E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi sfidon Berishën: “Hapni kutitë e Ruzhdies dhe ne tërhiqemi nëse nuk ka manipulim”



Eljona Ballhysa
Në seancën e parë parlamentare socialistët kanë sfiduar hapur kryeministrin Berisha duke e ftuar atë që të hapë të paktën një kuti votimi, atë të komunës Ruzhdie, ku Berisha pretendon se ka humbur një mandat deputeti. Sfidën e ka bërë në emër të Partisë Socialiste një ndër deputetët më të vjetër, Gramoz Ruçi. Në një fjalim të gjatë Ruçi ka shpjeguar pozicionin e Partisë Socialiste, pretendimet e saj, kërkesat dhe ftesën për bashkëpunim. Ruçi është shprehur se prania e opozitës në Kuvend është një shans që i jep këtij institucioni që të respektojë një ndër parimet themelore të demokracisë, që është transparenca e procesit zgjedhor. Sipas Ruçit, PS-ja nuk kërkon që të marrë pushtetin në tavolinë. Madje opozita nuk kërkon të ndryshohet rezultati i zgjedhjeve. Sipas tij, e vetmja gjë që kërkon PS-ja është transparenca e procesit zgjedhor, zbardhja e skemës së manipulimit në mënyrë që të mos ketë shanse që të përsëritet në të ardhmen. Në përfundim Ruçi kërkoi që maxhoranca t’i lexojë me vëmendje kërkesat e saj dhe të mendohet para se të japë një përgjigje përfundimtare. Ai e ftoi Berishën që të hapë kutinë e Ruzhdies dhe në rast se nuk ka manipulim, atëherë Ruçi dhe 8 deputetët e tjerë të qarkut të Fierit të PS-së do të linin mandatin e deputetëve duke kërkuar ndjesë.
Sfida
“Zoti Berisha, ju thoni se keni humbur në qarkun e Fierit duke pretenduar se Gjykata ka dhënë një vendim të gabuar lidhur me Ruzhdien. Por ju thoni se respektoni vendimet e Gjykatës dhe kërkoni që t’i zbatojmë dhe ne duke mos hapur kutitë. Ne nuk kemi punë me vendimet e Gjykatës. Të drejtën tonë nuk e ndalon Gjykata dhe nuk kërkojmë ta përdorim atë kundër Gjykatës. Kam një sfidë publike për ju. Në emër të tetë kolegëve të tjerë të qarkut të Fierit, të të gjithë Grupit Parlamentar si dhe të kryetarit të PS-së. Na mjafton vetëm transparenca e kutisë së Ruzhdies për t’u tërhequr nga fusha e kësaj beteje. Nëse nga verifikimi i dokumentacionit zgjedhor të kësaj kutie nuk del qartë mekanizmi i korrupsionit elektoral, nëse vërtetohet para syve të shqiptarëve se nuk ka pasur manipulim, unë ju kërkoj ndjesë publike, por jap dorëheqjen nga skena politike dhe shkoj në shtëpi së bashku me 8 deputetë të qarkut të Fierit. Refuzimin tuaj do ta merrja si provën më të qartë të krimit që fshihet në ato kuti dhe faktit që ju e dini shumë mirë se ç’kanë ato kuti brenda. Zoti Berisha, topi është në fushën tuaj”, - është shprehur Ruçi.
Konflikti
Më parë ai shpjegoi qëndrimin e PS-së në lidhje më këtë situatë, duke e cilësuar atë një konflikt interesi mes qeverisë që mohon transparencën e zgjedhjeve dhe popullit që kërkon të shohë votën e tij. “Ky parlament ka një konflikt për të zgjidhur me popullin opozitar. Ne kemi ardhur sot t’i japin një shans këtij Parlamenti që të zgjidhë pikërisht këtë konflikt me popullin përpara se populli të marrë vetë në dorë zgjidhjen e këtij konflikti. Ky nuk është një konflikt për pushtet, por një konflikt i pastër interesi mes një pushteti që pengon transparencën e zgjedhjeve nga ka dalë dhe popullit që kërkon transparencë”, - është shprehur Ruçi, ndërsa shtoi se PS-ja nuk ka ardhur në Parlament për të marrë pushtetin. “Sot ky popull kërkon të drejtën sovrane për transparencën e kutive në të cilat fshihet vullneti i tyre i shprehur. Ne do të qëndrojmë me ju vetëm nëse ju keni vullnet pozitiv që ta zgjidhur së bashkë këtë konflikt”, - është shprehur Ruçi. Ai shtoi se Shqipëria është në një krizë të thellë të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, si dhe në krizë ekonomike. “Pushteti juaj e ka të pamundur të ofrojë zgjidhje për faturën e jetesës së shqiptarëve; e keni të pamundur t’u jepni shqiptarëve shkollim dhe kujdes shëndetësor; frymëmarrje për biznesin privat që po lëngon; nëpunësit e shtetit, që janë bërë shërbëtorë të pushtetit. Ju e keni të pamundur t’u jepni shqiptarëve integrimin europian dhe nuk ju ndihmon as propaganda e turpshme kundër opozitës edhe nga kjo poltronë që, edhe në mungesën tonë, ju e keni përdorur si kënd shpifjesh dhe sharjesh ndaj nesh. Ju nuk keni justifikim për vonesën e liberalizimit të vizave, që vjen si pasojë e paaftësisë suaj. Ju e vratë dhe e shkatërruat popullin nëpërmjet Gërdecit me babëzinë tuaj, me të pangopurit që i keni sot në krye, sepse nuk ka drejtësi në këtë vend, sepse janë kapur gjykatat. Ju e mbytët Shkodrën për herë të dytë, përsëri me babëzinë tuaj, dhe të pangopurit i keni në krye, sepse nuk ka drejtësi. Një pushtet që vjedh votat është një pushet që vjedh çdo gjë. Sot ne nuk ju kërkojmë pushtetin, por hapjen e kutive ku populli ka dhënë vendimin e tij për pushtetin”, - është shprehur Ruçi.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›