E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për SHISH është antikushtetues

02/03/2010 Kundërshtimi i PS-së

Partia Socialiste vlerëson se ndryshimet e propozuara nga Qeveria për ligjin mbi të cilin funksionon Shërbimi Informativ Shtetëror janë tërësisht antikushtetuese. Deputeti socialist Ilir Gjoni, ka thënë dje se projektligji është një përpjekje e radhës e Kryeministrit Sali Berisha, për të uzurpuar për interesa politike dhe personale Shërbimin Sekret Shqiptar. Gjoni argumentoi pretendimin e tij, duke thënë se precedentët e kreut të Qeverisë me Shërbimin Informativ janë ogurzeza. “Devijimet kushtetuese dhe shkatërrimi total që SHISH-i pësoi kur drejtohej nga ky person, gjatë kohës që ishte President i vendit, bën që çdo iniciativë e tij për të ndërhyrë në këtë shërbim të jetë e pamoralshme dhe e dyshimtë”, tha ligjvënësi socialist. Reagimi i Gjonit vjen në një moment kur drafti ligjor është miratuar nga Qeveria dhe ka kaluar në Kuvend për shqyrtim. Në analizën e tij, deputeti i PS-së pretendon se ndryshimet prekin katër nene thelbësore të ligjit aktual dhe konkretisht: detyrat e SHISH-it, ato të drejtorit të tij, statusin e drejtuesve, si dhe bashkëpunimin e këtij shërbimi me ato partnere. Gjoni ka kundërshtuar me forcë vendosjen e afatit prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, për qëndrimin në detyrë të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›