Prokurori amerikan, hetime në terren për 21 Janarin
Prokurori amerikan Mike Cain, i cili ka mbërritur në kryeqytet prej pesë ditësh, për të kontribuar mbi hetimin e demonstratës së 21 Janarit, ka takuar sërish prokurorët e çështjes në Prokurorinë e Tiranës. Qëllimi i këtij takimi mësohet se ka qenë kërkesa e tij për t’u njohur me procedurat e mbledhjes së provave për ngjarjen e demonstratës, ku tre persona u vranë dhe një i katërt ndodhet në gjendje të rëndë mjekësore në Turqi. Prokurori federal i SHBA-së, i cili ndodhet në Shqipëri pas kërkesës për asistencë teknike nga prokurorja e përgjithshme, zonja Ina Rama, ndodhet së bashku me dy ekspertë të tjerë të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, edhe këta këto ditë mjaft aktivë për dhënien e ndihmës për hetimet. Më herët, prokurori Cain, së bashku me ekspertët e FBI-së, kanë qenë edhe në laboratorin e policisë shkencore në Ministrinë e Brendshme, për të kryer në mënyrë të pavarur ekspertizën e disa armëve të gardistëve që ndodheshin me shërbim në Kryeministri ditën e 21 janarit. Po kështu, Prokurori Federal ka kërkuar të njihet edhe me ekspertizën e mjekësisë ligjore mbi autopsinë e kryer ndaj të vrarëve përpara Kryeministrisë. Të tre amerikanët kanë asistuar përkrah prokurorëve shqiptarë përgjatë kryerjes së ekspertimit balistik krahasues mes gëzhojave të gjetura në vendngjarje dhe predhave të dala nga trupat e tre të vrarëve dhe shtatë të plagosurve. Asistenca e hetuesve amerikanë është cilësuar si mjaft e rëndësishme nga kryeprokurorja Ina Rama, e cila gjatë një konference për shtyp tha se ekspertiza amerikane është e domosdoshme për një hetim të gjithanshëm e objektiv të ngjarjeve të 21 Janarit, kur humbën jetën 3 demonstrues e u plagosën shumë të tjerë.