E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Nuk ka ende një projekt për centralin bërthamor”



Ervin KOÇI

Shqipëria megjithëse pretendon që të jetë një mini-superfuqi në rajon për prodhimin e energjisë elektrike, duket se deri tani nuk i ka të qarta projektet për realizimin e kësaj ideje. Një gjë e tillë duket se është edhe me projektin për centralin atomik, aq shumë të përfolur kohët e fundit. Sipas Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, vendi nuk ka një projekt të shpejtë në zhvillimin e energjisë atomike. Madje ministri Prifti ka hedhur poshtë edhe zërat se centrali do të ndërtohet në Shkodër. Sipas tij, “nuk ka ende një ide të qartë për të konkretizuar këtë nisëm, as në Shkodër dhe as në ndonjë vend tjetër të Shqipërisë. Madje ky projekt edhe pse ka 3 vjet që debatohet është ende në fillesat e tij”,- ka deklaruar ministri Prifti. Ai ka vijuar më tej duke thënë se: “Jemi ende në fazën e hartimit të kuadrit ligjor, i cili do të na çojë në realizimin e projektit në të ardhmen. Aktualisht po punohet për përpunimin e këtij kuadri mbi bazën e të cilit do të funksionojë edhe Agjencia Bërthamore”. Këto deklarata Prifti i bëri gjatë një takimi me ministrin e Ekonomisë së Malit të Zi, Branko Vojovic. Gjatë këtij takimi nuk është lënë pa përmendur nisma e kryeministrit Berisha, për të shndërruar Bunën në një lum të lundrueshëm. Sipas zyrtarëve, dy vendet janë në fazën e gjetjes së donatorëve për realizimin e këtij projekti. Në këtë takim janë biseduar edhe projekte të tjera me vlerë mes dy vendeve fqinje.

Linja e transmetimit
Linja e interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë do të përfundojë, brenda këtij viti. Ministri i Ekonomisë, Prifti ka dhënë garancinë sëbashku me homologun e tij malazez Vojovic. “Kemi folur për shumë projekte të përbashkëta, për linjën e transmetimit të energjisë 400 kilovolt, për të cilën të dy palët Shqipëria dhe Mali i Zi kanë dhënë garancinë se linja përfundon brenda këtij viti, për të mundësuar transmetim më të lirë të energjisë mes dy vendeve”,- theksoi Prifti. E nisur në fund të vitit 2007, linja e transmetimit 400 kilovolt mes dy kryeqyteteve me një gjatësi 155 kilometra, do të mundësojë shkëmbimet e energjisë me kosto më të lirë. Por gjatë një dalje për shtyp, ministri ju përgjigj edhe interesit të gazetarëve, lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike që janë hasur ditët e fundit. Ministri Prifti pranoi situatën, por mohoi që ato të jenë kufizime në bazë grafiku. Sipas tij, ka ndërprerje që nisin nga 1 deri në 3 orë në ditë, por ato ndodhin si pasojë e defekteve sporadike të ndodhura në linja apo transformator.

Investimet në infrastrukturë
Gjatë takimit, ministrat e dy vendeve fqinjë diskutuan edhe çështje që lidhen me bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturën në rajon. Ministri malazez tha se infrastruktura rrugore është një nga elementet kryesorë në këtë drejtim. "Duhet të punojmë në të dy anët e kufirit për një infrastrukturë rrugore që do të ndihmojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe turizmit”,- ka deklaruar ministri malazez i Ekonomisë. Projektet e përbashkëta në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës janë diskutuar edhe gjatë takimit që ministri malazez i Ekonomisë zhvilloi me kryeministrin e vendit, Sali Berisha.

18 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›