E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë shfuqizon KLD-në për ndëshkimin e tre gjyqtarëve



Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë shfuqizon Vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për tre gjyqtarët që u etiketuan si favorizues të Delijorgjit. Gjatë ditës së djeshme, Kolegjet e Bashkuara të kësaj gjykate, pasi dëgjuan pretendimet e gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naum Pejo, gjykuan se ato ishin të drejta duke lënë në fuqi kërkesën e tyre. Në këtë mënyrë, deklaratat e njëpasnjëshme si të zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ashtu edhe të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duket se janë shumuar brenda ditës së djeshme. Po kështu, edhe vota e të gjithë anëtarëve të KLD-së që votuan për përjashtimin nga togat e zeza të këtyre gjyqtarëve është shfuqizuar. Tani beteja e fundit që duhet të kalojnë këta gjyqtarë mbetet Gjykata Kushtetuese. Këto padi nuk janë të parat kur gjyqtarët i drejtohen për të rimarrë statusin që u takon. Megjithëse një pjesë prej tyre ka mundur ta fitojë procesin edhe në Gjykatën Kushtetuese, sërish KLD-ja nuk i ka zbatuar këto vendime.
Kërkesa
Gjykata e Lartë u shpreh dje në lidhje me vendimet me të fundit të KLD-së. Gjyqtarët që janë ndëshkuar në dy mbledhjet e fundit të KLD-së nuk kanë qenë dakord me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për largimin e tyre nga Gjyqësori pas gjithë këtyre viteve eksperiencë. Duke respektuar dhe ligjet në fuqi, ata iu drejtuan menjëherë Gjykatës së Lartë si të vetmen gjykatë që ua lejon Kushtetuta për t’u ankuar për vendimin që është marrë ndaj tyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë përcaktoi se KLD-ja nuk kishte vepruar drejt që la në fuqi propozimet për masa ndëshkuese të ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
Ndëshkimet
Ministri i Drejtësisë gjatë vitit që lamë pas i ka propozuar KLD-së disa emra gjyqtarësh për masa ndëshkuese. Gjyqtarët, pasi janë njohur me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, janë drejtuar më pas në Gjykatën e Lartë. Kryesisht masat e propozuara nga ministri Enkelejd Alibeaj kanë qenë për shkarkim nga detyra duke i përjashtuar një herë e mirë këta gjyqtarë nga Gjyqësori.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë vitit 2008, ka ndërmarrë një sërë masash disiplinore duke ndëshkuar jo pak “toga të zeza”. Një numër gjyqtarësh janë marrë në procedim disiplinor gjatë vitit 2008 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kuadër të luftës kundër korrupsionit brenda sistemit të Drejtësisë. Për disa prej tyre, KLD-ja ka marrë masën e shkarkimit nga detyra, ndërsa për të tjerët pritet të thotë fjalën e fundit në fillim të këtij viti. Procedimet disiplinore për ta janë kërkuar nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, pas kontrolleve të ushtruara në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, ku grupet e inspektimit kanë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore. Ndër masat e marra nga KLD-ja përmenden shkarkimet nga detyra të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Vlorë Vasil Hanxhara dhe Gjinovefa Gaba, me motivacionin se kanë cenuar integritetin e Gjyqësorit, si dhe ndaj tre gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›