Qeveria akordon 4 milion lekë për restaurimin e shtëpisë muze të piktorit Vangjush Mio
Shtëpia muze e Piktorit të Popullit Vangjush Mio në qytetin e Korçës, do të restaurohet pjesërisht me një fond prej 4 milion lekë që buxheti i shtetit ka dhënë nëpërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtori i degës së Monumenteve të Kulturës në Korçë, Theodhor Theodhori, tha se "nga buxheti i shtetit janë dhënë për mirëmbajtjen e këtij monumenti kulture 4 milion lekë dhe brenda muajit Mars do të fillojë puna për restaurimin e ndërtesës". Projekti i restaurimit përfshin riparimin e plotë të çatisë së ndërtesës, rregullimin e kalldrëmit të oborrit të saj, riparim dyersh e dritaresh si dhe suvatime të jashtme. Ky është restaurimi i dytë, pas atij të kryer në vitin 1990-të, në shtëpinë muze të Piktorit të Popullit Vangjush Mio. E gjithë ndërtesa është e mbulluar me tjegulla vendi, dhe në restaurimin e parë është ruajtur stili dhe materiali i përdorur për ndërtimin e saj. Edhe në këtë restaurim të dytë, sipas Theodhorit, synohet që të ruhen veçoritë që ka kjo godinë karakteristike. Banesa e quajtur "Mysafirhania e Vangjush Mios" është ndërtuar në periudhën e Rilindjes, në vitet 1831-1912. Ajo është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1977 për vlerat arkitektonike, historike e kulturore të qytetit të Korçës dhe më gjerë. Ndërtesa e ngritur në qëndër të qytetit, pas Katedrales ortodokse, është dy katëshe, me mur guri dhe fugaturë. Oborri i saj është i rrethuar me avlli të lartë, ndërsa dyert dhe dritaret janë të gjitha prej druri. Banesa ka shkallë guri të jashtme dhe shkallë të brendshme druri me parmakë. Në pjesën qëndrore, në katin e dytë, banesa ka esker ( e dalë) në formë katrore, karakteristikë kjo e Periudhës së Rilindjes, të cilën e trashëgojnë edhe mjaft ndërtesa të tjera në qytetin e Korçës. Një pjesë e godinës muze të Piktorit të Popullit Vangjush Mio (1891-1957) funksionon si banesë dhe pjesa tjetër si muze, i cili është i vizitueshëm nga mjaft turistë vendas dhe të huaj. Në pjesën e muzeut janë të ekspozuara veprat e piktorit impresionist korçar Vangjush Mio. Janë rreth 40 piktura në vaj, peizazhe, natyra të qeta, nudo si dhe shumë vizatime që shquhen për stilin e tyre të veçantë të punimit nga mjeshtri i penelit korçar. Ato që ruhen në fondin e muzeut të familjes së tij.
...