E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen gazi në minierë, një i vdekur e 8 të plagosur

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën minatori Naim Shyti, baba i dy fëmijëve, ndërsa janë plagosur rëndë 8 të tjerë, 2 prej të cilëve u shtruan në Spitalin Ushtarak. Dyshohet se shpërthimi ka ardhur si pasojë e gazit që kishte dalë në nivelin 16

BULQIZË Një shpërthim i fuqishëm në thellësitë e minierës i ka marrë jetën një minatori 39-vjeçar dhe plagosur rëndë tetë minatorë të tjerë. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur si pasojë e shpërthimit të gazit metan në thellësitë e galerive të kësaj miniere, në pusin nr.2. Mësohet se shkak i gjendjes së rëndë është bërë shpërthimi i fuqishëm i gazit metan në nivelin e 16-të, kur minatorët e ajrimit kanë qenë rreh 150 metra larg vatrës së shpërthimit. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur jetën minatori Naim Shyti, babai i dy fëmijëve dhe janë plagosur 8 të tjerë.

Ngjarja

Sipas burimeve nga policia e Dibrës mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:10 në minierën e Bulqizës, në nivelin e 16-të të minierës së kromit. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se shpërthimi ka ardhur si rezultat i rrjedhjes së gazit “metan”, ku janë helmuar dhe kanë pësuar djegie 9 punëtorë, të cilët në momentin e ngjarjes kanë qenë duke punuar në këtë nivel. “Menjëherë sapo është marrë informacioni, nga ana jonë është organizuar puna dhe në bashkëpunim me prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër është ngritur grupi hetimor, i cili ka vajtur me shpejtësi në vendngjarje. Si rezultat i rrjedhjes së gazit metan janë dëmtuar 9 persona, ndërsa është nxjerrë nga pusi turpi i pajetë i 39-vjeçarit Naim Shyti. Mësohet se Hajri Koçi dhe Basri Toska janë dërguar për në QSUT-në e Tiranës për një ndihmë më të specializuar, pasi gjendja e tyre shëndetësore paraqitej tepër e rënduar”.

Nxjerrja

Të plagosurit u transportuan në spitalin e Bulqizës, ku 3 prej tyre ishin në gjendje më të rëndë dhe konkretisht; Basri Toska, Hajri Koçi dhe Zaim Përkola, të cilët për shkak të mungesës së mjekëve specialistë në këtë spital, janë dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Fillimisht u dha lajmi se 2 minatorë rezultojnë të zhdukur, por më vonë pas 1 orë kërkimesh, një prej tyre, Naim Shyti u gjet i pajetë dhe një tjetër, Astrit Çupi u nxor i gjallë. Mësohet ndërkohë se pusi ishte në administrimin e firmës austriake ACR, ndaj së cilës minatorët prej 3 muajsh janë hedhur në grevë e protesta ku kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe pagat. Minatorët e plagosur ishin në radhët e minatorëve që kanë protestuar dhe marrë pjesë në grevën ndaj firmës ACR. Pas grevës në nivelin e 14 të minierës, RISHM ditët e fundit ka bërë inspektimin e këtyre minierave, ku disa fronte pune i ka nxjerrë të pafunksionueshme për shkak të mungesës së kushteve teknike. Nuk dihet nëse ky pus ishte konstatuar me defekte ose jo.

Viktima

Naim Shyti

Të plagosur

Agim Përkola

Kujtim Lami

Zaim Përkola

Luan Gjoka

Xhelal Ruçi

Hajri Koçi

Basri Toska

Luan Gjoka

Të plagosurit rëndë, Vasili: Po trajtohen nga mjekët më të mirë

Ministri i Shëndetësisë: “Mjekët po punojnë, ndërhyrja mund të zgjasë në kohë, ne e kemi të pamundur të bëjmë një parashikim të plotë”

