E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti ynë për katër vitet e ardhshme, Shqipëria vend europian dhe i zhvilluar

19-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me studentët e Universitetit të Beratit

Kryeministri: Të rinjtë e problemet e tyre çështja më kryesore e axhendës tonë. Bllokimi i integrimit merr fund në 23 qershor

Në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Beratit, kryeministri Sali Berisha deklaroi se projekti i qeverisë për katër vitet e ardhshme, është “Shqipëria një vend europian dhe i zhvilluar”.
Kreu i qeverisë theksoi se vendi ynë në 22 vite ka rritje të prodhimit të brendshëm me 11 herë. “Asnjë vend tjetër nuk ka pasur rritje të GDP-së kaq sa Shqipëria”, theksoi ai.
Duke vlerësuar hapjen e Universitetit të Beratit si zhvillimin më pozitiv në historinë moderne të këtij qyteti, kreu i qeverisë tha se, qeveria do të bëj gjithçka për shkollimin më të mirë dhe punësimin e të rinjve. Ai informoi se falë politikave të ndërmarra numri i studentëve ka arritur në 162 mijë, ndërsa në vitin 2005 ishte 52 mijë. “Qëllimi ynë, tha ai, është që çdo i ri të provojë veten në universitet”. Në gjykimin e kreut të mazhorancës një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi. Për këtë arsye, qeveria do të bëjë gjithçka që të ketë një sistem serioz arsimi, nëse do një të ardhme të artë. Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit duke u ndalur në projektin qeverisës për mandatin e ardhshëm, sqaroi se gjatë viteve që vijnë do të vendoset mekanizmi financiar, për ndjekje të universiteteve.
Studentët ishin të interesuar mbi programin dhe projektet e PD-së për 4 vitet e ardhshme. Kreu i mazhorancës theksoi se infrastruktura, ndihma për zonat rurale, zhvillimi i turizmit do të jenë ndër objektivat më madhore të qeverisë. “Shqipëria ka arritur disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara. Në këtë garë Shqipëria ecën jo pa vështirësi. Projekti ynë për katër vitet e ardhshme, është Shqipëria vend europian dhe i zhvilluar”.

Punësimi i të rinjve
“Një nga format që do llogarisim punësimin e të rinjve, do jetë edhe sistemi i mikrokredive. Ne kemi hequr çdo tarifë për punësimin e të rinjve. Synojmë që të punojmë në një sistem mikrokrediti. Kemi nisur me sistemin e Mohamed Junus, që është sistem pa kolateral. Kërkon që i riu të bëj projekte e të ketë siguri që do t’ia dalë. Do paguajmë ne sigurimet të studentëve të punësuar”.

Statusi i vendit kandidat
“Përfitimet janë shumë të mëdha. Të rinjtë do kenë mundësi të aplikojnë me kushte më shumë të favorshme në universitet të vendeve anëtare të BE, do kenë hapësira shumë të mëdha studimi e punësimi. Statusi i vendit kandidat është pasaportë e re që rrit shumë besimin tek Shqipëria, që do të thotë se investitorët do investojnë me siguri shumë më të madhe. Fermerët do të mund të përfitonin shuma të mëdha në subvencione nga BE. Nëse ne themi se ne do të trefishojmë grandet, grandet e KE do të ishin së paku 3 herë më të mëdha se trefishimi ynë”.
 
PS bllokoi integrimin
“Për shkak të reformave, KE vendosi të sugjerojë Shqipërinë për vend anëtar, por la 3 ligjet që janë në parlament, që nuk cenojnë interesin e asnjë partie, por që janë në interesin e qytetarëve. Rama me një vendim absurd iu mbush mendja se do i jepte kredibilitet qeverisë. Absolutisht jo. Qëllimi ishte të bënim edhe opozitën aksionere në procesin e statusit. Këtë e përdori për t’i bllokuar tre ligjet. Nuk e ka bërë asnjë në historinë e Europës. Bëjmë një figurë shumë të keqe. Si ka mundësi të ngrihemi kundër interesave tona. Tregon se nxjerrim interesat personale e partiake mbi ato shoqërore. Këto zgjedhje do i japin përgjigje përfundimtare dhe garantoj se Shqipëria shumë shpejt do marrë statusin e vendit kandidat”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›