E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grinden për një karrige, vritet studenti

Robert Dishmema, 22 vjeç, u vra dje pasdite në Kamëz, pas një grindjeje në një sallë interneti. Kapet autori

TIRANË- Një tjetër vrasje ka ndodhur në Tiranë, në vendin ku pesë ditë më parë u vra ish- atleti i Dinamos, Hasan Rakipi. Këtë radhë viktima është një i ri, student në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me thikë në zemër.

Robert Dishmema, 22 vjeç, nga Burreli u qëllua për vdekje me thikë dje rreth orës 16 .15 minuta përpara një lokali pranë kompleksit sportiv të kombëtares sonë të futbollit në Kamëz, fare pranë shkollës profesionale të "Agrobiznesit".

Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, disa orë pas ngjarjes së rëndë blutë e Komisariatit nr. 5 kanë arrestuar si autor të dyshuar të ngjarjes, 19- vjeçarin Bukurosh Muceku po nga Burreli.

Arrestimi i personit që dyshohet të ketë qëlluar me thikë studentin e Universitetit Bujqësor është kryer në Paskuqan, ndërkohë nga burimet policore mësohet se ky i fundit ka pranuar autorësinë e ngjarjes.

Mësohet se të rinjtë, protagonistë të ngjarjes, rreth orës 15. 00 të ditës së djeshme, kanë qenë së bashku në një qendër interneti, ku kanë nisur një debat me fjalë midis tyre.

Debati ka lindur për karriget e internet - kafesë, por që ka përfunduar me përdorimin e thikës nga 19- vjeçari i arrestuar si autor i ngjarjes. Pasi janë konfliktuar me grushte midis tyre, viktima dhe autori i ngjarjes bashkë me disa të rinj të tjerë që shoqëronin viktimën kanë nisur përsëri sherrin jashtë ambienteve të qendrës së internetit, ku rreth orës 16 e 15 minuta Robert Dishmema është qëlluar me thikë në zemër nga Bukurosh Muceku.

Të njoftuar për krimin, në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e komisariatit të policisë Kamëz si dhe oficerët e zyrës së vrasjeve në Policinë e kryeqytetit, të cilët kanë nisur hetimet për ngjarjen.

Dishmema edhe pse i është dhënë ndihma e shpejtë, ka ndërruar jetë pak para mbërritjes në Spitalin Ushtarak, pasi goditja me thikë në zemër ka qenë fatale për të. Pas goditjes me thikë të 22 vjeçarit, personi i arrestuar si autor i vrasjes mësohet se është larguar në drejtim të Paskuqanit, por që iu janë vendosur prangat disa orë pasi kishte kryer krimin.

I marrë në pyetje nga oficerët e policisë, Bukurosh Muceku ka pranuar të ketë qëlluar me thikë studentin e Institutit Bujqësor dhe sipas deklarimeve të tij, sherri ka nisur për motive të dobëta në ambientet e një qendre interneti në Kamëz.

Policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë qenë prezentë në momentet kur Dishmema u qëllua me thikë në zemër, të cilët janë pyetur për arsyet e nisjes së sherrit midis të rinjve. Mbi të arrestuarin rëndon akuza e vrasjes me dashje, ndërkohë që hetimet për këtë ngjarje do të vazhdojnë për të zbardhur motivet e nisjes së sherrit që përfundoi me një të vdekur.

Viktima dhe personi i arrestuar si autor i krimit banonin të dy në Kamëz. Të shtunën, më datë 6 shkurt, në vendin ku u vra me thikë studenti 22 vjeçar, u qëllua për vdekje edhe Hasan Rakipi, 56 vjeç nga Tirana, trajner i atletikës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›