Mazhoranca pranon diskutimin nga e para të ligjit për gjyqësorin
Reforma në drejtësi
Mazhoranca bie dakord që të nisë diskutimin nga e para të projektligjit për "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". Pavarësisht se ky draft-propozim kishte kaluar një herë më parë për diskutim në Komisionin e Ligjeve, shumica qeverisëse, në vijim edhe të klimës së konsensusit, ka pranuar kërkesën e opozitës për të diskutuar edhe një herë të gjitha pikat që përmban ky propozim. Grupi miks i relatorëve i Komisionit të Ligjeve, i përbërë nga deputetët Spiro Peçi, Arben Isaraj, Aldo Bumçi dhe Arenca Trashani, ka vendosur që të miratojë me konsensus dhe të paraqesë për diskutim në komision, nenet e para të projektligjit në fjalë, nene të cilat kanë të bëjnë kryesisht me dispozitat e përgjithshme dhe organizimin dhe funksionimin e gjykatave. Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në grupin e punës të ngritur në mbledhjen e parë për këtë vit të Komisionit të Ligjeve, ekziston fryma e përgjithshme për të kaluar me pëlqimin e të gjitha palëve projektligjin, por duke pranuar dhe vërejtjet që kishin bërë më parë përfaqësuesit e opozitës. Megjithatë, sipas Bumçit, do të jetë Komisioni Parlamentar i Ligjeve ai që do të vendosë për formën përfundimtare të neneve që janë miratuar paraprakisht nga relatorët. Komisioni i Ligjeve pritet të mblidhet sot në mbledhjen e radhës, për të diskutuar pikërisht materialet e para të përgatitura nga grupi i punës. Drafti në fjalë është konsideruar si një pjesë e paketës së propozimeve për reformën në drejtësi, që Partia Demokratike pritet të propozojë në ditët në vijim. Sipas projektit në fjalë, synohet që për herë të parë të krijohet Gjykata Administrative, e cila fillimisht është menduar që të funksionojë në dy nivele në Tiranë, si Gjykatë e Shkallës së Parë dhe Gjykatë e Apelit. Gjithashtu, në të parashikohet edhe shkrirja e Gjykatave Ushtarake, pasi nuk justifikojnë ekzistencën e tyre, si nga pikëpamja funksionale dhe ajo ekonomike. Një tjetër risi që përmban ky projektligj është edhe ai që ka të bëjë me ndarjen e çështjeve për gjykim. Kështu, propozohet të unifikohet mënyra e ndarjes së çështjeve, mënyrë e cila do të caktohet me Vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.