Divorci Mula-Çako, gjykata thërret djalin për ta pyetur se me kë do të qëndrojë
Çifti i njohur, Inva Mula dhe Pirro Çako, nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët mbi kujdestarinë e djalit të vetëm. Gjyqtarja që po shqyrton divorcin ka vendosur dje që në seancën e 17 marsit të paraqitet djali, ku do të pyetet në prani të tre psikologëve se pas ndarjes së prindërve me kë do të qëndrojë. Divorci mes sopranos dhe kantautorit ka nisur gati prej një viti dhe ende nuk ka marrë formën e tij përfundimtare. Palët në këtë proces po komunikojnë vetëm nëpërmjet avokatëve që përfaqësojnë të drejtat e tyre. Kjo si duket e ka vështirësuar shumë mundësinë për të rënë dakord mbi disa momente të domosdoshme që kërkohen kur bëhet ndarja ligjore e martesës. Vetëm një seancë më parë, meqë nuk kishin rënë dakord, një psikologe ka qenë në shtëpitë e Inva Mulës, por edhe në atë të Pirro Çakos. Përballë kësaj situate, gjyqtares i duhet të vendosë vetë se cili prind do të ishte zgjidhja më e mirë për djalin. Prej disa muajsh psikologia ka realizuar takime disa herë me Inva Mulën edhe Pirro Çakon. Ndërkohë është parë dhe rrethi miqësor që kanë ata në jetën e përditshme, aktiviteti ditor si dhe kushtet ekonomike. Mësohet se këto të fundit janë një nga pikat kyçe që ndikojnë në dhënien e kujdestarisë, pasi mendohet për mirëqenien e fëmijës. Psikologia ka biseduar edhe me djalin për të parë gjendjen emocionale të tij se me kë dëshiron dhe ndihet më mirë ai që të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke hequr dorë kështu nga qëndrimi me prindin tjetër. Ndërsa tani djali do të shprehë dëshirën e tij përballë gjyqtares. Çifti i njohur prej vitesh jeton larg njëri-tjetrit. Në prill të vitit të kaluar ka qenë sopranoja që ka marrë nismën ligjore që kjo ndarje tashmë të kthehej në një divorc zyrtar mes tyre. Për Inva Mulën divorci ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e momentit për shkak se ata kishin vite që jetonin në largësi. Ajo me të birin jetonin në shtëpinë e tyre në Paris, ndërsa Pirro në kryeqytetin shqiptar dhe ishte i angazhuar me karrierën e tij artistike. Kjo arsye nuk është pranuar nga kantautori si e vlefshme për të kërkuar divorcin. Ai, nëpërmjet avokatit, i ka kërkuar që të tregojë arsyet e vërteta pse ajo po kërkon divorcin. Aktualisht procesi ka mbërritur në fazën e kujdestarisë së fëmijës, vendim që do të jepet në seancat e radhës në Gjykatën e Faktit.
18 Shkurt 2010