E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Imuniteti pengon hetimet

Kryeprokurorja, në përvjetorin e Task Forcave: Hetimet ndaj zyrtarëve dhe bizneseve të rëndësishme janë të vështira

Kryeprokurorja Ina Rama ka pranuar për herë të parë se hetimi ndaj zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore dhe ndaj bizneseve të rëndësishme është shumë i vështirë, ndërsa u kërkoi vartësve të luftojnë me çdo mjet për të mposhtur pengesat që hasin gjatë punës. Në përvjetorin e ngritjeve të njësive të përbashkëta hetimore, numri një i akuzës qendrore tha se ushtrimi i ndjekjes penale në këto raste kërkon përkushtim dhe kurajë, kërkon besimin e madh në vetvete se po lufton me armikun më të rrezikshëm dhe më destruktiv për vendin në këto momente. “Të gjithë e dimë që ndërtimi i një procesi penal ndaj një zyrtari të korruptuar apo ndaj një biznesi të rëndësishëm është një proces jo i lehtë, së pari për shkak të specifikave të hetimit të këtyre lloj veprash penale dhe së dyti për shkak të peshës së personave apo interesave të prekura nga hetimi. Po kaq i vështirë na ka rezultuar përgjithësisht edhe procesi i gjykimit të kësaj kategorie veprash penale”, tha Kryeprokurorja Ina Rama, duke lënë të kuptohet se shpesh herë janë “dorëzuar” përballë imunitetit të këtyre personave dhe bizneseve që ata kanë ngritur. Megjithatë, theksoi se detyra e akuzës është t’i superojnë këto pengesa duke e konsideruar të gjithë punën si një sfidë që duhet fituar me çdo kusht.

Duke folur për njësitë e përbashkëta hetimore, Rama tha se krijimi i tyre ishte produkt i një nevoje të përbashkët për të përqendruar forcat për goditjen e krimit ekonomik e korrupsionit. “Që nga krijimi i tyre në vitin që shkoi janë rritur rastet e hetuara për veprat penale të cilat janë në kompetencë të njësive të përbashkëta. Vihet re në mënyrë të veçantë rritje e numrit të kallëzimeve të depozituara nga shtetasit për veprat penale kryesisht me natyrë korruptive. Ky tregues flet për një pritshmëri të lartë të publikut në drejtim të një pune profesionale dhe me integritet të lartë të këtyre strukturave”, tha Kryeprokurorja, duke shtuar se pavarësisht angazhimeve të marra nga anëtarët e njësive, duhet më shumë punë, më shumë përkushtim, më shumë seriozitet në kryerjen e funksioneve. Ajo theksoi se ka vend për përmirësim, ndërsa problemet të evidentohen e të bëhen prezente përpara hallkave drejtuese të secilit institucion dhe të merren masat përkatëse për riparimin e tyre. Numri një i akuzës qendrore kërkoi më shumë trajnime për këta prokurorë. “Përballimi me sukses i luftës kundër këtij lloj kriminaliteti kërkon njohuri të thelluara dhe vizion të qartë profesional, kërkon fillimisht të kuptosh një skemë korruptive apo një skemë pastrimi parash dhe pastaj të dish të kërkosh provat për ta provuar atë dhe në finale të arrish ta bindësh gjykatën për atë që ka ndodhur përmes një procesi përgjithësisht të vështirë dhe të komplikuar”, tha Rama.

Më tej shtoi se detyrat e besuara të këtyre strukturave konsiderohen si shumë të rëndësishme për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar dhe për përqasjen e tij me standardet europine të funksionimit të shtetit të së drejtës. “Nuk mund të ketë luftë efektive ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik, pa besuar realisht në këtë kauzë dhe në peshën historike që ajo prezanton sot për shoqërinë shqiptare”, vijoi ajo, ndërsa në fund përgëzoi të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, anëtarë të njësive për punën e kryer deri tani, duke kërkuar më shumë përkushtim në të ardhmen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›