E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Mbështesim mocionin e mosbesimit për shkarkimin e Berishës”

Kryetari i LSI-së: “Berisha të ndalë sulmet ndaj Prokurorisë”. Meta: “Përshëndesim shqetësimin e shprehur nga ndërkombëtarët

Shaban Sulçe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaron se LSI-ja do të kërkojë mocion mosbesimi për shkarkimin e kryeministrit Sali Berisha. “Jemi shumë dakord për çdo lloj mosbesimi ndaj kryeministrit Berisha dhe jemi të gatshëm që ta firmosim që tani”, - tha Meta, i cili dënoi sulmet e kryeministrit Berisha ndaj institucionit të Prokurorisë. Kryetari i LSI-së e cilësoi kryeministrin Berisha si rrezik për demokracinë shqiptare. Meta i bëri thirrje Berishës që të ndalë çdo sulm ndaj institucionit të Prokurorisë. Kryetari i LSI-së tha se kjo fushatë e Berishës bëhet vetëm e vetëm për të penguar hetimet për skandalet korruptive të qeverisë së tij.

Prokuroria
Gjatë një deklarate për shtyp, kryetari i LSI-së denoncoi fushatën e vazhdueshme sulmuese që kryeministri dhe maxhoranca kanë ndërmarrë ndaj pavarësisë së Prokurorisë. Meta kundërshtoi propozimin e Berishës për ndërmarrjen e një hetimi ndërkombëtar për çështjen “Fazlliç”, duke e cilësuar atë si cenim të integritetit të Prokurorisë.
“Këto qëndrime të Berishës dhe deklaratat e para tre ditëve të ministrave të tij të Brendshëm dhe Drejtësisë, nuk lënë më asnjë dyshim se kjo maxhorancë tashmë ka përcaktuar Prokurorinë, si një institucion që nuk duhet të funksionojë kurrsesi më si e pavarur, duke kërkuar ta kthejë atë si një bisht të këtij ekzekutivi të korruptuar. Kjo sjellje antikushtetuese dhe antiinstitucionale e kryeministrit, komprometon rëndë edhe iniciativën e tij për të bërë një ligj të ri për Prokurorinë, i cili, sikurse kemi denoncuar shumë qartë edhe më parë, ka si objektiv të vetëm eliminimin e pavarësisë kushtetuese të këtij institucioni jetik, në mënyrë që të paralizohen hetimet e pavarura për skandalet e qeverisë ‘Berisha’”, - tha Meta, i cili përshëndeti deklaratën e Ambasadës Amerikane dhe të ambasadorëve të BE-së, të cilët kërkonin nga qeveria që të respektonin pavarësinë e Prokurorisë.
Mocioni
Meta, duke shprehur vullnetin e LSI-së për të iniciuar dhe mbështetur çdo lloj mocioni që kërkon shkarkimin e kryeministrit Berisha, fajësoi gjithashtu deputetët e Partisë Socialiste për votat që ata dhanë për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas Metës, tashmë është bërë më e vështirë për të rrëzuar kryeministrin Berisha, por ai sqaroi se një gjë e tillë nuk e pengon LSI-në për të kërkuar dhe realizuar largimin e shpejtë të Berishës dhe qeverisjes së korruptuar të tij. “Më duhet t’ju kujtoj se përpara se të hedhim firmat për heqjen e kryeministrit Berisha, gjë që ne kemi qenë të gatshëm për ta bërë çdo sekondë pas tragjedisë së Gërdecit e në vijim, na duhet, për shkak të ndryshimeve kushtetuese që Berisha bëri bashkë me ndihmën e zotit Rama, që të mbledhim firmat dhe për kryeministrin që do të zëvendësojë Berishën. Sepse tani nuk na duhen më vetëm 71 vota, por na duhen 142 vota për të hequr Berishën. Pra, 71 për një tjetër dhe 71 për heqjen e Berishës. Në fakt këtu qëndron ky komfort i ri që iu krijua Berishës në mënyrën më mendjelehtë dhe më të turpshme, këtu qëndron dhe pacipësia e Berishës, që qesëndis opozitën dhe i lutet për mocion mosbesimi. Ne jemi gati që tani, ashtu sikurse kemi qenë gati dhe jemi përsëri gati në çdo moment që nëse Partia Socialiste riaktivizon mocionin për zonjën Topallit, për të ecur edhe në këtë drejtim, sepse ju e shikoni që Parlamenti nuk funksionon më si një institucion demokratik”, - tha Meta.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›