Projektligji për profesionet e vështira,kush përfiton
Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka hartuar një projektligj për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira. Projektligji parashikon mbështetje financiare ,për personat që kanë punuar në profesione të vështira e të rrezikshme. Përfitojnë mbështetje financiare nga ky draft punonjësit e kategorisë të kategorisë së parë, në moshën 55 vjeç për burrat dhe në moshën 50 vjeç për gratë. Në projektligj thuhet se kusht për këtë trajtim të veçantë është periudha e sigurimit për 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet duhet të jenë punë të kategorisë së parë në nëntokë, ose 30 vjet punë nga të cilat jo më pak se 22 vjet e 6 muaj të jenë në punë të kategorisë së parë.
Projektligji
Hartimi i këtij projektligji është ndërmarrë pas kërkesave të vazhdueshme të sindikatave për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës (KKP),e drejtuar nga Ministri i Punës, Spiro Ksera me kërkesë të përfaqësuesve të sindikatave, u diskutua projektligji “Për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira dhe të rrezikshme”. Drejtori i Drejtorisë së Politikave për Pagat dhe Pensionet në Ministrinë e Punës, Astrit Kuka, prezantoi risitë e projektligjit të hartuar. Kuka u shpreh se shkak për hartimin e këtij drafti u bën kërkesat e vazhdueshme të sindikatave për trajtimin e punonjësve të profesioneve të vështira. Këto kërkesa u morën parasysh nga qeveria, e cila me Urdhërin nr. nr.28, datë 5.2.2010, ngriti grupin e punës për trajtimin e këtyre kërkesave me qëllim propozimin e projekt-akteve të nevojshme ligjore”. Kuka sqaroi se drafti është konsultuar me grupet e interesit dhe është bazuar në një studim paraprak të legjislacionit të vendeve të tjera.
Përfituesit
Nga projektligji për trajtimin e veçantë të punonjësve profesioneve të vështira përfitojnë rreth 300 mijë persona në të gjithë vendin. Kuka sqaroi se “Projektligji parashikon mbështetje financiare për punonjësit që kanë punuar në punë të vështirë, të kategorisë së parë në moshën 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë. Nga ky projektligj parashikohet që të përfitojnë rreth 3000 persona. Këshilli Kombëtar të Punës miratoi Projekligjin nga i cili përfitojnë punonjësitë që punojnë në profesione të vështira e të rrezikshme. Këshilli kërkoi kalimin e këtij projektligji, sa më shpejt për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Këshilli Kombëtar i Punës është konsultuar me grupet e interesit për hartimin dhe miratimin e këtij drafti nga i cili do të përfitojnë rreth 3 mijë persona që punojnë në profesione të vështira, siç janë puna në nëntokë pra në miniera.
28 Korrik 2010