Që “nuk ka shtet” të mos jetë më një metaforë e shpeshtë dhe e hidhur
Nga Artan Mullaj
Njeriut shqiptar i nevojitet një energji e re intelektuale që ta yshtë atë të mendojë ndryshe lidhur me qytetërimin dhe kulturën në përgjithësi. Por a mund të ndodhë kjo?Vështirë të gjendet një dinamikë që do mund të ndryshonte perceptimin popullor për civilizimin,aq më shumë që shoqëria shqiptare ngjan thellësisht e zhgënjyer e besimhumbur nga përditshmëria,nga siguria e munguar,nga tranzicioni i gjatë,nga klasa politike, madje edhe nga niveli qytetar, çka do të thotë se propaganda “kockë e lëkurë”, programet sensibiluese apo projektet shtetërore për qytetërim,të cilat publikohen hipokrizisht me gjithfarë mënyra, nuk bëjnë më efekt! Brezi udhëheqës i tranzicionit,që i jetoi të dyja epokat,herë në varfëri e herë në anarki nga njëra anë dhe rinia problematike dhe zhgënjyese e tranzicionit nga ana tjetër,duken të infektuar nga virusi i ambientimit me realitetin e neveritshëm të ditës,që është natyrisht vepra e tyre. Ambientimi i pabesueshëm me këtë realitet të varfër edhe të pistë, që është “ku thërret kiameti”, gjeneron gjithherë një psikozë të keqe riambientimi me mizerjen e ditës dhe kështu pa mbarim. Kjo ligjësi ka vorbulluar sidomos klasën politike,-infrastrukturën e shoqërisë sonë-e cila është gjithashtu “Ku na mblodhe moj kasolle”dhe është edhe ajo në një rreth vicioz mediokriteti të identitetit.
Për ti shpëtuar mallkimit të errësirës, shumëkush e shumëherë mund të guxojë “të ndezë një qiri” në një përpjekje për të ndriçuar gjithëçfarë mund të bëhet. Teorikisht njihen sugjerimet modeste,të cilat unë po i përsëris pasi i besoj totalisht dhe po i shënoj me merakun dhe përshtypjen se pothuaj është e kotë të supozosh që sinjalet analitike shkojnë në veshët e duhur:Se pari,klasa politike e ngarkuar për menaxhimin e tranzicionit tonë,duhet ti japë rëndësi maksimale,totalisht e urgjentisht, edukimit te brezit të ri,që do të thotë ndryshimi,reforma,vëmendja publike, revolucioni, duhet të fillojë nëpër të gjitha nivelet e shkollave tona. Investimet e mëdha dhe preokupimet e mëdha duhet të drejtohen pikërisht atje, drejt edukimit dhe qytetërimit të brezit të ri.. Në mënyrë absolute,më shumë se ndërtimi i rrugëve dhe objekteve publike, e rëndësishme është ndërtimi i shkollave dhe sigurimi i kushteve normale për edukimin normal të fëmijëve dhe të rinjve. Kujtoni se ç’edukim dhe ç’arsimim marrin gjimnazet e Tiranës me mbi 60 nxënës në çdo klasë dhe me ekipe mësuesish mitingashë e shpesh të paaftë,që masivisht kërkojnë para për kurse të paligjshme apo për nota kaluese. Dhe sillni ndërmend kushtet barbare ku zhvillohet mësimi. Numëroni drejtorët demokratë të Pollos, pa arsim dhe pa nivel përkatës. Përfytyroni një çast shkollat në fshat dhe edukimin e fëmijëve në zonat e largëta. Këtu pra duhet përqendruar investimi shqiptar duke investuar në fillim për dijen dhe për kulturën, dhe pastaj, me kohë, me radhë, për Kalimashin, për Ulqinin, për Gollobordën e ku di unë.
