Nisën sot në komisionin parlamentar të ekonomisë diskutimet për P/Ligjin e auditimit ligjor
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi sot p/ligjin "Për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar". Sipas ekspertëve të ministrisë së Financave, hartimi i këtij p/ligji bëhet në vazhdim të reformave institucionale që po ndjek qeveria në kuadrin e zbatimit të hapave strategjikë të marrëveshjes së stabilizim-asociimit, me qëllim standardizimin e auditit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por edhe mbi mbikqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. "Ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar", u shpreh drejtorja Juridike pranë ministrisë së Financave, Lindita Rusmali. Sipas saj, p/ligj parashikon dispozitat që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël, të shoqërive të auditimit, si dhe profesionin e kontabilistit të miratuar si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushen e kontabilitetit.
...