Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, larmi shfaqjesh për fetat e fundvitit

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, në kuadër të festave të fundvitit, ka përcaktuar një kalendar të ngjeshur me aktivitete artistike. Zhani Ciko, drejtori i TKOB, tha se “festimet e festës tradicionale të Vitit të Ri kanë lidhje organike me kremtimin e 55 vjetorit të jubileut të këtij teatri, i cili gjatë këtij viti solli disa premiera në skenë”. Ai tha se në prag të festave të fundvitit, teatri do të prezantohet me një premierë koreografike siç është baleti “Kopelia”, që do të vihet në skenë nga koreografi dhe balerini i mirënjohur Ilir Kerni, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja. "Ata po punojnë intensivisht për ta dhënë këtë premierë në datën 22 dhjetor dhe gjatë ditëve të festave",tha ai duke shtuar se, "Kopelia",është një nga veprat më brilante koreografike të periudhës të romanticizmit, e cila vjen me skenografi të kroates Viesna Vagner ". Ciko tha se në mbrëmjen e Krishtlindjeve në TKOB do të kremtohet 15 vjetori i korit “Pax Day”, me dirigjente mjeshtren Suzana Turku, një premierë që do të sjellë një program të pasur të këtij formacioni të rëndësishëm koral. Sipas Cikos, tashmë është bërë tradicionale dhe “Balloja e Madhe e Operas, gjatë së cilës spektatorit elitar i krijohet mundësia të jetë në të njëjtën kohë pjesë e këtij vallëzimi të madh që mbyll vitin 2008. "Në këtë ballo do të ketë mjaft surpriza, të ftuar dhe një mënyrë organizimi që i ngjason një stili vjenez, nga e cila është marrë dhe ideja e kësaj mbrëmjeje, që do të shfaqet në 30 dhjetor", tha Ciko. Trupa e TKOB, kori, Orkestra Simfonike dhe solistë të ndryshëm do të intepretojnë pjesë nga krijimtaria e autorëve vjenezë Johan Shtraus, Eduard Shtraus, si dhe Çajkovskit, Verdit, etj. Ky aktivitet do të drejtohet nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, i cili për herë të parë drejton një shfaqje të tillë, sqaroi Ciko.
...