Projektligji, Propozimet e PS-së: Bojkot, ose rregulla për hetimin e zgjedhjeve
Zbardhet projektligji për ndryshimin e ligjit të funksionimit të komisioneve hetimore parlamentare, i cili është pjesë e kushtit që opozita i ka vënë maxhorancës për ndërprerjen e bojkotit, ku përcaktohen procedurat dhe objekti i hetimit të zgjedhjeve, duke përfshirë edhe procesin e 28 qershorit. Në rast të kundërt, PS-ja ka bërë të qartë se do t’u rikthehet protestave popullore deri në rrëzimin e qeverisë. Bashkë me të është edhe projektvendimi, i cili u bashkëngjitet propozimeve që opozita do t’i çojë sot në Kuvend për t’u shqyrtuar nga maxhoranca. Në të gjitha rastet, kur njëra palë kërkon të hetojë një proces, në këtë projektligj parashikohen të gjitha procedurat hetimore, afati i komisionit, kryesimi i tij, objekti dhe fuqia që do të kenë rekomandimet në raportin përfundimtar, përfshirë edhe ndëshkime penale për dhunuesin e zgjedhjeve.
Projektligji
Drafti që propozohet për ndryshimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” është një nismë që synon që komisione të tilla, në të gjitha rastet, të kryesohen me shumicë nga opozita, përmes së cilës të hetohen në mënyrë të plotë të gjitha aspektet e një procesi zgjedhor; konkretisht, procesin e numërimit, rolin e administratës në fushatë, shpërdorimi i aseteve publike etj. Në projektligjin e propozuar pala që kërkon transparencën nuk synon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. “Shtrirja e interesit është për të gjetur se deri në çfarë shkalle shtrihen parregullsitë dhe se si kanë ndikuar këto parregullsi në rezultatet e zgjedhjeve në zonat zgjedhore në funksion të realizimit të transparencës së plotë mbi procesin zgjedhor”, - thuhet në argumentet që ka paraqitur PS-ja bashkëngjitur draftit ligjor. Sipas argumenteve, “komisioni nuk ka për qellim dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe nuk do të kundërshtojë asnjë vendim të Gjykatës zgjedhore apo ndonjë vendim tjetër”. Përmes saj evidentohen përgjegjësitë ligjore dhe institucionale të subjekteve të përfshira në proces, si dhe do të propozohen masa legjislative, administrative etj., për të garantuar në të ardhmen standardet zgjedhore të vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Propozuesit e këtij projektligji shprehen se raporti përfundimtar që shkon në Kuvend jep rekomandime lidhur me ndryshime të mundshme ligjore për të parandaluar përsëritjen në të ardhmen të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe kur çmohet se është rasti, marrjen e masave të mëtejshme nga organi i Prokurorisë. “Jemi të mendimit se një parashikim i tillë me ligj do të ridimensiononte dhe forconte në vijim vetë rolin e komisioneve hetimore, në kuptim të asaj se ajo çka do të evidentohet si problematike apo antiligjore gjatë veprimtarisë hetimore të çfarëdolloj komisioni hetimor”. Në propozimin e PS-së përcaktohen edhe afatet që kanë të bëjnë me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor nga ankimuesi në mandatin që ka legjislatura me qëllim respektimin e parimit të shtetit ligjor, i cili imponon si kërkesë “sine qua non” bindjen ndaj vendimeve të autoriteteve shtetërore dhe qetësinë publike. Po ashtu, kohëzgjatjen e funksionimit të komisionit.
Ndër propozimet e PS-së të shtruara në projektligjin që i është dorëzuar maxhorancës për diskutim është edhe objekti i hetimit të proceseve zgjedhore, ku përfshihet edhe mundësia për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. “Vëzhgimi i materialeve zgjedhore të mbyllura në kuti dhe i fletëve të votimit do të bëjë të mundur kuptimin e shkallës së mospërputhjes mes të dhënave të shpallura dhe realitetit”, - thuhet në argumentet e paraqitura nga PS-ja në draftin ligjor. Një tjetër detaj që propozohet nga hartuesit është se anëtarët e komisionit parlamentar dhe personeli ndihmës “janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve”, sipas legjislacionit që parashikon dokumentet e klasifikuara. Ky draft është përpiluar duke pasur parasysh kushtet aktuale dhe realitetin e prodhuar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. PS i kërkon Kuvendit miratimin e projektligji me procedurë të përshpejtuar. Dokumenti dorëzohet sot në sekretarinë e Kryesisë së Kuvendit.
Kushtet e panegociueshme
Vetëm 24 orë para dorëzimit të projektligjit dhe projektvendimit, deputeti socialist Namik Dokle bëri të qartë se dy drafte janë e drejta dhe detyrimi i PD-së, i maxhorancës dhe i qeverisë që të reflektojë. “Ne hyjmë në Parlament për të mos dalë, por edhe për të mos qëndruar, nëse nuk garantohet transparenca e plotë e zgjedhjeve”, - tha Dokle, i cili paralajmëroi se nëse kjo nuk zgjidhet nëpërmjet dy drafteve, nëpërmjet miratimit të kësaj kërkese të PS-së, ne nuk mund të rrimë në Parlament mbi kutitë e mbyllura”. “Kutitë mund të hapen me vendim Parlamenti ose pastaj ne do të kërkojmë deri në fund hapjen e kutive bashkë me popullin opozitar”, - përfundoi deputeti socialist. Ky propozim vjen pas mospajtimeve mes PS-së dhe PD-së për kushtetutshmërinë e kërkesës së opozitës që gjatë hetimit të zgjedhjeve, të hapen edhe kutitë e votimit. Këshilli i Europës kërkoi që kjo çështje të shqyrtohej nga Komisioni i Venecias, i cili do të dalë me ekspertizën e saj nëse opozita ka një kërkesë konform kuadrit ligjor ose jo.
26 Shkurt 2010