon Pali i dyte, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ne muajin prill të vitit 1993.
...