Gjysmëfinalet e populizmit
Përplasja e ardhshme zgjedhore do të jetë shumë interesante. Por, ndërsa një pakicë shqiptarësh shpresojnë ende vaktazi ndonjë ndryshim cilësor, duket se zhvillimet do të vijnë në drejtimin e kundërt.
Kohët e fundit Edi Rama ka zbuluar fuqishëm sharmin e populizmit të majtë. Taksimi i drejtë, domethënë taksimi progresiv, është bërë refren i pashmangshëm. Rama nuk përfiton vetëm nga alergjia e kontingjenteve të varfra ndaj çdo shenje mirëqenieje të atyre që janë një apo disa shkallë më sipër. Mbi të gjitha ai shfrytëzon paaftësinë e tyre për të parashikuar saktësisht efektin e kundërt të asaj që premtohet. Në Shqipëri ka dy kategori të pasurish: ata që punojnë me djersën e ballit jashtë lojës politike dhe ata që fitojnë për shkak të lidhjeve politike. Cila kategori i paguan taksat? Natyrisht, vetëm të parët. E, pra, realisht zoti Rama po premton që do të rrjepë sa të mundet bizneset që pranojnë rregullat e lojës, ndërkohë që të gjithë klientët e partisë së tij të mbushin xhepat pa u bezdisur nga zelli i administratës së ardhshme. Rezultati? Më pak biznese të ndershme, më pak konkurrencë të drejtë, më pak vende pune, më tepër biznesmenë-politikanë të stilit rus.
Natyrisht, përgjigjja e kryetarit socialist do të ishte se ligji do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe evazioni fiskal do të luftohej me rrënjë. Mirëpo edhe nëse do të donim ta besonim këtë, mbetet fakti se vetë zoti Rama ka një konflikt interesi me taksimin progresiv, meqenëse bën pjesë te ato shtresa të varfra që nuk kanë më shumë se 3000 euro në llogarinë bankare. I varfri për të varfrit, natyrisht.
Berisha është një gurrë e pashtershme informacioni për këdo që i kap syri, ose më saktë për këdo që i vret syrin. Vetëm në sajë të tij zbuluam se Presidentin e paskëshim pasur kooperativist undercover. Lind pyetja: përse nuk na i tha këto gjëra më herët që të mos i lejonte deputetët e tij të gabonin në zgjedhjen e kryetarit të shtetit përpara herën e fundit? Për më tepër që shtyu në ngasje edhe deputetët e Nanos. Cili Nano? Sipas vetë Berishës: mafiozi, padrino, krimineli, faktori i rëndësishëm politik dhe së fundi ai njeriu me të cilin shtrëngohen duart kur është e nevojshme. Po nejse, rëndësi ka që ballokumet këtë vit na gjetën më mirë se kurdoherë tjetër. Për sa kohë që opozita është ashtu siç është, Kryeministri mund tia lejojë vetes koston e të dalurit në çdo emision lajmesh për xhevahire nga më të ndryshmet. Një pyetje: kur ishte hera e fundit kur keni parë lajme pa Berishën brenda?
Atëherë kur mendohej se ajka e votuesve shqiptarë ishte kapur prej PD-së dhe PS-së, Aleanca Kuq e Zi na tregoi se fundi i tenxheres është larg. Vështirë të thuash a i beson vetë komandanti gjërat që thotë. Por, megjithatë, një gjë është e qartë: të kërcënosh Maqedoninë se po i ve flakën vetes tingëllon shumë joshëse për shumë votues që nuk ia kanë parë hairin as PD-së e as PS-së. Kreshnik Spahiu aktual është krijesë e padashur e Berishës, Nanos, Ramës e Metës dhe sidomos, në një kuptim të dytë, e të parit. Si i tillë, ka mësuar prej mjeshtrit. Nuk mund të thuhet se ia ka kaluar, sepse mungesa e nacionalizmit te Berisha nuk vjen nga parimet e larta politike, por nga pamundësia për ta përdorur në kushtet e atmosferës integruese.
Populizmi nuk do të ishte problem nëse nuk do të besohej. Por është problem i madh në kushtet kur konkurrentët në garë janë të gatshëm ti vënë zjarrin gjithçkaje për të marrë apo mbajtur pushtetin dhe për më tepër, kur mijëra votues janë po aq të gatshëm të luajnë rolet përkatëse. Fatkeqësisht shumë shqiptarë e kuptojnë ndryshe këtë dramë. Fundja, a nuk e përdorte edhe Skënderbeu politikën e tokës së djegur?
