E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, letër-porosi Zvicrës për të pyetur Henry Tomey

Prokuroria e Përgjithshme dërgon dy letër-porosi përmes Ministrisë së Drejtësisë, në Zvicër dhe Qipro. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime të besueshme pranë organit qendror të akuzës, të cilët saktësojnë se në letër-porosinë e parë kërkohet marrja në pyetje e zviceranit Henry Tomey, emri i të cilit ka dalë gjatë procesit hetimor në dy shkresa dhe dëshminë e Kosta Trebickës, lidhur me trafikun e armëve. Për të zbardhur më tepër rreth pistës së trafikut të armëve, Prokuroria e Përgjithshme u është drejtuar autoriteteve zvicerane, me qëllim mundësimin e marrjes në pyetje të këtij personi, emri i të cilit ka dalë gjatë këtyre muajve të procesit hetimor, si nga dokumentacioni i sekuestruar, ashtu dhe nga dëshmia e të ndjerit Kosta Trebicka, i cili vdiq aksidentalisht disa javë më parë në Lekas të Korçës. Arsyeja pse zvicerani Tomey do të merret në pyetje nga hetuesit, sipas burimeve të besueshme në Prokurorinë e Përgjithshme, është pista e trafikut të armëve. Referuar të njëjtave burime, rezulton se shtetasi zviceran, Henry Tomey, i njohur edhe me emrin Heinrich Thomet, është një nga personazhet më të lakuara në tregun ndërkombëtar të armëve, madje dhe i listuar nga OKB-ja në vitin 2006. Sipas kongresmenëve amerikanë, në listën e personave nën vëzhgim ishin edhe Efraim Diveroli, i futur aty në vitin 2006, si dhe firma e tij AEY, që në vitin 2005. Po ashtu, sipas tyre, edhe ndërmjetësi Henry Tomey ishte futur në listë që në vitin 2006. Emri i Henry Tomey-t ka dalë gjithashtu gjatë një bisede telefonike të Efraim Diverolit dhe Kosta Trebickës, bisedë kjo e regjistruar nga ky i fundit dhe e bërë publike në mediat shqiptare.

Letër-porositë

Letër-porositë, njëra për në Zvicër dhe tjetra për në Qipro, janë dërguar nga organi qendror i akuzës përmes Ministrisë së Drejtësisë. Përveç kësaj letër-porosie drejtuar autoriteteve zvicerane, një tjetër është nisur drejt shtetit të Qipros, kjo e dyta për të zbardhur transaksionet bankare të kompanisë “Evdin LTD”, e identifikuar me seli në këtë vend. Sipas të njëjtave burime nga akuza, emri i zviceranit, Henry Tomey, që në agjencitë ndërkombëtare njihet si “zot i luftës”, është përmendur edhe në dëshminë e dhënë nga Kosta Trebicka, i cili ka pohuar se zoti Tomey erdhi në Tiranë për të bërë takime me pjesëtarë të “Meico”-s, dhe ishte përfaqësues i “Evdin LTD”, e cila është nënkontraktore mes “Meico”-s dhe kompanisë AEY, me pronar 22-vjeçarin Efraim Diveroli. Ndërkohë që vetë prokurorët pohuan pak ditë më parë se firma “Evdin LTD” është e regjistruar në pronësi të Henry Tomey, si e regjistruar në Qipro dhe me numra kontakti në Zenica të Bosnjës. Në dosjen e prokurorëve që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit, por edhe pistën e trafikut ndërkombëtar të armëve, ndodhet jo vetëm dëshmia e Kosta Trebickës, por edhe shkresa e të dy kompanive AEY dhe “Evdin LTD”, ku kërkohen nga “Meico” municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi. "Evdin Ltd" e drejtuar nga Henry Tomey (emri i vërtetë mendohet të jetë Heinrich Thomet) blinte armët nga “Meico” dhe ia shiste ato më pas kompanisë amerikane AEY, me dyfishin e çmimit. Kështu, nëse një paketë plumbash shitej nga “Meico” me 22 dollarë, kjo e fundit i kushtonte AEY. Inc 40 dollarë, një shtesë prej 18 dollarësh, të cilat, sipas Trebickës, ndaheshin mes palës shqiptare dhe drejtuesit të "Evdin Ltd".

