Projektligji Për auditimin kalon në Kuvend me ofendime mes deputetëve
Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, ligji “Për auditimin dhe ekspertin kontabël” është kthyer sërish në Kuvend, tashmë me ndryshime që shmangin edhe votimin me 84 vota, duke sjellë debate mes forcave politike. Komisioni i Ekonomisë kishte vendosur në plan miratimin e projektligjit, sipas të cilit mosregjistrimi i ekspertëve kontabël në regjistrin kombëtar shkakton marrjen e gjobës deri në 10 milionë lekë. Socialistët kërkuan që projektligji të kalonte për diskutim në Komisionin e çështjeve Ligjore, për të parë nëse përputhet me vendimin e Kushtetueses, por kryetari demokrat i komisionit tha se duhet vijuar puna sipas kalendarit dhe se nuk po diskutohen çështje që prekin Kodin. Debati rreth nenit që rrëzoi Kushtetuta shkoi deri në ofendime dhe kërcënime mes deputetit të PD-së, Flamur Noka dhe dy deputetëve të PS-së, Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj.
Pamundësia për të miratuar me shumicë të cilësuar një nen në ligjin e auditimit dhe ekspertit kontabël ka rikthyer debatet e ashpra mes pozitës dhe opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Qeveria, duke u tërhequr nga varianti i parë që e quante vepër penale mosregjistrimin e audituesve në regjistrin kombëtar të audituesve ka sjellë një variant që e cilëson atë shkelje administrative.
"Në bazë të neneve 32, 38 të rregullores kërkojmë që të shprehet Komisioni i Ligjeve lidhur me projektligjin që na ka ardhur dhe të këtij neni apostafat. E para, kushtetutshmërinë e nenit që na ka ardhur dhe e dyta, përputhshmërinë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë nen që na ka ardhur", tha Erion Braçe, deputet i PS-së.
“është e vërtetë që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar nenin e mëparshëm, 58, i cili përcaktonte se vepra e ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël, duke qenë e paregjistruar, përbën akt penal dhe ndiqet. Ligji i mëparshëm këtë jepte, pa hyrë në detaje, dhe ndjekja penale do të bëhej në bazë të përcaktimeve që bëhen në Kodin Penal. Dhe rrëzimi që i ka bërë Gjykata Kushtetuese nuk është në brendinë e nenit, por në votimin e formës së thjeshtë. E rrëzon, sepse është votuar si ndryshim në ligj të thjeshtë dhe jo siç e kërkon Penali 3/5”, tha kryetari Edmond Spaho.
#