“Dy Rrugët” e Kol Idromenos, pse kryevepra u la në harresë
Skenat dhe kostumografia te “Dy Rrugët” ose “Paradise & Hell” shqiptar të Idromenos, janë edhe lartësia më e madhe e ndonjë tabloje të modelit religjonar, por që artisti i madh i ka jetësuar kaq shumë dhe kaq bindshëm, sa që edhe në ditët e sotme kanë pjesën e të vërtetës brenda një realiteti shqiptar. Piktura e madhe dhe tabloja gjithëpërfshirëse në vetvete nuk janë promovuar, nuk janë ekspozuar dhe ndoshta dhe jo vlerësuar, sepse koha dhe parimet shpesh herë jo të hapura, jo përparimdashëse dhe qytetërimdashëse nuk kanë lejuar. Kjo pikturë është anashkaluar për dekada nga regjimi komunist, madje ai ka dashur ta përdorë, edhe pse nuk ka mundur të bëjë një interpretim të saj, me anën e “Muzeut Ateist” famëkeq në Shkodër. Kjo vepër është një frymëzim Dantesk i Idromenos, por është një vepër e jashtëzakonshme e një realiteti kulturor, etnografik në sajë të kostumografisë gjigante që ka dhe normalisht religjonare, por dhe social-civilizuese për mesazhin dhe moralin që tregon.
Por sot në “Muzeun Historik të Shkodrës” është një nga veprat më të larta ideore të Kol Idromenos, piktorit, arkitektit dhe urbanistit, por edhe muzikantit dhe fotografit shkodran. Talenti i tij në të vërtetë është shfaqur në tablonë “Dy Rrugët”, e cila është pronë e Muzeut të Shkodrës dhe si pasojë e bashkisë së këtij qyteti,vepër e cila ka lindur rreth viteve 1890 dhe përmasat e saj janë 200 X 170 cm. Në fakt të dyja tablotë mund të quhen “Paradise end Hell”, sepse tregojnë rrugët dhe ndarjen e njerëzve drejt Parajsës dhe Ferrit. Por çfarë ka ndodhur te Idromeno rreth viteve 1891-‘92, kur e ka filluar këtë punë gjigante për nga përmasat e saj dhe sasisë së individëve, kostumeve dhe skenave që kjo tablo paraqet? Ka ndodhur ajo që autori, por edhe kisha në ato vite, kishin zbuluar dhe tashmë mërzitur shumë, nga një lloj amoraliteti shoqëror dhe tendenca është moralizimi, kthimi në rrugën e drejtë, por edhe qytetërimi, dhe largimi nga jeta turkoshake apo më mirë të themi nga dembelizmi dhe padituria në rrafshin masiv. Pra, kemi të bëjmë me kritikën reale ndaj veseve dhe modelit të jetës në atë kohë, dhe jo vetëm në fshat, por edhe qytet. Në tablonë e madhe “Dy rrugët” ndihesh si në një skenë teatri dhe patjetër në Shkodër. E konceptuar si “Parajsa dhe Ferri”, ndarja e kalimit të turmës në dysh, njëra te “Porta e Ferrit” në pjesën e poshtme të tablosë, dhe tjetra më e rrallë në personazhe, që futet në “Purgator” dhe më vonë në “Parajsë”, është e vendosur në pjesën e sipërme. Por në fakt në Parajsë shkohet si në rrugën e Kalasë së Shkodrës. Idromeno ka vendosur të njëjtit gurë, të njëjtën zigzage, dhe po ashtu të njëjtin ndriçim diellor dhe hyjnor që ka “Rozafati”. Kurse “Ferri” i Idromenos është i detajuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk është i tmerrshëm, përveç fundit të tij, ku djajtë i hedhin mëkatarët me anën e shqytave në zjarr. Përkundrazi, natyra është tepër e bukur dhe jeshile. Është sërish natyra e jashtëzakonshme e Shkodrës, po ato çinare dhe po ato livadhe jeshilë si në Shkodër.
Ngjyrat dhe kostumografia janë të mrekullueshme. Mbi 20 lloje kostume burrash dhe grash, por edhe fëmijësh, janë detajuar qartë në këtë turmë laramane. Janë vitet e fundit të 1900-ës dhe Idromeno ka vendosur kostumografinë e Veriut, Shkodrës veçanërisht, si madhësi ku spikatin malësia dhe fusha, por edhe raportet midis tyre. Ka kostume qytetare muslimane dhe katolike, por është edhe Zadrima dhe Dukagjini, apo Kelmendi.
Piktura ose pjesa e “Portës së Ferrit” është në antitezë me Parajsën dhe cilësinë e saj të butësisë së ngjyrës dhe rregullit hyjnor. Por rrugës për në të dyja portat ka shumë e shumë koka personash të tjerë që Idromeno i lë të varur në mëdyshjen e tyre të gati fajshme, e cila thotë: Në Parajsë apo në Ferr?!
