3 mijë vjet në rrezik!
Nisur nga situatat e krijuara nga reshjet e dendura dhe pasojat e tyre në veri të vendit, por edhe për kujdesin ndaj zbulimeve dhe vlerave antike, Ministria e Kulturës ka gati një plan konkret për mbrojtjen e Amfiteatrit më të madh antik në Ballkan, ai i Durrësit, për ta mbrojtur atë dhe vlerat e tij të rralla, nga përmbytjet e mundshme. Amfiteatri antik i Durrësit shumë shpejt, madje brenda vitit 2010, do t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje restauruese, duke synuar mbrojtjen e tij nga përmbytjet. Projekti, që tashmë do kalojë në tenderim, parashikon disiplinimin e ujërave që përmbytin basenin e arenës.
Specialistët e ministrisë deklarojnë se “ky është një problem që duhet të marrë zgjidhje, restaurimet ne i bëjmë çdo vit, por ndërhyrja për të shmangur ndonjë përmbytje të mundshme do të jetë urgjente në Amfiteatrin e Durrësit”. Pavarësisht se gërmimet arkeologjike vazhdojnë në amfiteatër, ende nuk është zbuluar sistemi i tij natyral i dranazhimit. Porta jugore ku është vendosur ky sistem, i cili do të siguronte largimin e ujërave, ende nuk ka dalë në dritë. Ndërhyrja bëhet e domosdoshme kur përmbytjet e vazhdueshme rrezikojnë të vetmin mozaik mural që ekziston afër kapelës funerale.
Sipas specialistëve, ky mozaik, i vetmi mural në Shqipëri, është unikal dhe për Ballkanin. Specialistët durrsakë të monumenteve kanë vendosur të ndërhyjnë para se ujërat të prishin sportin, ku mbështeten gjithë teserat, që do të sillte edhe shkëputjen e gjithë paneleve nga faqja e murit. Ky projekt vjen si një bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës me specialistin Spiro Nika, inxhinieren Alma Reka dhe Drejtorinë e Kulturës Kombëtare të Durrësit me drejtor Ilir Tërpon. Sipas tyre, “ndërhyrja që pritet të fillojë urgjentisht, do të sigurojë një sistem të ri dranazhimi dhe do të instalohen dy pompa, njëra që punon me karburant dhe një tjetër që do të punojë sipas nivelit të ujërave të basenit”. Periudha e punimeve do të zgjasë rreth 1 muaj, ndërkohë që fondi i akorduar është 1 milion lekë të rinj. Do të punohet edhe te hyrja veriore e nivelit të dytë, ku do të përforcohet pjesa e harkut. Punime do të bëhen edhe në pjesën e galerisë eliptike dhe do të pastrohen e sistemohen disa ambiente në sektorin verilindor. Në afërsi të tij ndodhen disa banesa qytetare, që shpesh e ndotin amfiteatrin nga rrjedhjet e ujërave që përdorin në to. Disiplinimi i tyre do të bëhet në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Sipas projektit, nuk është parashikuar të bëhen ndërhyrje restauruese, sepse në bashkëpunim me Universitetin e Parmës është hartuar një projekt për rijetëzimin e këtij monumenti unikal. Por, gjithçka do të varet nga ecuria arkeologjike dhe largimin e tri godinave të banimit që janë mbi territorin e arenës. Të vetmit mozaik mural që ndodhet në Amfiteatrin antik të Durrësit, studiuesit ende nuk i kanë dhënë një datim të saktë. Janë tre periudha që lakohen, e para të çon në shek. VI para Krishtit, një në shek. X dhe një në shek. XIII. Paraqitja e tij është ikonografike dhe kemi të bëjmë me tema të kultit kristian, atje të shfaqet qartë Zeusi, portreti i Shën Sofisë, Shën Irinit.
Përmbajtja e plotë e tij dhe se kujt i dedikohet ende nuk është përcaktuar. Edhe vitin e shkuar pati një ndërhyrje në këtë mozaik për të bërë pastrime deri në nivelin e përmbytur. Projekti i paraprin rrezikut të përmbytjeve të vlerave të tilla që mbart brenda tij Amfiteatri antik.
Reflektimi nga faza fillestare krijuese, apo mbi lëvizje të mendimit përtej mbylljes së artistëve në strofullën e tyre - prej së cilës e kanë frikë debatin, lëvizjen e ideve