Prokurori: I palëkundur nga çdolloj kërcënimi
Prokurori Anton Martini, i kërcënuar me jetë mëngjesin e djeshëm nga një letër e mbërritur në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deklaroi se kjo nuk është hera e parë që merr kërcënime të tilla, ndërsa është i vendosur për të vazhduar ushtrimin e detyrës. I kontaktuar nga gazeta “Shqip” u shpreh se “kjo nuk është hera e parë që kërcënohem për shkak të detyrës, por jam i vendosur ta përmbushë atë me korrektësi dhe i palëkundur nga çdo lloj kërcënimi”. Prokurori nuk ka preferuar të shpjegojë përmbajtjen e letrës, ndërsa mësohet se për këtë kërcënim janë njoftuar të gjithë drejtuesit e Krimeve të Rënda. Prokurori Anton Martini është prej gjashtë vitesh me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë ushtrimit të detyrës në këtë prokurori, ka përfaqësuar akuzën në disa procese të rëndësishme gjyqësore si organizatat kriminale të qytetit të Durrësit të kryesuara nga Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, procesi gjyqësor ndaj të pandehurve që akuzohen si shkaktarët e Masakrës së Cërrikut, në disa hetime për linjat e trafikut të armëve e drogës etj.
#