Dëshmia e Shaqirit në Komision, SHISH i nis letër NATO-s
Tiranë- Katër nga gjashtë anëtarët e Komisionit hetimor parlamentar duket se janë në pozita të disfavorshme, për të qenë pjesë e seancës dëgjimore me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror. Arsyeja e vërtetë e shtyrjes së seancës, që ishte parashikuar të zhvillohej tri ditë më parë, është mungesa e certifikatave të sigurisë për katër deputetë, të cilët, sipas legjislacionit në fuqi, nuk mund të njihen me informacione sekrete. Duke qenë se të dhënat që pritet të japë kreu i ShISh-it para Komisionit hetimor konsiderohen sekrete, gjithçka është pezulluar derisa për çështjen të shprehet Aleanca e Atlantikut të Veriut e veçanërisht struktura që mbikëqyr shërbimet sekrete të vendeve anëtare të NATO-s. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se pas këtij ngërçi Shërbimi Informativ Shtetëror i ka dërguar një letër zyrës së Sigurimit të NATO-s (NOS), ku i sqaron situatën e krijuar me Komisionin hetimor dhe i kërkon të shprehet nëse katër deputetët kanë të drejtë të njihen me informacion të klasifikuar, në kushtet kur certifikatat e tyre të sigurisë nuk janë dhënë me miratimin e ShISh-it. Sipas korrespondencës së ShISh-it me Komisionin hetimor, që po heton rolin e institucioneve në raport me ngjarjet e 21 janarit, vetëm dy prej anëtarëve të tij janë të pajisur me certifikata sigurie. Katër deputetët e tjerë kanë arritur t’i sigurojnë certifikatat që u lejojnë të njihen me informacionin e klasifikuar, vetëm nëpërmjet Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, pa marrë më parë miratimin e ShISh-it, i cili duhet të shprehet nëse deputetët janë të përshtatshëm ose jo për t’u njohur me këtë kategori informacioni. Burimet sqarojnë se kjo është arsyeja kryesore përse gjithë korrespondenca e Komisionit hetimor me Shërbimin Informativ Shtetëror i është kthyer pas këtij të fundit, vetëm pak orë pasi ka marrë dokumentacionin e kërkuar. Kjo situatë duket se ka vënë vërtet në vështirësi Komisionin, kryetari i të cilit tha zyrtarisht se seanca dëgjimore me kreun e ShISh është shtyrë në një datë tjetër, për arsye teknike. Dhe në fakt, kjo seancë duket se nuk do të realizohet edhe për disa kohë, pas futjes “në lojë” të strukturave të NATO-s, të cilat do të shprehen për mënyrën sesi do të zgjidhet ngërçi i krijuar për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë për të paktën katër anëtarë të Komisionit hetimor. Pas përgjigjes që pritet të vijë nga zyra e NOS-it, katër deputetët pritet t’i nënshtrohen një procesi verifikimi, i cili do të certifikojë përshtatshmërinë e tyre për t’u njohur me informacionin e klasifikuar që disponon ShISh-i. Sipas legjislacionit në fuqi, procesi i verifikimit të deputetëve kryhet nga Shërbimi Informativ Shtetëror, me autorizim të kryetares së Kuvendit, pasi ligji për organizimin e ShISh-it kufizon këtë strukturë të mbledhë informacione për deputetët e Parlamentit dhe persona të tjerë, të veshur me imunitet. Procesi i verifikimit të katër deputetëve, anëtarë të Komisionit hetimor pritet të zgjasë për disa kohë, ndërsa të gjitha të dhënat dhe vlerësimi i ShISh-it mbi pastërtinë ose jo të tyre i përcillet Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila në varësi të raportit të ShISh-it jep ose jo certifikatën e sigurisë. Deri në përfundim të këtij procesi, kreu i ShISh-it, Bahri Shaqiri, nuk mund të paraqitet në seancën dëgjimore me Komisionin hetimor, të cilit do t’i duhet që gjatë kësaj kohe të lërë jashtë objektit të tij hetimin e veprimtarisë së Shërbimeve Sekrete, në raport me demonstratën e 21 janarit.