E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomonia me shqiptarë, 30 klandestinë zbarkojnë në brigjet italiane

Një gomone, në të cilën ndodheshin 30 klandestinë shqiptarë, është ndaluar nga policia në brigjet italiane. Guardia di Financa ka arritur ditën e djeshme që të bllokojë mjetin lundrues 13 m të gjatë dhe të arrijë që të ndalojë të gjithë klandestinët që ndodheshin brenda. Gomonia kishte flamurin kroat. Pjesa më e madhe e klandestinëve ishin fëmijë. Nga kontrollet e kryera rezultoi se klandestinët ishin shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët ia kishin dalë që të arrinin në brigjet italiane të Foxhias. Ditën e djeshme, rojet detare italiane arritën që të dallonin në det një mjet lundrues, i cili po i drejtohej brigjeve të Foxhias. Pasi e kanë lokalizuar, ata e kanë shoqëruar atë në breg të detit. Më pas është arritur që të bllokojnë të gjithë klandestinët, të cilët ndodheshin brenda. Sipas policisë italiane, numri i tyre ishte 30, ku 2/3 ishin fëmijë. Në bordin gomones ishte edhe një grua shtatzënë dhe pjesa tjerë të rritur. Policia italiane ka shoqëruar menjëherë gruan për në spital, për t’i bërë kontrollet e nevojshme dhe për të parë gjendjen e saj. Gjithashtu, hetuesit italianë kanë nisur menjëherë nga puna për të përcaktuar edhe identitetin e skafistit. Sipas mediave italiane, është arritur që të identifikohet personi përgjegjës për trafikimin e këtyre personave dhe ai është arrestuar nga policia, e cila ka bërë edhe shoqërimin e tij për në ambientet e paraburgimit, ku më pas ai do t’i duhet t’i nënshtrohet gjykimit të ligjeve italiane. Ende nuk bëhet e ditur se nga është nisur gomonia me klandestinë. Sipas mediave italiane, ajo ishte e gjatë 13 m dhe kishte të shënuar flamurin kroat mbi të.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›