Festa greke lë në radhë 2 mijë emigrantë në Kapshticë
DEVOLL - Një numër i madh emigrantësh e kanë kaluar natën deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm në radhë, në pritje për të kaluar në tokën greke. Sipas të dhënave nga kjo pikë e kalimit kufitar, deri në orën 03:00 të ditës së mërkurë mbi 2000 emigrantë kanë pritur në radhë për orë të tëra. Shkak për radhën kilometrike është bërë puna me 2 sportele nga pala greke për shkak të kremtimit të ditës së Ujit të Bekuar. Por, krahas kësaj, ka ndikuar edhe fluksi i menjëhershëm i emigrantëve nëpërmjet mbërritjes së autobusëve ku për pasojë edhe përpunimi i dokumentacionit ka qenë i ngadaltë.
Intensiteti i punës nga dogana greke është shtuar pas hapjes dhe të 2 sporteleve të tjera gjatë turnit të tretë. Vetëm pas kësaj situata ka ardhur drejt normalizimit. Sipas të dhënave nga dogana, nga mëngjesi i djeshëm dhe deri në drekë kanë kaluar rreth 1300 emigrantë, ndërsa në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 5000 emigrantë që kanë hyrë në tokën greke. Në total, mbi 25 mijë ka arritur numri i emigrantëve që kanë hyrë në tokën greke që nga fillimi i këtij viti përmes pikës së kalimit të Kapshticës.
Vihet në pranga grabitësi i baterive të puseve të naftës në Fier
FIER - Pas disa muaj kërkimesh policia e Fierit ka arritur që të vërë në pranga një 17-vjeçar, banor i Marinzës, pasi në bazë të provave materiale të gjetura në banesën e tij, vërtetohet se ai është vjedhësi i baterive të gjeneratorëve që një kompani e huaj që operon në nxjerrjen e naftës në Marinëz. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë Fier mësohet se është arrestuar shtetasi Fatjon Koni, 17 vjeç, i vënë nën hetim prej disa kohësh nga policia dhe ekspertët e prokurorisë. Adoleshenti akuzohet se në muajin dhjetor të vitit 2008 ka vjedhur sasinë prej gjashtë copë baterish gjeneratori që firma kanadeze përdor për të mbajtur në punë pompat e nxjerrjes së naftës në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike. Pas një pune të punonjësve të zbulimit të krimeve u mor informacioni që implikonte 17-vjeçarin Koni. Më pas policia ushtroi kontroll në banesën e tij në Marinëz. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjetën 4 copë bateri ndërkohë që dy copë i dyshuari i kishte shitur. Këtë gjë ai e ka pohuar gjatë marrjes në pyetje prej oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ndaj shtetasit Fatjon Koni rëndon akuza e “vjedhjes” dhe dosja i ka kaluar për hetime organit të akuzës.
8 Janar 2009