Së dyti, ashtu si përmendet shpesh dhe pa rezultat në shumicën e raporteve dhe fjalimeve te krerëve të shtetit, shoqëria duhet të priorojë kultivimin e civilizimit të popullatës çka, si thashë, duhet te jetë mjaft e vështirë,për të mos thënë e pamundur. Si e përmenda më lart, shqiptarët e tranzicionit vështirë të ndryshojnë psikologjinë e tyre me propagandë, me projekte të huaja edukuese, apo me programe qeveritare që kutërbojnë si gjithherë, si gjithkund, si gjithçka, aroma korrupsioni. Edhe pse instituticionale, iniciativa të tilla do vazhdojnë të dështojnë sikundër kanë dështuar deri tani. Atëherë ka vetëm një zgjidhje. Më shumë se nëpër rrugë dhe më shumë se nëpër shkolla, dhe më shumë se kudotjetër, shteti duhet të investojë në institucionin e zbatimit të rreptë, e përsëris,të rreptë,të ligjit,që do të thotë investime serioze të përqendruara për krijimin e të ashtuquajturit “shtet ligjor”.
Që fraza bulevardeske “këtu nuk ka shtet” të mos jetë më një metaforë e shpeshtë dhe e hidhur për përfaqësuesit,që presidenti i vendit të jetë sinqerisht krenar për drejtësinë në vendin që drejton,që qeveria të mund ti fshijë me sfungjer gabimet dhe mëkatet e së kaluarës, shteti duhet të impenjohet maksimalisht që të sigurojë zbatimin dhe respektimin e plotë të ligjeve të vendit. Kur qeveria nxori ligjin mediokër të ndalimit të pirjes së duhanit,edhe pse i tillë, përçapje naive dhe jashtë kohe,ky ligj dha prapëseprapë një rezultat të paparë për atë pak kohë që shteti e morri seriozisht zbatimin e tij. Edhe në fshatrat e largëta, ligji ligj, klientët nisën të kufizojnë tymosjen nëpër lokale nga frika e gjobave. Një rast tjetër, ligji policor për mbajtjen e detyrueshme të rripave të sigurimit!. Për sa kohe ky ligj ishte vetëm ligj, pothuaj nuk u zbatua nga askush; për sa kohë pastaj ky ligj u morr seriozisht dhe filloi të respektohej e zbatohej nga autoritetet, shikoni në trafik, më shumë se 90 për qind e qytetarëve qarkullojnë me rrip sigurimi, dhe kjo ndodhi jo aq nga respekti shqiptar për ligjin apo autoritetet, sa ndodhi për shkak te frikës së gjobës. Po kështu,ndonëse mediokër dhe i panevojshëm, është për tu përshëndetur jo fantazia e ministrit Nishani, por devotshmëria e tij për zbatimin me sukses të ligjit që detyron automjetet të qarkullojnë me drita të ndezura. Këto janë disa raste të thjeshta por janë shpresëdhënëse dhe mjaftojnë për të qenë ideprurëse; në qoftë se nuk mund të civilizohet popullata,as politika, me metoda të kota klasike,qytetarëve,por edhe politikanëve, mund tu imponohet ashpër respektimi i rregullave. Komuniteti, pushtetarët dhe të komanduarit, mund të edukohen duke i presuar fuqimisht të zbatojnë ligjin,duke ekspozuar e ndëshkuar shkelësit në çdo rast, në çdo kohë, në çdo hollësi, dhe kjo mund të vijë vetëm duke e forcuar ligjin vazhdimisht e me ndershmëri, në të gjitha aspektet.
Nëse krijimit të ligjeve i nevojitet inteligjencë dhe konstruktivitet, përkundrazi, zbatimi i tyre kërkon vetëm dëshirë njerëzorë dhe përkushtim njerëzor. Ne ligjet i kemi,kurse shoqëria shqiptare ka njerëz që e duan ndryshimin. Thjesht këta njerëz duhen gjetur e ftuar. Këtu fillon sfida. Klasa politike duhet të dalë nga robëria e emërimeve të detyrueshme të militantëve në drejtimin e vendit. Vendi ka mendje të ndritura! Mënjanimi i tyre e ka lënë kaq gjatë Shqipërinë në dëshpërimin e errësirës. Pikërisht këta përfaqësues të energjisë intelektuale të vendit, duhet të drejtojnë ekskluzivisht dhe fantazisht institucionin e ri të respektimit te ligjit, deri në fund.
14 Maj 2008