E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji: Pronat me Ligjin 7501, tapi brenda një viti

Ministri Pollo

Flet kreu i Komisionit Qeveritar të Tokës, Pollo: Përfitojnë të gjithë ata që nuk kanë pasur dokumente këta 20 vjet.

Ministri sqaron projektligjin Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë

Pollo: Përfitojnë ata që i kanë ndarë me parimin e tokës së babës

Pronarët e tokave bujqësore, që i kanë përfituar ato me ligjin 7051, por që nuk kanë aktin e pronësisë, do të mund të marrin pronësinë e plotë në një hark kohor njëvjeçar. Kjo do të mundësohet nga miratimi në Kuvend i projektligjit Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, i cili u aprovua në Këshillin e Ministrave disa ditë më parë. Ministri për Inovacionin, njëherësh dhe kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, Genc Pollo, deklaroi dje se ky projektligj u jep të drejtë krerëve të pushtetit vendor që të plotësojnë dokumentacionin të cilin nuk e kanë plotësuar pas viteve 90 komisionet e atëhershme të ndarjes së tokës bujqësore. Si kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës dua të them se qeveria miratoi një projektligj, i cili synon të formalizojë pronësinë në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo një tjetër, 20 vitet e fundit toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar, theksoi Pollo. Ministri i Inovacionit theksoi se në disa raste toka bujqësore është ndarë ose trashëguar brenda familjes, por pa pasur asnjë dokument që e provon ligjërisht atë. Në disa raste, kjo tokë është ndarë edhe në parimin e tokës së babës. Projektligji synon që pronarëve tu lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës do të jenë kryetarët e këshillave të komunave. Ky proces dhe zbatimi rigoroz i procedurave të tij do të monitorohet nga komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe nga drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, pranë Këshillit të Qarkut dhe përfundimisht titujt e pronësisë do të regjistrohen në ZRPP, deklaroi Pollo.
Përfitimet
Nga hyrja në fuqi e ligjit, qeveria garanton pronarët e tokës bujqësore se i tërë procesi do të finalizohet brenda një viti, duke i pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi. Benefitet për pronarët dhe për shoqërinë janë të mëdha, sepse të gjitha subjektet e këtij procesi do ta gëzojnë pronën, bazuar mbi dokumente, mund ta shesin, ta trashëgojnë dhe ta lënë si kolateral sipas normave ligjore, deklaroi ministri. Sipas draftit të ri, u ngarkohet e drejta kryetarëve të fshatrave, kryesive të tyre ose bashkive dhe kryetarëve të komunave të realizojnë procesin e evidentimit, përcaktimit e saktësimit të përdoruesve realë të tokës, vendndodhjen e saj, sasinë dhe kufitarët për çdo përdorues, ndërsa Këshilli i Komunës do të jetë organi vendimmarrës, i cili shqyrton informacionin e mësipërm së bashku me pretendimet e mundshme. Vetëm pas kësaj vendimmarrjeje, do të fillojë procesi i plotësimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi nga kryetari i komunës, sipas një procedure të mirëpërcaktuar.
Përjashtimet
Ndarja e tokës bujqësore në territoret e ish-kooperativave bujqësore është shoqëruar me probleme të plotësimit të dokumentacionit ligjor. Për këtë arsye, shumë pronarë tokash bujqësore zotërojnë vetëm aktin e përdorimit të tokës edhe pse janë pronarë të saj. Për të mos krijuar mbivendosje me procesin e legalizimeve apo me procesin e kthimit e kompensimit të pronave ligji ndalon dhënien e akteve të pronësisë për pronat e regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme si pronë private, për tokat bujqësore që janë përfshirë në procesin e legalizimeve apo për tokat që janë objekt i konflikteve gjyqësore, theksoi ministri Pollo.

Kush përfiton dhe kush përjashtohet
Ligji ngarkon Këshillin e Ministrave të përcaktojë:

a) Detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat për përcaktimin përfundimtar të përdoruesve të tokave bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, në komunat apo bashkitë ku komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi.
b) Dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë, si dhe dokumentacionin dhe informacionin që duhet të kërkojë e kontrollojë kryetari i komunës apo Bashkisë, që përfituesi të jetë subjekt ligjor i trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 Për tokën.
c) Institucionet ku zyrtarisht do të kërkohet plotësimi i kërkesave të parashikuara në paragrafin 1/1 të nenit 17 të këtij ligji, procedurat dhe rregullat e hollësishme të bashkëpunimit, si dhe afatet e komunikimit me këto institucione.
ç) Formën e dokumentit përfundimtar të pronësisë dhe mënyrën e ruajtjes dhe të përcjelljes së tij pranë institucioneve që drejtojnë dhe kontrollojnë procesin, deri në dërgimin e tij për regjistrim në ZVRPP.
*Dokumentacioni ligjor i pronësisë i përgatitur nga komuna/bashkia do të jetë i gatshëm për regjistrim në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme. Ky veprim ka një rëndësi të veçantë, pasi respekton edhe standardet e sigurisë juridike të të drejtës së pronësisë si dhe procedurave e kritereve të sakta që vendos. Realizimi i dhënies së titujve të pronësisë i fut këto prona në qarkullim civil, duke u dhënë subjekteve mundësinë ti përdorin e shfrytëzojnë ato, si pronarë me të drejta të plota.
Në ligj përcaktohen sipërfaqet e tokave bujqësore në të cilat nuk lejohet të plotësohen AMTP-të, dhe konkretisht:
1) Toka bujqësore rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private.
2) Toka bujqësore rezulton e përfshirë në procesin e legalizimeve sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, i ndryshuar.
3) Toka bujqësore është dhënë në pronësi nëpërmjet AMTP, të lëshuar deri në datën 15.08.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
4) Toka bujqësore është objekt i një konflikti gjyqësor dhe komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›