Draft-vendimi i PS-së: Hetim edhe kutive të votimit
Zbardhet i plotë draft-vendimi i propozuar nga opozita për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, i cili parashikon edhe hetimin e kutive të votimit. Dokumenti i përgatitur nga ekspertët e PS-së, që do të dorëzohet sot në Sekretarinë e Kuvendit, parashikon objektin e punës, përbërjen dhe shtrirjen e fushës së aktivitetit të tij. Siç është deklaruar edhe më parë nga socialistët, hetimi kërkohet të jetë i pakushtëzuar, duke theksuar se “përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së”. Në draftin e përpiluar nga ekspertët e selisë rozë parashikohet që komisioni të ketë 15 anëtarë, ku 8 prej tyre do të jenë përfaqësues të opozitës.
Draft-vendimi i PS-së
Pasi PS-ja vendosi t’i japë fund rrugës jashtëparlamentare, dje është nisur drejt Kryesisë së Kuvendit drafti për të cilin kërkohet konsensusi i maxhorancës, prej të cilit varet braktisja ose jo e bojkotit të partisë më të madhe opozitare. Projektvendimi, i firmosur nga 35 deputetët e PS-së, është bazuar në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës dhe nenet 3 dhe 5 të ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit. Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si procesi i numërimit, procesi i votimit në qendrat e votimit, mënyra e përdorimit të teknologjisë mbështetëse për monitorimin e procesit, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore, presionet ndaj punonjësve të strukturave shtetërore, lejet e përkohshme për të dënuarit ose ata në masë sigurie gjatë periudhës 1-mujore të fushatës etj.
Sipas burimeve zyrtare, dokumenti është bërë në përputhje me Rezolutën Nr. 1709 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku i bëhet thirrje maxhorancës “të ngrejë pa humbur kohë komisionin hetimor parlamentar në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Strasburgu ka kërkuar zyrtarisht që shumicën e anëtarëve të komisionit hetimor ta ketë opozita parlamentare”.
Objekti dhe shtrirja e hetimit
Në dokumentin e dorëzuar nga ekspertët e PS-së kërkohet që në fokus të punës së komisionit hetimor të jenë: hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të; hetimi i dyshimeve dhe akuzave të ngritura për proces të parregullt votimi; hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së në lidhje me dështimin apo mangësitë e shfaqura në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave; hetimin e akuzave publike për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore; hetimin e akuzave për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën për shkaqe që lidhen me fushatën, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijuese; hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009. Në objektin e tij propozohet që të hetohen edhe shkelje të tjera që do të dalin gjatë punës së komisionit.
Sipas projektvendimit, “hetimi i shkeljeve është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse”, duke kërkuar që të përfshihen edhe këqyrja dhe administrimi i materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së. Në mbyllje të punës komisioni i paraqet Kuvendit raportin përfundimtar lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e Prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore. Në dokumentin e PS-së kërkohet që komisioni nuk mund të jetë më pak se 5 muaj dhe nuk duhet të tejkalojë kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit të mandatit të Kuvendit.
OBJEKTI I HETIMIT
Hetim procesit të numërimit dhe vlerësimit të votimeve në VNV
Hetim për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit
Hetim KQZ-së për përdorimin e teknologjisë monitoruese
Hetime për presionet ndaj administratës më 29 maj-29 qershor
Hetim për përdorimin e mjeteve dhe administratës në fushatë
Hetim për lejet e parakohshme për të dënuarit më 29 maj-29 qershor
Hetim të çdo shkelje që del gjatë hetimit për procesin zgjedhor
26 Shkurt 2010