Skenat dhe tabloja teatër e Idromenos janë edhe madhështia e saj e vërtetë. Një nga skenat që ka tërhequr shumë dhe tërheq shumë çdo njeri që qëndron përpara pikturës, është skena e mirëdetajuar e “ahengxhinjve” shkodranë. Skena është vendosur nga Idromeno në gjysmën e rrugës për në “Ferr”, në një vend me bar, me një pyll sipër dhe duke qenë se vetë Idromeno është një “ahengxhi”, ka nxjerrë edhe veten, por ama ka detajuar këtë shtresë të qytetarisë shkodrane. Janë 16 “ahengxhinj” rregullisht shkodranë, kryesisht me religjion katolik dhe dy djaj, ku njëri shkruan se çfarë po ndodh dhe tjetri po habitet, duke qëndruar midis dy “ahengxhinjve” që e kanë rrethuar vetë djallin, duke qenë akoma më “djaj” se vetë djalli. Dikush po pi raki, shumica këndojnë, dikush po thërret nga ana e atyre që po vijnë në “Ferr, por dhe Parajsë”, për t’u bashkuar me grupin e madh. Një nga modelet më të qarta të kritikës së pastër që Idromeno i bën shoqërisë, është edhe modeli “ahengxhi”, që nuk do t’ia dijë për asgjë, por vetëm për modelin e jetës së tyre. Prej këtyre ahengxhinjve kanë dalë si muzika, por edhe barsoletat dhe thashethemet dhe në tablo duken kur bisedojnë me njëri-tjetrin. Veshja e tyre është tipike dhe qëndrimet po ashtu. Normalisht, ky është vesi qytetar, por poshtë kësaj skene të madhe të veseve të qytetit të Shkodrës është një skenë tjetër e madhe, e mirëdetajuar, që është ajo e malësorëve, fshatarëve apo katundarëve, që vriten me njëri-tjetrin. Kjo është skena e njerëzve të dhunshëm, jeta e të cilëve është thika, pushka dhe “trimëria” për të vrarë dhe prerë. Kjo skenë është vendosur me qëllim poshtë asaj të “ahengxhinjve”, si një antipod vesesh qytet-fshat. Tabloja në skenën e vrasjeve, ka 9 personazhe, ku tetë janë ruralët vrastarë dhe njëri djall, që duket se edhe ai ka frikë, por edhe entuziazmohet në delir...!! Në skenë ka një të vrarë dhe të gjithë të tjerët të qëlluar nga njëri-tjetri.
Të gjithë po vrasin të gjithë, dhe Idromeno ka dashur të tregojë jetën kriminale të banditëve të “arsyes” së forcës në malësi dhe zonat rurale të Shkodrës. Skena tregon egërsinë dhe moralin e forcës dhe vrasjes, dhunën dhe mendimin vrasës në atë kohë. Kostumet janë rregullisht malësorësh dhe fshatarësh, të cilët kanë të gjithë armatimin e kohës. Një nga skenat më të rëndësishme masive dhe me shumë personazhe të Idromenos në “Dy Rrugët” është afër grykës së ferrit dhe trajton një “gjyq”, ku burrat, përpara një kryqi dhe dy shandanëve të kuq, betohen, shajnë, mashtrojnë dhe tregojnë dhe librin, i cili duhet të jetë “ligji”, por që, me sa duket, trajtohet keq. Janë në këtë skenë njerëzit dhe morali i tyre i zvetënuar, që edhe me ligjin vepron keq dhe në mënyrë mashtruese. Idromeno kthehet kështu në moralizuesin e kohës dhe sistemin e të së vërtetës. Me tablonë e cila duket në masën më të madhe religjionare, në të vërtetë kupton se shoqëria e asaj kohe ka pasur po të njëjtat problematika me të sotmet. Kjo pikturë madhështore dhe pronë e “Muzeut Historik të Shkodrës” është një kryevepër idesh dhe etnosi, por dhe posaçërisht kostumografie, që mbart gati 200 personazhe. Kjo pikturë tregon politikisht dhe moralisht fundin e pushtimit turk në Shqipëri dhe Idromeno ngrihet mbi kohën, i bën një apel-analizë asaj, por tregon edhe të keqen në përgjithësi të asaj shoqërie primitive në atë kohë. Kur shikon këtë pikturë, të shkon mendja se ke përpara një vepër të madhe të Rilindjes së vonë Italiane, por ama me kostumografinë e jashtëzakonshme të zonës së madhe të Shkodrës. “Dy Rrugët” është piktura e madhe dhe një trashëgimi e jashtëzakonshme e moralit dhe ideve të kohës, por edhe një nga shfaqjet e larta të kostumografisë, që piktori dhe rilindësi shkodran e ka treguar në mënyrë të plotë.
(Gazetar, specialist historian, në Muzeun Historik të Shkodrës)