E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për rehabilitimin e Lanës do të vazhdojë edhe këtë vit

Projekti për rehabilitimin e bregut të lumit të Lanës, në zonën pranë Maternitetit të ri në Tiranë, do të vazhdojë dhe gjatë këtij viti. Gjatë fazës së parë që është drejt fundit, është realizuar sistemimi i shtratit të Lanës në një gjatësi prej 240 metra linearë, ka përfunduar ndërtimi i trotuareve në të dy anët e tij dhe aktualisht pritet të përfundojë hedhja e asfaltit në të dyja anët e rrugës, paralel me lumin. "Punimet për fazën e parë të rehabilitimit kanë ecur me ritme të kënaqshme, ndërsa problematike mbetet faza e dytë sepse në zonën ku do të zbatohet projekti, ende ka ndërtime që Inspektoriati Ndërtimor duhet t'i prishë sa më shpejt, për t'i hapur rrugë avancimit të punimeve", thanë burime nga Drejtoria e Rrugëve pranë Bashkisë, Tiranë. Në fazën e dytë që do të realizohet gjatë këtij viti do të rehabilitohet edhe pjesa tjetër prej 180 metrash linearë. Firma "Riviera shpk" synon t'i përfundojë punimet sipas afateve të parashikuara në projekt, në korrik të këtij viti. Vlera e punimeve për këtë projekt është 113 milionë lekë. Përveç rehabilitimit të Lanës dhe rrugëve paralel me të, janë parashikuar edhe kanalet e ujërave të bardha dhe të zeza si dhe ndërtimi i një kolektori.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›