Studimet e pjesshme, më 10 janar nis mësimi
Jonida Tashi
Tiranë - Studentët që do të nisin këtë vit studimet me kohë të pjesshme do të ulen në auditorë më datë 10 janar. Burime nga universitetet bëjnë të ditur se mësimi do të fillojë në këtë datë edhe nëse nuk janë regjistruar të gjithë kandidatët. Madje, ky afat për nisjen e studimeve me kohë të pjesshme është përcaktuar edhe në udhëzimin që Ministria e Arsimit u ka nisur universiteteve për hapjen e procedurave të pranimit për studimet e pjesshme. Nga universitetet mësohet se deri tani pjesa më e madhe e kuotave të rishpërndara është plotësuar. Për plotësimin e tyre është ndjekur praktika e zakonshme e pranimeve në universitete, që është spostimi i listës sipas pikëve ose kritereve të plotësuara.
Kërkesat
Kërkesat e kandidatëve për vazhdimin e studimeve me kohë të pjesshme do të pranohen deri në orën 14:00 të pasdites së sotme. Ky është afati që fakultetet kanë vendosur për aplikim, pas të cilit nuk do të pranohet më asnjë kërkesë.
Për të evidentuar përfundimisht emrat fitues, universitetet duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e të gjithë aplikantëve, të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të fituara në përputhje me kriteret akademike të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12:00 të datës 9 janar, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Nëse pas mbylljes së procesit të regjistrimit përfundimtar dhe plotësimit të deklaratave individuale nga të gjithë të regjistruarit do të ketë sërish kuota të parealizuara, këto të fundit do të plotësohen nga universitetet në datat 21, 22, 23 janar 2009, duke respektuar renditjen e shpallur të kandidatëve.
Pagesat
Të gjithë kandidatët fitues, pas regjistrimit formal, duhet të marrin masa që brenda datave 5-10 janar 2009 të likuidojnë detyrimin financiar pranë fakultetit ku kanë fituar të drejtën e studimit, në rast të kundërt nuk kualifikohen. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kurse kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të.
8 Janar 2009