E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori Gjykatë: Ndryshoni Kodin e Procedurës Penale

KRIMET E RENDA

Krerët e Institucioneve, gjatë analizës vjetore të Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkuan.................... e ligjit, për mos dështimin e çështjeve

Shtyrja e proceseve gjyqësore nga avokatët dhe mosekzekutimet e letërporosive mbeten ngërçe në derë të Ministrisë së Drejtësië

TIRANË- Në analizën vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet, drejtuesi i këtij institucioni, gjyqtari Dritan Halluni, në përmbledhjen e punës një vjeçare të këtij institucioni, kërkoi publikisht nga Ministria e Drejtësisë, rishikimin e disa veprave penale të Kodit Penal, Procedurës Penale, unifikimin praktikës gjyqësore si dhe përcaktimin e statusit të këtyre gjyqtarëve.

Pavarësisht ftesës për pjesëmarrje, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë denjuan të ndiqnin analizën. "Kërkojmë plotësimin e kuadrit ligjor për Luftën Kundër Krimit të Organizuar; rishikimin e Kodit Penal për disa figura të veprave penale në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda.

Njësimin e praktikës gjyqësore nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për disa çështje të diskutueshme të praktikes gjyqësore të dy Gjykatave të Krimeve të Rënda; një shtesë ligjore për të përcaktuar qartësisht përfitimet nga statusi i veçantë i gjyqtarit të kësaj gjykate, si mbrojtjen dhe shoqërimin fizik, përfitimin e kredisë së banesës në rrethana lehtësuese dhe rimandatimin pas kalimit të afatit 9- vjeçar të gjyqtarëve si dhe interpretimin në përputhje me nenin 138 të Kushtetutës për sistemin e pagës dhe përfitimeve të tjera për gjyqtarët e kësaj gjykate",-thuhet në rekomandimet kryetarit të gjykatës, Dritan Halluni. Gjithashtu, ai i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, e sidomos raportet gjykatë-palë, në lidhje me afatet e paraburgimit gjatë hetimit e gjykimit.

"Të rishikohet Kodi i Procedurës.Penale për raportet gjykatë-palë në lidhje me afate prekluzive dhe të afateve të paraburgimit për të pandehurit që akuzohen për krime të rënda, pasi zvarritja e proceseve gjyqësore po sjell mbarimin e afateve të paraburgimit"'-tha. Më tej ai shtoi se zvarritjet e seancave gjyqësore po bëhen nga avokatët dhe mos ekzekutimi i letër-porosive nga shtetet përkatëse.

I këtij mendimi ishte edhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, pohoi se Ministria e Drejtësisë duhet të marrë masa ndaj atyre që bëhen shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore. Ndërkohë, nga Gjykata e Lartë kërkoi unifikimin e disa vendimeve në lidhje me interpretimet e Kodit të Procedurës Penale, si për kallëzueset apo viktimat e trafikut njerëzor me qëllim prostitucionin dhe "mbetjen në tentativë".

Për këto dy nene, kryeprokurori Çela kërkoi që Gjykata e Lartë të japë drejtim, për të mos sjellë prishjen e dosjeve voluminoze që janë hetuar dhe gjykuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

"Shqetësues mbetet një numër i caktuar çështjesh të cilat janë ende në gjykim dhe që për ne përbëjnë një shqetësim themelor, sepse janë çështjet më të rëndësishme që ne kemi sjellë para kësaj gjykate. Mendoj se është e domosdoshme që të shpejtohen hapat për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sepse një nga kriteret vlerësuese është edhe shpejtësia në gjykim",-theksoi Çela në fjalën e tij.

Spahiu Po hetojmë shtyrjen e gjyqeve

Ndërkohë, po për zvarritjet e proceseve të mëdha gjyqësore zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i pranishëm në këtë analizë, njoftoi se ka nisur një hetim tematik mbi shkaqet e shtyrjeve të këtyre seancave gjyqësore.

"Inspektorati i KLD-së në bashkëpunim me atë të Ministrisë së Drejtësisë kanë nisur një hetim tematik për këto zvarritje, për të nxjerrë konstatimet se kush janë arsyet e këtyre shtyrjeve. Nëse janë gjyqtarët do të ketë procedime disiplinore ndaj tyre, a nëse janë subjektet e tjera, avokatët apo mos ekzekutimi i letër-porosive do të merren masa për përmirësimin e kuadrit ligjor",-tha zv/kryetari Spahiu në fjalën e tij.

Ndërkohë, mbledhja e analizës vjetore filloi me një minutë heshtje në nderim dhe respekt të gjyqtarit Xhelal Elezi, i cili pak ditë më parë humbi jetën si pasojë e një hemorragjie në tru (gjakderdhje në tru) gjatë shqyrtimit të seancës gjyqësore në ngarkim të ish-drejtuesve të SHIK-ut. Në analizën e djeshme ra në sy mungesa e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Policisë së Shtetit.

Ndërsa të pranishëm ishim përveç zv/kryetarit të KLD-së Spahiu, drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Çela, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra dhe përfaqësues të huaj që asistojnë në sistemin e drejtësisë në vend.

Të gjitha çështjet e shqyrtuara gjatë 2009
136 kërkesa për gjykim (gjyqe themeli)
181 masa të sigurimit personal
583 kërkesa për përgjime
73 kërkesa të tjera penale
18 kërkesa për sekuestrim e konfiskim të pasurive

Apeli:
Duam gjykimin e krimeve që dënohen me mbi 15 vite

TIRANË- Po gjatë ditës së djeshme, brenda ambienteve të ndërtesës së re të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krimet e Rënda u mbajt analiza vjetore e këtyre të fundit.

Kryetari i kësaj gjykate, Gjovalin Përnoca, përmblodhi punën një vjeçare të institucionit. Pas rezultateve të evidentuara, Përnoca renditi disa propozime për Ministrinë e Drejtësisë dhe KLD-në për ndryshimet ligjore për përmirësimin e Kodit të Procedurës Penale.

"Të ndryshohet kompetenca e gjykimit të Gjykatës për Krime të Renda, duke u vendosur përsëri ato lloj veprash penale që ishin parashikuar që në krijimin e tyre dhe çdo vepër penale që parashikon dënim me burgim jo më pak se 15 vjet, pasi ato vërtet përbëjnë krime të rënda si dhe janë të përballueshme nga ana sasiore e cilësore nga këto gjykata. Të ndryshojë përbërja e trupit gjykues të Gjykatave për Krime të Rënda nga pese në tre gjyqtare.

Të përmirësohet statusi i gjyqtarëve në përgjithësi dhe për krimet e rënda në veçanti (pagat, pensionet, kredi me kushte lehtësuese, garanci shëndetësore, etj), si dhe të dalin aktet nënligjore për sigurinë fizike të gjyqtarëve si dhe të familjeve të tyre, pronës, etj.

Të hiqet nga ligji ynë organik përcaktimi i mandatit 9-vjeçar, gjë që nuk është mbrojtje në aspektin e patundshmërisë, por rrezikon që në përfundim të mandatit, gjyqtarët të diskutohen për të vazhduar punë në gjykata të tjera edhe jashtë rrethit, gjë që nuk përbën garanci e vlerësim për detyrën që përballojmë"-tha Përnoca në fjalën e tij, duke nënvizuar pozitive punën një vjeçare të institucionit që ai drejton, që sipas tij janë gjykuar çështjet në një afat shumë të shpejtë.

APEL

Gjatë 2009 janë përfunduar 162 çështje
- 75 çështje penale themeli,
- 48 çështje që u përkasin masave të sigurimit,
- 39 çështje të veçanta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›