Trajtimi i dy minatorëve në gjendje të rëndë shëndetësore, që po ndiqen nga mjekët më të mirë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, mund të zgjasë në kohë dhe autoritetet shëndetësore nuk mund të bëjnë dot asnjë parashikim të plotë për ta. Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka vizituar dje dy të plagosurit rëndë në minierën e Bulqizës, të cilët po trajtohen tek Ushtaraku. Pasi është interesuar mbi gjendjen e të plagosurve dhe ka komunikuar në stafin mjekësor, ministri i Shëndetësisë deklaroi se: “ Dy rastet e rënda që janë transportuar drejt Tiranës po marrin një trajtim të shpejtë dhe profesional. Ndërkohë që gjendja e të plagosurve të tjerë në Bulqizë është nën kontroll”. Ministri Vasili ka shpjeguar dhe në lidhje me situatën shëndetësore të dy të plagosurve rëndë, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak. “Dy të plagosurit rëndë tashmë janë në trajtim mjekësor. Salla e operacionit është një ‘betejë’ më vete, nëse do ta quanim kështu, pasi në çdo moment mund të përballesh me situata të reja. Mjekët po punojnë, ndërhyrja mund të zgjasë në kohë, ne e kemi të pamundur të bëjmë një parashikim të plotë. Në çdo moment që ata punojnë mbi këta pacientë, mund të zbulojnë dhe problematika të reja dhe në bazë të këtyre problematikave bëhet vlerësimi i gjendjes dhe taktika që do të ndiqet për kurimin e tyre. Primare dhe mbi të gjitha është beteja për të fituar jetën e këtyre pacientëve. Ekipi i mjekëve që po merren me ngjarjen është nga më të mirët në vend dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë. Më herët, në momentet e para të ngjarjes ministri Vasili ka informuar në lidhje me situatën e të plagosurve dhe masat shëndetësore që janë marrë. “Të gjitha spitalet janë në gatishmëri, jo vetëm Bulqiza që ishte ndihma e parë, por dhe Burreli si spital rajonal më i afërt. Ndërkohë një grup me mjekë kirurgë, reanimatorë janë nisur drejt spitalit të Bulqizës. Në kohën më të shkurtër të mundshme u arrit të transportoheshin rastet më të rënda, të cilat janë në Spitalin Ushtarak, e sigurisht që transporti i tyre është bërë brenda një kohë minimale. Pjesa tjetër e të plagosurve po ndiqen në spitalin e Bulqizës, por me specialistë të tjerë të dërguar nga Tirana. Po ndjekim hap pas hapi situatën e çdo të sëmuri, ndërkohë që kemi dërguar helikopterët tanë sërish në vendngjarje për të siguruar transportin në rast të çdo komplikacioni të mundshëm. Të dhënat e deritanishme që kemi nga personeli mjekësor atje na bëjnë të jemi në gatishmëri të posaçme, për të zgjidhur problematikën e shpëtimit të jetës, pasi në këtë moment kjo është ajo që ka rëndësi”, - ka pohuar ministri Vasili. Ai ka bërë të ditur se situata po ndiqet në çdo moment nga mjaft mjekë nga spitali i Bulqizës, por dhe grupe të specializuara të dërguara nga Tirana në mënyrë të veçantë, të cilët janë në komunikim on line me stafin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të gjitha spitalet janë në gatishmëri, jo vetëm Bulqiza që ishte ndihma e parë, por dhe Burreli si spital rajonal më i afërt. Ndërkohë një grup me mjekë kirurgë, reanimatorë janë nisur drejt spitalit të Bulqizës.

FAQJA 3

Taf Koleci: Ngjarjen e kishim paralajmëruar

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, ai i punonjësve të Industrisë, Taf Koleci dhe minatorët thonë se ngjarja nuk ishte e papritur. Ata fajësojnë METE-n për neglizhencën e treguar për rifillimin e punës në minierë pa u siguruar më parë të gjitha frontet. Nikollaj tha se ministri i METE-s duhet të dorëhiqet, ndërkohë që shkaktarët e ngjarjes duhet të vihen para ligjit. Në lidhje me ngjarjen e ditës së sotme, ku nga shpërthimi i gazit metan humbi jetën një minator dhe u plagosën 8 të tjerë, prej të cilëve 3 në gjendje më të rëndë, kanë reaguar edhe minatorët sindikalistë. “Kjo është një ngjarje e paralajmëruar, - thotë Dilaver Përkoxha, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, - pasi protesta jonë 3-mujore u bë pikërisht për përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë”. “Mbaroi greva, por jo historia”, - thotë një tjetër sindikalist, i cili kërkon që ministri i METE-s, Nasip Naço, të japë dorëheqjen për ngjarjen e ndodhur gjatë ditës së sotme në minierën e Bulqizës. Ndërkohë minatorë, specialistë të minierës thonë se galeria duhet të specifikohet me kushte të veçanta, ku përveçse punimeve minerare për punët kapitale për nxjerrjen e mineralit, duhet të krijohen edhe dhoma të posaçme për pushimin e punëtorëve me qëllim evitimin e shpërthimit të gazit metan, që është i pranishëm në galeritë e kësaj miniere.

