E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, ndalohen 10 persona, prenë pyjet

Drejtoria e Policisë së Dibrës ka arrestuar 10 persona, të cilët akuzohen për prerjen e pemëve në pyjet e zonës. Uniformat blu kanë ndërmarrë një aksion të gjerë, për të luftuar këtë fenomen, ku në përfundim të tij ka ndaluar 10 automjete të tonazhit të rënde të ngarkuar me lëndë drusore. Sipas burimeve të policisë, 6 nga këto automjete janë kapur në zonat e Peshkopisë dhe 4 të tjerë janë kapur në zonat e Burrelit. Kjo ka çuar në arrestimin e 10 personave. Sipas burimeve të policisë së Dibrës, ata do të akuzohen për prerje të paligjshme të pyjeve. Gjithashtu, në këtë vepër penale janë përfshirë edhe punonjës të Policisë Pyjore. Sipas burimeve të policisë, është hapur edhe një hetim për shpërdorim detyre ndaj tyre. Nga ana e Policisë Pyjore deklarohet se kanë organizuar aksione për parandalimin e prerjeve të paligjshme të keqbërësve. Zona e Burrelit ka sipërfaqe të mëdha pyjesh të shkatërruara tërësisht. Çdo ditë nga kjo zonë dalin me dhjetëra kamionë të ngarkuar me dru. Prerja e pyjeve shtohet veçanërisht me afrimin e sezonit dimëror, sepse pjesa më e madhe e lëndës drusore shkon për ngrohje. Policia do të vazhdojë, që të luftojë këtë fenomen, i cili vazhdon të dëmtojë pyjet e zonës.

Trafiku

Mbërrin për gjykim dosja për drogën e kapur ndaj greku Papadhaqis

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka mbërritur për gjykim dosja në ngarkim të të pandehurit Jorgo Papadhaqis, i akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike”. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Dosja në ngarkim të 40-vjeçarit grek pritet t’i nënshtrohet hedhjes së shortit elektronik për të përcaktuar gjyqtarin që do ta marrë në shqyrtim në javët në vazhdim. Jorgo Papadhaqis, 40 vjeç, u arrestua në muajin prill të këtij viti në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë, Gjirokastër, me rreth 3 kilograme lëndë narkotike, në makinën me të cilën po udhëtonte në drejtim të Greqisë. Fillimisht, hetimet paraprake u kryen në Gjirokastër për t’ia përcjellë dosjen hetimore të 40-vjeçarit Papadhaqis Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila tashmë ka dërguar dosjen për gjykim, për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›