Tirana feston Ditën e Tokës së bashku me amerikanët
“Dita e Tokës” ka shënuar fillimin e një fushate sensibilizuese nga Bashkia e Tiranës, nën sloganin “Kujdesu për Planetin Tokë”, duke nënvizuar nevojën e ruajtjes së burimeve natyrore. Për të gjashtin vit radhazi, Bashkia e Tiranës ka kremtuar “Ditën e Tokës”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane. E tillë ishte edhe ceremonia e organizuar në lulishten mbrapa Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ku 100 m/2 sipërfaqe bari me forma gjeometrike të ndryshme u mbollën në këtë hapësirë, nga fëmijët e shkollave nëntëvjeçare të kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama nënvizoi mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhe veçanërisht të ambasadorit Withers, i pranishëm në këtë aktivitet për të dëshmuar rolin e veçantë dhe vëmendjen që SHBA i kushtojnë promovimit të nismave të tilla, por edhe për ndihmën konkrete të vyer që kjo përfaqësi diplomatike ka dhënë gjatë këtyre viteve, në shtimin e përmasës së gjelbër në qytet. “është traditë tashmë në Tiranë, që së bashku me përfaqësuesin më të lartë të SHBA, në Shqipëri, ne ta kremtojmë këtë ditë dhe duke qenë ky viti i ‘40-të i kremtimit, të mos kremtojmë thjesht “Ditën e Tokës”, e cila zyrtarisht është pasnesër, por javën e Tokës, me një sërë aktivitetesh, duke iu bashkuar dhjetëra e qindra kryeqyteteve të botës, që këtë herë edhe më shumë se herët e tjera do t’i japin rëndësi këtij evenimenti”, tha kryebashkiaku Rama.
#