Dëshmia

“Si i mbijetova shpërthimit

kur ndodhesha 150 metra larg”

BURREL Në repartin kirurgjikal të spitalit “Xhavit Mara” të Burrelit është shtruar njëri nga minatorët e mbijetuar pas shpërthimit të fuqishëm. Agim Përkola, 55 vjeç, babai i pesë fëmijëve, 26 vjet minator, thotë se shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Në një intervistë për MAPO-n ai ka treguar momentet e shpërthimit.

Pse ishit ju në atë front pune?

Katër ditë më parë ishte dhënë urdhër që në nivelin 17 të mos punohej, pasi në nivelin 16 kishte sasi të madhe gazi. Ishin kryer matjet dhe rezultonte që sasia e gazit ishte 2 %, nga 0.5 që është norma e lejuar. Drejtuesit e ndërmarrjes dhe të sektorit na kishin dhënë urdhër të montonim një tjetër ventilator, pasi vetëm kështu mund të ulej përqindja e gazit të dëmshëm.

Pse ishte shtuar sasia e gazit, pasi aty ju keni punuar prej shumë vitesh?

Nga niveli 16 deri në nivelin 20 është hapur një “vrimë” me sondë gjeologjike për t’i paraprirë hapjes së pusit të thellësisë, të cilin e kemi kërkuar ne minatorët gjatë protestave tona për tre muaj me radhë.

Ku ndodheshit në momentin e shpërthimit?

Unë dhe shtatë kolegë të mi ishim të paktën 150 metra larg shpërthimit, ndërsa Naim Shyti dhe një koleg tjetër po montonin një tub ajrimi që lidhte ventilatorin me tubat kryesorë të ajrimit. Ishin në momentet e fundit të punës, mirëpo ndodhi ajo që nuk e kishim menduar.

Çfarë ndodhi, a mund ta kujtoni?

Një llavë e madhe erdhi në drejtimin tonë. Trupat mbajtës të galerive nisën të bien. Po ashtu, inerte të shumta binin pa pushim. Ikëm me vrap. U zvarritëm nëpër baltë e ujë derisa u larguam nga vendi i shpërthimit. Pastaj erdhën shokët dhe na dërguan në spital. Ne u kërkuam të viheshin në kërkim të dy kolegëve që kishin qenë në krye të galerisë, Shytit dhe Çupit.

A jeni pyetur nga prokurorët?

Unë nuk jam pyetur ende. Tre minatorë, me urdhër të prokurorisë janë dërguar në spitalin e Peshkopisë. Me siguri po përpunohen për ta treguar ngjarjen siç duan drejtuesit e ACR-së. Unë do të them vetëm atë që kam parë e dëgjuar.

A keni qenë ju në protestat e organizuara nga minatorët?

Për tre muaj kam qenë në krye të turmës. Kam protestuar pikërisht për kushte më të mira pune, për paga më të larta, për kryerjen e investimeve dhe largimin e drejtorit të minierës, i cili sot paturpësisht thotë se fajtorë jemi ne minatorët.

Drejtori i minierës, Medat Zogu:

Dikush “ndihmoi” shpërthimin

Rreth mesditës, drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu bëri të ditur se shpërthimi i gazit nuk ka qenë pa arsye. “Dikush e ka ngacmuar, ndonjë shkëndijë, gazi nuk shpërthen nëse nuk do ishte ngacmuar nga jashtë”, - thotë drejtori. Sipas tij, në minierë para se të kryhen punime, në një sektor matet niveli i gazeve. Zogu tha se një grup i matjes së gazeve që përbëhet nga gazmatës dhe punonjës ajrimi, ka qenë në nivelin e 16-të të minierës dhe kanë kryer matjet e ajrimit, kurse minatorët ndodheshin në nivelin e 17-të, pra 200 metra larg zonës ku kryheshin matjet. Sipas Zogut, kanë qenë 2 punëtorë që po kryenin matjet, një prej tyre dhe Naim Shyti, minatori që u gjet i vdekur në minierë. “Vala e shpërthimit ka qenë tejet e fortë, duke goditur minatorët që ndodheshin larg zonës ku ndodhi shpërthimi”.

