Plagosi shoqen me pistoletë artizanale, ndalohet 13-vjeçarja
FIER- Ngjarje e pazakontë ka ndodhur në shkollën e një fshati në Jug të vendit e cila për pak sa nuk është kthyer në tragjedi. Një zënke mes dy vajzave 13-vjeçare, shoqe klase, gati sa nuk ka precipituar në vrasje. Ngjarja është zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare të fshatit Zhupan të rrethit të Fierit. Nuk dihet arsyet pse dy vogëlushet janë konfliktuar me njëra-tjetrën por e sigurt është që ato e kanë lënë zgjidhjen e këtij të fundit jashtë klasës, teksa ka përfunduar ora e mësimit.
Ngjarja
Pikërisht në momentin kur vajzat kanë dalë në pushimin mes orëve të mësimit bashkënxënëset kanë zgjidhur dhunshëm mosmarrëveshjen. Nxënësja e klasës së shtatë me inicialet E. H ka qëlluar me pistoletë stilolaps në drejtim të bashkëmoshatares së saj duke e lënë të plagosur. Pasi e ka qëlluar me pistoletën stilolaps e mitura është larguar nga ambientet e shkollës, ndërsa vajza e plagosur me inicialet A. H është dërguar në spitalin e Fierit. Falë ndërhyrjes së shpejtë mjeket kanë arritur ti heqin plumbin në kofshe dhe aktualisht 13-vjeçarja është jashtë rrezikut.
Hetimi
Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje ka nisur kërkimin e autores dhe vetëm pas disa minutash ato kanë arritur të arrestojnë 13-vjeçaren në shtëpinë e gjyshes së saj. Policia po merr në pyetje të miturën për të mësuar më shumë rreth motiveve të zënkës që nxitën 13-vjeçaren që të qëllonte mbi shoqen e saj. Gjithashtu policia do përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes se ku e mori, apo kush ia dha, vajzës pistoletën stilolaps prodhim artizanal. Madje pak orë më pas uniformat blu kanë vënë në pranga të atin e miturës për të marrë dëshminë e tij rre th faktit se ku është gjetur arma me të cilën u krye edhe plagosja që nuk ishte gjë tjetër veç një stilolaps pistoletë i prodhuar në mënyrë artizanale.
8 Maj 2008