E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë dhe miqësor një përfaqësi të kabinetit qeveritar të Kosovës, ministrat Fatmir Limaj, Ministër i Transporteve, Ahmet Shala, Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zhargu , Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, të cilët shoqëroheshin nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula.   

Zoti Limaj që kryesonte delegacionin i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu dhe i dorëzuan Kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet rreth portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror.  

Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës ndodheshin në Shqipëri për t`i dorëzuar Kryeministrit Berisha letrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi,  për krijimin e një grupi ndërministror të përbashkët për të shqyrtuar procedurat për ndërtimin e një porti në Shqipëri që do të ketë destinacion Kosovën. 

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen grupit të ministrave të Kosovës dhe u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet  një port për të plotësuar nevojat e saj. 

Të dyja palët diskutuan gjerësisht mbi nevojën e një studimi mbi zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës.  Gjithashtu u theksua se rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me detin Adriatik dhe pas mbarimit edhe të portit distancën e Kosovës me tregun e gjerë evropian.

Kryeministri u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare ndjekin me vëmendje dhe admirim zhvillimet pozitive në Kosovë, të cilat po e çojnë Kosovën drejt një konsolidimi të sigurt të pavarësisë të shtetit ligjor dhe duke konsoliduar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon. 

Kryeministri Berisha u shpreh se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë në mënyrë të përbashkët gjithmonë e më shumë drejt hapave të integrimit dhe njësimit të praktikave në fusha të ndryshme për tu krijuar sa më shumë lehtësi qytetarëve të tyre. 

Lidhur me këtë grupi i përbashkët ndërministror duhet të shohë mundësinë e bashkëpunimit edhe në fushën energjetike për ndërtimin e burimeve të përbashkëta të energjisë, lidhjes hekurudhore, njësimit të programeve arsimore dhe kulturore, në projekte të përbashkëta në impiantet e turizmit malor në Alpet e Shqipërisë duke u ndalur veçanërisht në krijimin e një rrjeti të pikave të përbashkëta të kontrollit doganor për të rrëzuar kështu pengesat burokratike në lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. 

Ministrat e Kosovës falënderuan Kryeministrin Berisha për prioritetin dhe vlerësimin e lartë që i dha projektit aq të rëndësishëm për Kosovën për të dalë në detin Adriatik, si dhe i shprehën edhe njëherë mirënjohjen për kontributin personal të tij në pavarësinë e Kosovës që pati ditëlindjen e saj para pak ditësh. 

Me këtë rast ata i dorëzuan kryeministrit Berisha një dhuratë të veçantë të Kryeministrit Thaçi një bust  bronzi të artistit kosovar Luan Mulliqi me titullin “Kjo tokë ka zot” që pasqyronte komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.    

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›