RISHM: Shpërthimi i hidrogjenit,

i paparashikueshëm

Reparti i Inspektimit të Shpëtimit të Minierave (RISHM) reagoi menjëherë pas incidentit të djeshëm në minierën e Bulqizës, zonë ku ky repart kreu inspektimet për të verifikuar nëse miniera plotësonte kushtet e sigurisë në punë. RISHM deklaron se në nivelin e 16-të të minierës, në pusin nr.2 punohej për strukturën e pusit. RISHM thekson se një shpërthim i paparashikueshëm hidrogjeni ka shkaktuar incidentin e rëndë që preku dhe nivelin e 17-të ku punonin minatorët. Drejtori i Repartit të Inspektimit dhe Shpëtim- Minierave, RISHM, Saimir Zekaj, i pyetur në lidhje me shpërthimin e gazit në minierën e Bulqizës deklaroi se “inspektorët tanë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të hetuar mbi shkaqet e saj”. “Ajo që mund të them është se para një muaji, RISHM ka kryer vëzhgimin e fundit në këtë zonë të minierës dhe u ka lënë detyra të caktuara për rehabilitimin e minierës specialistëve të kompanisë ‘Albanian Crom ACR”, - bëri me dije drejtori i RISHM. I pyetur për shkaqet e ngjarjes ai u shpreh se "është herët për t’i përcaktuar, pasi gjendja është tepër kaotike dhe momentalisht po punohet për pastrimin e zonës dhe më tej do fillojë ekspertiza të kryejë hetimet e saj”, - përfundoi Zekaj.

Rama: Opozita do

vendosë drejtësi

TIRANË- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vizituar minatorët e plagosur, të cilët janë të shtruar në Spitalin Ushtarak. Kryesocialisti Rama ngushëlloi minatorët për humbjen e kolegut të tyre, ndërkohë që u uroi shërim të shpejtë të plagosurve. “Kryetari Edi Rama vizitoi minatorët e plagosur pas tragjedisë së radhës në Bulqizën e tradhtuar nga shteti dhe të mbytur në zgafellën e korrupsionit qeveritar. Edi Rama ngushëllon familjen e minatorit të vrarë dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve, solidarizohet edhe një herë me Bulqizën e me të gjithë skllevërit e korrupsionit qeveritar në Bulqizë”, - u shpreh Rama. Kryesocialisti Rama premtoi se opozita, me të ardhur në pushtet do vendosë drejtësi për atë që ai e quajti ‘plagë e korrupsionit shtetëror’. “Kryetari i opozitës garanton bulqizakët dhe mbarë qytetarët shqiptarë se me të ardhur në qeveri, Aleanca për të Ardhmen do të bëjë drejtësi për të gjitha plagët e tmerrshme të korrupsionit shtetëror”, - theksoi Rama.

ACR pret përgjigjen e ekspertëve për të zbuluar shkaqet

TIRANË Kompania ACR ka reaguar në lidhje me ngjarjen më të fundit në minierën e Bulqizës, ku 1 minator humbi jetën, ndërkohë që 8 të tjerë mbetën të plagosur. ACR ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e minatorit Naim Shyti dhe nënvizon se do të kujdeset për trajtimin shëndetësor të të plagosurve. “ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit, Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”, - thuhet në reagimin e ACR-së.

ACR në reagimin e saj ka sqaruar mënyrën si ka ndodhur shpërthimi, ndërkohë thekson se do jenë ekspertët e Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave që do të përcaktojnë shkakun e shpërthimit. “Rreth orës 10:00, një aksident i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës. Gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE-n, është hasur një vatër hidrogjeni. Grupi ekspert i ajrimit, në përbërjen e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi, kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit, ka ndodhur shpërthimi i gazit. Si pasojë e këtij shpërthimi, punëtori i ajrimit Naim Shyti ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Arsyeja e shpërthimit ende nuk është e ditur, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun”, - thekson ACR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›