Emri i Tomey, i lidhur me trafikun e armëve

Sipas shkresave që ndodhen në dosjen e prokurorëve, por edhe dëshmisë së dhënë para vdekjes aksidentale nga Kosta Trebicka, nëpërmjet kompanisë AEY, shteti shqiptar ia shiti fishekët kinezë në bazë të kontratës kompanisë qipriote “Edvin Ltd”, në një çmim 22 dollarë për 1.000 fishekë. Por, firma qipriote, ia shiste më pas kompanisë AEY INC, me çmimin 40 dollarë për 1000 fishekë, ndërkohë që Pinari ishte në dijeni të gjithë këtij transaksioni të dyshimtë, edhe për faktin se Henry Tomey ishte prej kohësh i skeduar nga shumë organizata ndërkombëtare për trafik ndërkombëtar armësh e municionesh. Deri në datën 15 maj 2007, transporti i municioneve me fishekët kinezë bëhej nëpërmjet kompanisë “Xhoi sh.p.k.”, por menjëherë pas ardhjes në Shqipëri të Efraim Diverolit (23 maj 2007), gjithçka ndryshoi në favor të Delijorgjit, për t’u marrë me ripaketimin e fishekëve.

Përgjimet e Kosta Trebickës që implikojnë Tomey

DIVEROLI: (disa fjalë për ato që duhen bërë për Diverolin, në lidhje me paratë që biznesmeni shqiptar i ka atij borxh dhe një ngarkesë malli që duhet të niset. Bëhet fjalë për një shifër prej 2.5 milionë dollarësh që K.B. i ka borxh Diverolit). Unë kam qenë 100% me ty. Unë nuk të largova nga kjo punë. E kupton? Nuk kam të bëj me këtë. Edhe pse Pinari ma kërkoi dhe ai është duke më detyruar mua që ta bëj, unë nuk e kam mbështetur asnjëherë këtë vendim. Jam shumë, shumë i mërzitur. Jam shumë i shqetësuar.

Detaj

2 letër-porosi janë dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në Zvicër e Qipro, njëra për marrjen në pyetje të Tomey

K.T.: Ai po punon ende me Henry Tomey?

DIVEROLI: Mendoj se po punon ende me Henrin. Unë po punoj ende me Henrin. Duhet të punoj me Henrin, jam duke punuar me Henrin.

DIVEROLI: Është një gjë që duhet ta kuptojë Pinari: Unë nuk jam shok me Henrin... nuk mund të bëj biznes majmunësh me mafien dhe Delijorgjin dhe gjithë ata njerëz të dhjerë në Shqipëri... Unë jam një kompani direkte, unë punoj për qeverinë, të gjithë po më vëzhgojnë. Pinari do njerëz si Henri në mes, që të "kujdesen" për të dhe njerëzit e tij, por kjo nuk është puna ime. Unë nuk dua të di për këtë gjë. Dua të di për biznesin e ligjshëm. Kjo është ndjesia ime për situatën. Kjo është ideja ime, opinioni im.

DIVEROLI: Si janë gjërat me ty për momentin?

K.T: Gjërat janë “ok”, jam i qetë, e ke parasysh. Po punoj fort, kam biznese të tjera për të cilat duhet të kujdesem dhe biznesi im ditor është “ok”. nuk kam probleme. (Përgjimi 5) Disa biseda të shkurtra për vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri

K.T: Pinari është mirë për të, për Presidentin tuaj. Aleks është i lumtur. Ai më tha se Pinari do të thotë ty për fluturimin e së mërkurës, nëse do të bëhet apo jo. Është në dorën tënde. Ti e di. Unë mund të të ndihmoj ty nëse has ndonjë problem tjetër. Më thuaj dhe do të të ndihmoj, por mendoj se me Pinarin, njerëzit e tij të mafies, Delijorgjin dhe Henrin, do të jetë e vështirë për ty që të vazhdosh përpara, sepse ata do të të hapin shumë probleme. Por ki parasysh, çfarëdo që të ndodhë, në çdo rast që do të të duhem më bëj një telefonatë. Ka shumë mundësi që unë do të thërritem në Uashington D.C., nga njerëzit e CIA-s dhe miqtë e mi atje. Dy javë nga tani unë do të vij në Florida që të takohem me ty e të diskutojmë marrëveshjet e tjera.

DIVEROLI: Më pëlqen kjo. Le ta bëjmë këtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›