Krugman, një mendje në shërbim të konsumatorëve
Ekonomisti amerikan, Paul Krugman, është fitues i Çmimit “Nobel” për ekonomi këtë vit dhe kjo falë hulumtimeve të tij shkencore mbi tregtinë e jashtme dhe gjeografinë ekonomike. Ky çmim i ndahet profesorit amerikan "për analizën e tij të modeleve tregtare dhe lokalizimin e aktiviteteve ekonomike", siç thuhet përveç tjerash, në kumtesën zyrtare me rastin e ndarjes së këtij çmimi. Profesori i shquar ka zbuluar këtë teori para rreth 30 vitesh dhe aty ai ka bashkuar fushat studimore të tregtisë së jashtme dhe të gjeografisë ekonomike. Kjo teori dallon nga ekonomia tradicionale në atë se i kushton më shumë rëndësi konkurrencës imperfekte si dhe përparësive dhe fitimeve që arrihen për shkak të aktiviteteve dhe këmbimeve tregtare. Kur e thirrën në telefon ekonomistin Krugman nga Stokholmi, ai u shpreh i befasuar dhe njëkohësisht i gëzuar dhe deklaroi për shtypin suedez se "ndihej i nderuar" për këtë vlerësim kaq të madh, në fakt më të madhin në fushën e ekonomisë dhe më prestigjiozin në botë. Paul Krugman është lindur më 1953 në Nju Jork. Tani punon në Universitetin Princeton si profesor në Economics dhe International Affairs. Ai është edhe kolumnist në “New York Times” që nga vitit 1999. Profesori Krugman ka shkruar 20 libra dhe mbi 200 artikuj dhe analiza në gazeta të ndryshme profesionale dhe ditore. Çmimi i “Nobelit” për ekonomi ka filluar të jepet nga Banka Qendrore Suedeze që nga viti 1968 në shenjë nderimi për Nobelin dhe nuk është pjesë e testamentit të tij. Ky çmim në origjinal quhet "Riksbankens ekonomipris till mine av Alfred Nobel". Profesori Krugman do të marrë 1.1 milionë euro për shkak të hulumtimeve dhe analizave të tij shkencore mbi tregtinë dhe përparësitë e këmbimeve tregtare. Shembull praktik që dëshmon teorinë e tij është Bashkimi Evropian ku shtetet e ndryshme bëjnë tregti dhe konsumatorët kanë ofertë të mallrave më të mirë dhe të ndryshme. Më herët para krijimit të këtij unioni mendohej se vendet që kishin karakteristika dhe nivel të ngjashëm zhvillimi nuk do të fitonin nga tregtia. Por rasti i BE-së tregon se shtetet aplikojnë dogana dhe tarifa më të ulëta dhe vendet e ndryshme specializojnë në fusha të ndryshme komplementare dhe nga kjo fitojnë konsumatorët duke pasur në rend të parë çmime më të lira dhe shërbime mallrash të llojllojshme. Po ashtu prodhuesit dhe shtetet mund të eksportojnë në më shumë tregje dhe në sasi më të mëdha dhe kështu funksionon edhe tregtia globale botërore. Personalisht më duhet të them se më vjen shumë mirë që ky profesor kaq i nderuar dhe i respektuar ndër ekonomistët botërorë fiton çmimin “Nobel” për ekonomi, në mes tjerash edhe për shkak të faktit se gjatë studimeve të mia postdiplomike në Suedi kam pasur rastin dhe privilegjin të studioj një nga librat e tij kyç të makroekonomisë që quhet "International Economics" dhe të cilin e ka shkruar së bashku me autorin Maurice Obstfeld. Për fund mbetet vetëm t’i themi profesorit të shquar amerikan: Urime për këtë vlerësim dhe nderim kaq të madh por edhe të merituar!