E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurimet publike, tenderat, Qeveria thirrje vendorëve

Autori i Lajmit: red.
Mbledhja e Këshillit të Ministrave, e mbajtur jashtë radhe nga kryeministri Berisha, është ndalur edhe në një aspekt tjetër, atë të prokurimeve elektronike. Duke folur për rëndësinë që ka vendosja e standardit për prokurimet publike në kuadër të luftës që qeveria ka ndërmarrë kundër korrupsionit, Berisha ka theksuar edhe një herë se prokurimet publike elektronike do të jenë të vetmet, që do të lejohen, në të kundërt ai ka urdhëruar bllokimin e fondeve për çdo ent kontraktues që nuk i përgjigjet kësaj nisme. Kryeministri e nënvizoi këtë çështje duke u shprehur se “vihen re disa tendenca në qeveritë vendore, jo të përhapura, por ekzistuese, që të hezitojnë për të proceduar me këtë procedurë elektronike. Së pari, dua t ju bëj të qartë qeveritarëve vendorë të Shqipërisë se, në mënyrë absolute, nuk do të mund të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike, në Republikën e Shqipërisë, pra vetëm sipas asaj që është e përcaktuar në ligj dhe ky vendim është i pandryshueshëm. Megjithatë, ky vendim nuk është i vlefshëm vetëm për qeveritë vendore, por është i vlefshëm për të gjitha entet kontraktuese, duke nisur nga Kryeministria e deri në komunën më të largët të këtij vendi. Qeveria ka marrë të gjitha masat për të rritur në shkallën më maksimale kapacitetet e sistemit elektronik të prokurimeve. Ndaj, zotërinj ministra, duhet të mblidhni urgjentisht autoritetet dhe entet tuaja përgjegjëse për prokurimet dhe t i vendosni në punë. Buxheti është totalisht disponibël në këtë drejtim. Nuk do të ketë formë tjetër prokurimesh përveç prokurimeve elektronike. Zoti ministër i Financave, duhet të monitorosh më shumë rigorozitet këtë proces. Qeveria ju jep të drejtën e rialokimeve dhe të heqjes së fondeve, sepse nuk mund të presim pa shkak. Ky standard është interesi më i mirë publik i Shqipërisë, është standardi i luftës së sigurt kundër korrupsionit. Ndaj, Ministria e Financave duhet t i ndjekë hezituesit dhe të plogështit dhe të zbardhë listën, duke argumentuar heqjen e fondeve, psh: fondet u hoqën sepse autoritetet përgjegjëse po “flenë” mbi to. Arsyeja se përse po “flenë” mbi to sigurisht që merret vesh dhe është shumë e thjeshtë, sepse ai që “fle” mbi fonde mendon se do t i fusë ato në xhepa. Por kjo nuk mund të ndodhë”, - tha Berisha.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›