E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigaret, kompanitë prodhuese detyrohen të reklamojnë çmimet e shitjes me pakicë



Kompanitë e prodhimit dhe tregtimit të cigareve pritet t’i nënshtrohen një rregulloreje të re për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila pritet të rrisë edhe sasinë reale të tatimit të paguar nga këto subjekte. Një udhëzim i ri i Ministrisë së Financave, i cili u publikua dje, detyron kompanitë e cigareve të publikojnë në minimalisht dy gazeta, çmimet maksimale të shitjes me pakicë të cigareve, çmime mbi të cilat do të paguajnë edhe TVSH-në. “Furnizuesit kryesorë janë të detyruar të deklarojnë çmimin maksimal të shitjes me pakicë për çdolloj pakete dhe çdolloj cigareje. Furnizuesit janë të detyruar të publikojnë deklaratën e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë në jo më pak se dy gazeta ditore nacionale. Për efekte marketingu, çmimet maksimale mund të vazhdojnë të publikohen në çdo media të shkruar apo elektronike për aq kohë sa këto çmime janë në fuqi”, thuhet në udhëzimin e ri. Dy vjet më parë, MF-ja i detyroi kompanitë e cigareve dhe të karburantit të paguajnë TVSH-në mbi çmimin final të shitjes së këtyre produkteve, gjë që rriti efektivisht edhe taksat e paguara nga konsumatori. Por gjatë zbatimit të rregullit të ri, u vu re fakti se shitës të ndryshëm cigaresh, zbatojnë çmime të ndryshme shitjeje, të cilat variojnë zakonisht me 10 lekë për paketë. Synimi i udhëzimit të fundit është që edhe 10 lekëshi të mos mbetet pa u taksuar. Qeveria duket se është në vështirësi të konsiderueshme financiare dhe po synon prej kohësh të zgjidhë problemet e veta përmes rritjes së taksave. Akciza mbi cigaret u rrit me 10 lekë për paketë pak muaj më parë, gjë që solli një rritje të çmimit final me 10-20 lekë për paketë. Që nga viti 2005, akciza e cigareve është dyfishuar nga 25 lekë për paketë në 50 lekë për paketë. Rritje me dy apo tri herë ka pësuar edhe akciza e naftës, birrës apo kafesë.

Ruli në Shkodër: Plan për mbrojtjen e zonave nga përmbytjet

Krahas ndërhyrjeve të emergjencës ministria e Bujqësisë po harton një plan të integruar për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave të përmbytura në Shkodër. Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, i shoqëruar nga deputeti i zonës Gjokë Uldedaj, pas një inspektimi në Komunën Bushat kanë diskutuar për ndërhyrjet e nevojshme edhe në Qarkun e Shkodrës.
"Një ndërhyrje të plotë për të rehabilituar gjithçka nga ato që u konstatuan gjatë kësaj përmbytjeje, që u dëmtuan. Janë dhjetëra miliona dollarë dhe janë të pamundura për tu realizuar brenda këtij viti, po ne sidoqoftë ndërhyrjen më të shpejtë do e bëjmë për të shmangur ato dëmtime që rrezikojnë standardin e sotëm të mbrojtjes, qoftë nga argjinaturat, nga pritat, hidrovoret, apo kanalet",- tha ministri i Bujqësisë. "Gërshetimi i bujqësisë me turizmin dhe me sektorë të tjerë është një domosdoshmëri e kohës, janë sfida, janë programe të qeverisë së Partisë Demokratike për ta parë bujqësinë në këto katër vite si një sektor prioritar",- u shpreh deputet i PD-së në Shkodër, Uldedaj. Drejtuesit lokalë raportuan se grupet e vlerësimit pothuaj e kanë përfunduar punën në të gjithë familjet dhe brenda javës përfundon hartimi i dosjeve për dëmshpërblimin e banorëve që e pësuan nga përmbytja e fillimit të janarit. Ministri Ruli, ka garantuar se zona e tyre edhe për shkak të përmbytjeve do të jetë një prioritet.

Studimi, gjurma e gassjellësit shmang parqet kombëtare

Kompania zvicerane “Gazsjellësi Trans-Adriatik” (TAP) njoftoi dje se ka përzgjedhur gjurmën nga do të kalojë gazsjellësi në territorin shqiptar dhe ka shmangur kalimin e tij përmes Parkut Kombëtar të Hotovës në Përmet. “Rruga e përzgjedhur synon të shmangë zonat e banuara, si dhe zonat ambientale të mbrojtura në Shqipëri dhe Itali”,- deklaroi TAP në një njoftim për shtyp. “Gazsjellësi Trans-Adriatik” synon të marrë gazin e Azisë Qendrore që do të transportohet përmes tubacioneve ekzistuese deri në Greqi, për ta kaluar përmes Shqipërisë dhe detit Adriatik në Itali. Me një gjatësi prej 520 kilometrash nga të cilat 200 kilometra janë në territorin shqiptar, TAP synon të transportojë 10 miliardë metër kub gaz në vit. Me një kosto prej 1.5 miliardë dollarësh, TAP është vetëm një prej projekteve që synon të krijojë Korridorin Energjetik Jugor në Europë. Projekte të tjera konkurrente janë Nabuko, i cili mbështetet zyrtarisht nga Bashkimi Europian dhe Rryma e Jugut, i cili mbështetet nga Kremlini.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›