E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, përmirësohet situata, por qindra ha ende nën ujë

02/03/2010 Ulet niveli i ujit si dhe prurjet nga hidrocentralet. Vazhdon furnizimi me ushqime i disa zonave

SHKODER- Përmirësimi i situatës hidrike në zonën e Nënshkodrës ka zvogëluar hartën e tokave të përmbytura. Sipas vetë banorëve të komunave të përmbytura, niveli i ujit gjatë 24 orëve të fundit ka rënë me 20 centimetra, ndërkohë që mungesa e reshjeve ka dhënë tepër shpresë se uji do largohet shumë shpejt. Nga ana tjetër prefekti i qarkut të Shkodrës, njëkohësisht dhe shefi i Shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Shkodrës, Maxhid Cungu, ka bërë të ditur se përveç mosrënies së shirave gjatë tre-katër ditëve të fundit situata është përmirësuar ndjeshëm në zonat e përmbytura sidomos nga pakësimi i shkarkimeve të ujërave nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. “Pavarësisht përmirësimit të kësaj situate, thekson Cungu, ka ende sipërfaqe të mëdha nën ujë tek të cilat punohet për mbajtjen nën kontroll të situatës”.

Situata

“Sot jemi në situatë më të qetë. Hidrocentrali i Vaut të Dejës shkarkon 850 metra kub në sekondë çka ka ndikuar në uljen e nivelit të ujit qoftë në argjinaturën e Dajçit, qoftë në sipërfaqet e përmbytura. Në zonën e Bushatit është e njëjta gjendje, pasi atje uji shkarkohet në fund, kështu që zgjat dhe procesi i largimit të ujit në këtë zonë. Vazhdojnë punimet si në fshatin Ashtë, ku punohet përsëri për plotësimin e projektit emergjent që u nis për ngritjen e një argjinature devijuese që ka rezultuar shumë i suksesshëm deri tani. Gjithashtu në Daragjat vazhdon puna për riparimin e pritave. Po kështu dhe tek argjinaturat e Çasit ku rezulton të jetë një ndërhyrje e suksesshme. Është lartësuar argjinatura në rreth 700 metër kub në sajë të hedhjes së inerteve dhe argjilës, që ka bërë të mundur shmangien e rrezikut të dëmtimit për herë të dytë të kësaj argjinature, që është një vepër shumë e rëndësishme”, ka sqaruar prefekti Maxhid Cungu. Njëkohësisht prefekti Cungu ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për shpërndarjen e ushqimeve dhe ujit në zonat e përmbytura, ndërkohë që vijon shpërndarja e bazës ushqimore për bagëtinë. Shtabi i Emergjencave Civile ka marrë të gjitha masat për shpërndarjen e koncentrateve për bagëti në fshatrat e përmbytura të Çasit të komunës Velipojë, fshatit Obot të komunës Ana e Malit, si dhe në fshatin Darragjat të komunës Dajç. Njëkohësisht në këto zona punohet për kthimin e situatës në normalitet.

Ushqimet

“Ushqimet dhe koncentrati është duke u shpërndarë vetëm në ato zona që paraqiten problematike. Kuptohet që ato fshatra që nuk kanë më përmbytje, ndihmat ushqimore nuk kanë më kuptim, pasi ato fshatra i janë kthyer jetës normale. Asistohen me ushqime për blegtorinë familjet në komunën e Velipojës, ku po shpërndahet koncentrat për bagëtinë. Po kështu në zona të tjera si Bushat, Dajç, Obot ka pasur shpërndarje të koncentrateve gjatë gjithë ditës së djeshme, të cilat mjaftojnë për 3-4 ditë”, theksoi prefekti Cungu. Përmirësimi i situatës hidrike në zonat e përmbytura nuk e ka zbehur aspak gatishmërinë e strukturave të sigurisë, të cilat po qëndrojnë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë banorëve në rast të rikthimit të prurjeve të mëdha ujore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›