E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët mes Shilës dhe Karibdit



Nga Fatos Çoçoli

Ligji i Prokurorisë, i miratuar ditët e fundit të vitit të kaluar, i bën prokurorët të ndihen më të mbrojtur e më të pavarur në punën e tyre, apo shtriga që mund të gjuhen lirisht tashmë nga Ministria e Drejtësisë dhe në tërësi nga qeveria? Kjo është një pyetje gozhdë, e ngulur në shqetësimet e opinionit publik shqiptar. Shumë prokurorë janë shprehur hapur për variantin e dytë si përgjigje e kësaj pyetjeje. Vetëm se kjo sjell një pyetje tjetër: këta prokurorë drithërohen mirëfilli për etikën dhe pavarësinë e profesionit të tyre, apo kanë skelete (paudhësi) të fshehura në dollap? Një zë me autoritet në këtë fushë, ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, që e kishte këtë detyrë nga viti 2001 deri vjet, e vlerëson ligjin si të arrirë. Ky ligj ka marrë edhe mbështetjen e dy misioneve ndërkombëtare që ndihmojnë Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë, OPDAT dhe Euralius. Shkurt, ligji është i mirë. Por..., si me të gjitha ligjet tona, ka një “POR” të madh. Ligji vërtet shkurton gjasat që prokurorët të ndjehen zota të paprekshëm dhe të bëjnë ç’të duan. Ai krijon mundësinë për kontroll më të imtë të veprimtarisë së prokurorëve, në mënyrë që këta të mos i shërbejnë politikës duke anashkaluar ligjet. Por, nga ana tjetër, ligji hap dritaret dhe për mundësi abuzimi të Ekzekutivit (pra, qeverisë). Ajo, në emër të zbatimit të tij mund të ushtrojë presion ndaj prokurorëve në çështje të nxehta për qeverinë dhe interesat e saj e të partisë në pushtet. Dhe këtë presion ta mbulojë me gjoja zbatimin e ligjit. Ja përse prokurorët ndihen më pak të mbrojtur, si në mes të zjarrit, apo të Shilës dhe Karibdit (dy kepat e ngushticës së Mesinës në Itali, të bëra të famshme nga epopeja e Homerit dhe heroit të tij Odisesë). Prokurorët janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe jetën tonë të qetë e të sigurt. Asnjëherë si më parë, të gjitha repartet e shoqërisë shqiptare, qytetarët që kanë punë me padrejtësitë te pronat, formacionet politike që ndjehen të shkelura apo të anashkaluara, organizatat joqeveritare që duan të vënë para përgjegjësisë masakruesit e mjedisit dhe të pasurive natyrore të Shqipërisë nuk i kanë varur aq shumë shpresat sa sot te institucioni i Prokurorisë. Në një farë mënyre, prokurorët sot vështrohen si odisetë e kohëve moderne shqiptare. Si mbartësit e dritës në fund të tunelit se ky vend mund të bëhet me shtet të fortë ligjor dhe abuzuesit dhe të korruptuarit e tij të shumtë mund të vihen në bankën e të akuzuarve. Nëse prokurorët do të ndjehen të pasigurt me ligjin e ri, shoqata e tyre duhet ta ngrejë zërin. Ajo duhet të luajë rolin e luanit kërcënues, në rast se vërehen shkelje që në hapat e parë të zbatimit të tij. Në këtë këndvështrim, shqetësimet e kryeprokurores Ina Rama për humbjen e pavarësisë së institucionit të saj nga disa nene të ligjit marrin dritë vërtetësie. Por, nga ana tjetër, për shkak të eksperiencës së pakët në punë të saj, mund të ndodhë që këto shqetësime të vijnë nga argumente pak të bazuara të vartësve të saj, të interesuar ta vendosin atë si mburojë dhe të vijojnë punën e tyre, e cila mund të ketë shkelje të shumta. Nuk duhet harruar se një abuzim i një prokurori mund ta bëjë këtë të fundit të pasur brenda një dite, ndërsa shtetin ta degdisë në epokën e gurit, në kuptimin e respektimit të ligjit dhe paanshmërisë së tij. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë më të shigjetuarit në pyetësorët e të gjitha organizatave ndërkombëtare e kombëtare që kanë kërkuar opinionin e shqiptarëve lidhur me strukturat më të korruptuara të shoqërisë së tyre. Në këtë këndvështrim ia vlen një vegël ligjore që t’i kontrollojë dhe t’i mbajë nën tension e përgjegjësi. Por, nga ana tjetër, nëse prokurorët dëmtohen në punën e tyre në emër të këtij kontrolli, për të mos i lejuar ata të zhbirojnë dhe hetojnë punë të pista që vetë qeveria është e interesuar t’i mbulojë, atëherë këtij vendi dhe të ardhmes së tij europiane i vjen fundi. Kështu që jo thjesht vetë ligji për Prokurorinë, por zbatimi i tij që në hapat e parë duhet kontrolluar e monitoruar me shumë kujdes nga të gjithë ne. Nga opinioni publik shqiptar nëpërmjet mediave të përgjegjshme. Nga organizatat joqeveritare dhe sidomos nga Shoqata e Prokurorëve, si zëdhënësja më profesionale e interesave të tyre.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›