E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takon kryeministrin e Spanjës, Zapatero, merr mbështetje për anëtarësimin në NATO



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, merr nga Spanja garancinë për ratifikim të shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe mbështetje të gjithanshme në rrugën integruese për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut dhe në Bashkimin Europian. Në vizitën e parë të një kryetari Kuvendi të Shqipërisë në Spanjë, Jozefina Topalli zhvilloi një takim me kryeministrin e Spanjës, Jose Luis Rodrigez Zapatero. Kryeministri Zapatero e vlerësoi këtë vizitë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë si një vizitë shumë të rëndësishme, që do të nxisë të tjera shkëmbime vizitash mes dy vendeve dhe do të rrisë nivelin e bashkëpunimit. “Është shumë e rëndësishme për ne që Spanja ishte ndër vendet e para që ratifikoi MSA-në, Shqipëri-BE. Shpresojmë që gjithashtu, vendi mik spanjoll do të ratifikojë së shpejti edhe Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, - është shprehur Topalli. Kryeministri Zapatero e garantoi kryetaren e Kuvendit se procesi i ratifikimit të këtij protokolli nga Spanja do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, dhe se Spanja mirëpret anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO. Kreu i qeverisë spanjolle theksoi se është në pritje të vizitës së kryeministrit shqiptar Berisha në Spanjë.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›